Holanda: Shqipërisë nuk i hapim negociatat, Maqedonisë së Veriut po
Holanda është e bindur se Bashkimi Evropian nuk duhet të fillojë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Pas mbledhjes së sotme të qeverisë së Holandës, ministri i Punëve të Jashtme, Stef Blok u shpreh për mediat se Shqipëria nuk është ende gati për të nisur bisedimet. “Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit”,-tha Blok pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Në muajin qershor parlamenti i Holandës votoi një mocion ku pozicionohej kundër bisedimeve të pranimit me Shqipërinë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Holandës tha se Maqedoninë Veriore rruga duket e qartë për të filluar bisedimet me BE për anëtarësimin.
“Maqedonia Veriore ka ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë, kështu që ne shohim përmirësime të mëdha “atje”, tha ministri Blok.
Ministrat e Jashtëm të BE-s do të diskutojnë çështjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda një jave e gjysmë. Më pas, nëse ministrat do bien dakord, çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë do të kalohet për vendimin final në tavolinën e krerëve të qeverive të Bashkimit Europian.