Historike/ Partitë shqiptare kushte maqedonasve për krijimin e qeverisë
Marrëveshja mes partive shqiptare në Maqedoni, u përshëndet nga autoritetet në Shqipëri të cilat luajtën një rol të dorës së parë në unifikimin e qëndrimit të faktorit shqiptar.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet deklaratën e përbashkët të Partive Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë dhe angazhimin e tyre për të ndërtuar një platformë të përbashkët politike në shërbim të prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë.
Kryetari i Kuvendit, Meta mirëpriti dakortësinë dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtave të plota kushtetuese e rolit shtet-formues të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Meta mendon se fryma e kësaj marrëveshjeje është një ogur i mirë që tregon për përgjegjshmërinë në rritje të faktorit politik shqiptar ndaj çështjeve me rëndësi kombëtare e rajonale dhe beson se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.
Kryetari i Kuvendit është i bindur se ky akt i rëndësishëm politik është një gur i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Kryetari Meta inkurajon Partitë Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë të respektojnë dhe të zbatojnë seriozisht këtë marrëveshje, të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe për të ardhmen e tij euroatlantike.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi një “hap historik, shprehjen e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni. Të drejtat e shqiptarëve nuk negociohen për karrige qeverie”, shkroi ai në një postim në Twitter.
Marrëveshja e sotme u dakortësua në Tiranë, gjatë konsultimeve që kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, pati me udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoni, më 30 dhjetor.
Në një deklaratë të saj ministria e Jashtme e Shqipërisë u shpreh se marrëveshja “përbën një moment pjekurie politike, e në të njëjtën kohë, një nevojë urgjente të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”. Deklarata e sotme, përfaqëson sipas diplomacisë shqiptare “një kornizë të përbashkët veprimi të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni”.
Qëndrimi i partive shqiptare u përshëndet dhe nga opozita. Për Partinë demokratike “ky është një lajm i mirë dhe inkurajues për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Bashkimi dhe bashkërendimi mbi bazën e parimeve dhe qendrimeve demokratike dhe integruese duhet të përbëjë një orientim strategjik në qasjen faktorit politik shqiptar kudo ndodhet”, thekson deklarata e PD-së.
Marrëveshja e partive shqiptare në Maqedoni
Partitë shqiptare në Maqedoni kanë kërkuar si kusht për të hyrë në koalicionin e ri qeveritar, barazinë e plotë të statusit të tyre me atë të shumicës maqedonase, si edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit.
Këto kërkesa janë parashtruar në një marrëveshje mes tyre që përfshin kushtet për pjesëmarrje në koalicion, që u bë publike të shtunën. Në qendër të marrëveshjes janë kërkesat për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
Në deklaratën e marrëveshjes së arritur ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim, Lëvizjes Besa (koalicioni “Rilindje me Besë”) dhe koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, shprehet përkushtimi për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me Kushtetutën e Maqedonisë.
Në deklaratë thuhet se partitë kanë rënë dakord për “zbatimin e plotë të parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956″, thuhet në deklaratën e miratuar nga drejtuesit e partive politike të Maqedonisë që pasoi marrëveshjen e arritur mes tyre pas takimeve me udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në dokument kërkohet mes tjerash edhe mbështetje e plotë për punën e Prokurorisë së Posaçme dhe “zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.
Deklarata përfshinë edhe kërkesat për barazi ekonomike si dhe formimin e një ministrie për sistem politike dhe marrëdhënie me komunitetet, si dhe realizimin e përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, shërbimeve të zbulimit dhe drejtësisë.
Deklarata i kushton një vëmendje të posaçme edhe zgjidhjes së çështjes së emrit, “në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”.
Partitë shqiptare thuhet mes tjerash, angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për siç thuhet, “prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; zgjidhjen e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënie të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve, hapjen e pikave të reja kufitare“, e të tjera.
Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare që do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.
Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmendura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, thuhet në deklaratë.