Hezbollahu nis raketa, dronë drejt Izraelit, ndërsa SHBA paralajmëron Iranin

Presidenti amerikan Joe Biden bëri një paralajmërim të prerë ndaj Iranit të premten, ndërsa bota po përgatitej që Irani të kundërpërgjigjej për sulmin vdekjeprurës ajror izraelit ndaj kompleksit të ambasadës iraniane në Damask.

Gjatë një bisede me gazetarët pas një fjalimi virtual të mbajtur për një aktivitet që zhvillohej në qytetin e Nju Jorkut, presidenti Biden paralajmëroi Iranin të mos ndërmarrë veprime dhe tha se “jemi të përkushtuar për mbrojtjen e Izraelit. Do ta mbështesim Izraelin. Do të ndihmojmë për mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”.

Komentet e presidentit Biden pasuan deklarata të ngjashme mbështetjeje nga zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes dhe të diplomacisë gjatë ditëve të fundit dhe ndërsa ushtria amerikane po merr masa për t’u siguruar se rritja e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit nuk do ta përfshijë Lindjen e Mesme në një luftë më të zgjeruar.

“Po dërgojmë njësi të tjera në rajon për të forcuar përpjekjet parandaluese dhe për të rritur mbrojtjen për forcat amerikane”, i tha të premten një zyrtar i mbrojtjes Zërit të Amerikës.

Zyrtari, i cili kërkoi t’i ruhet anonimiteti, nuk dha detaje të mëtejshme.

Dhe ndërsa zyrtarët amerikanë e paralajmëruan Iranin të mos hakmerret, një organizatë e rëndësishme që mbështetet nga Irani u hodh në veprim.

Organizata Hezbollah nga Libani nisi dhjetëra raketa ndaj Izraelit verior.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se pikasën rreth 40 raketa që kalonin nga Libani drejt Izraelit, një pjesë e të cilave u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore.Ushtria izraelite tha se kishte arritur të interceptojë edhe dy dronë me eksploziv që militantët e Hezbollahut përdorën për të sulmuar Izraelin më herët të premten.

Nuk është e qartë nëse sulmet me raketa dhe dronë nga Hezbollahu ishin pj

esë e përpjekjeve nga Irani për t’iu kundërpërgjigjur sulmit ajror izraelit ndaj kompleksit diplomatik iranian këtë muaj, kur u vranë tre komandantë të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit, përfshirë gjeneralin Ali Reza Zahdi, i cili drejtonte forcat elitë iraniane Quds.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi të mërkurën se Izraeli “duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet” për sulmin e 1 prillit, pak ditë pasi një nga këshilltarët e tij tha se ambasadat izraelite “nuk janë më të sigurta”.

Diplomatët amerikanë, përfshirë sekretarin e Shtetit Antony Blinken, kanë kontaktuar homologët në Turqi, Kinë dhe Arabinë Saudite, duke u kërkuar që t’ia bëjnë të qartë Teheranit se “përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Por, përpjekjet amerikane për uljen e tensioneve janë shoqëruar me shprehjen e mbështetjes së fortë për Izraelin, ndaj një agresioni të mundshëm nga Irani.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët izraelitë për t’u siguruar se mund të vetëmbrohemi”, u tha gazetarëve më herët të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke e përshkruar si shumë të besueshëm kërcënimin nga Irani për t’u kundërpërgjigjur.

“E marrim shumë seriozisht angazhimin tonë për ta ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur”, vuri në dukje zoti Kirby. “Është një angazhim i hekurt”.

Gjatë një telefonate të enjten me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ofroi gjithashtu mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin.

“Sekretari Austin e siguroi ministrin Gallant se Izraeli mundet të mbështetet plotësisht tek ndihma amerikane kundër sulmeve iraniane”, thuhet në një njoftim të Pentagonit.

Deklaratat amerikane dhe zhvendosja e njësive ushtarake për të dekurajuar një agresion nga Irani, nuk kanë arritur megjithatë t’u japin përgjigje shqetësimeve në rritje.

“Jemi shumë të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm në një situatë që duket se përshkallëzohet çdo ditë”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Mesazhi ynë, që është dërguar privatisht dhe publikisht, është që të shmanget përshkallëzimi dhe të punohet për një ulje të tensioneve”, u tha zoti Dujarric gazetarëve të premten./VOA/

SHKARKO APP