Humbi 7 anëtarët e familjes gjatë tërmetit të 2019, ndahet nga jeta Alfred Cara
Ka histori që nuk janë thjesht lajme. Janë plagë të hapura në kujtesën e një kombi. Një e tillë ishte edhe historia e Albert Carës, njeriut që mbeti i vetëm pas tragjedisë së madhe të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Thumanë.
Atë mëngjes të errët nëntori, kur toka u drodh me një forcë shkatërruese, bashkë me shumë familje të tjera u shemb edhe shtëpia e familjes Cara. Nga rrënojat e saj nuk dolën më shtatë jetë – shtatë anëtarë të familjes së tij. Vetëm Alberti mbeti gjallë.
I mbijetoi tërmetit, por jo dhimbjes.
Historia e tij tronditi mbarë Shqipërinë. Një njeri që brenda pak çastesh humbi gjithçka: familjen, shtëpinë, jetën që kishte ndërtuar. Në supet e tij mbeti një peshë që pak njerëz mund ta përballojnë – boshllëku i një familjeje të tërë.
Për vite me radhë ai jetoi me këtë plagë që nuk u mbyll kurrë. Dhimbja e atij mëngjesi të nëntorit nuk u shua. Ajo mbeti aty, në zemrën e tij, çdo ditë.
Sot, pas shtatë vitesh vuajtje të heshtura, Albert Cara është ndarë nga jeta si pasojë e një arresti kardiak.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë dhe të afërm në rrjetet sociale, duke ndarë fjalë prekëse për njeriun që mbajti mbi vete një nga dhimbjet më të mëdha që mund të përjetojë një qenie njerëzore.
“Sot u nda nga jeta Albert Cara… një zemër që mbajti brenda dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një njeri. Në tërmetin tragjik të 26 Nëntorit ai humbi gjithë familjen e tij. Një plagë që nuk u shërua kurrë. Sot, pas një ataku kardiak, Alberti u largua nga kjo botë për t’u bashkuar me engjëjt e tij në përjetësi.
Dhimbja e tij ishte e madhe, por dashuria për familjen e tij ishte edhe më e madhe. U prehsh në paqe Albert… tani je sërish pranë atyre që i deshe më shumë.”
Ai jetoi për vite me kujtimet e familjes së tij dhe me boshllëkun që ata lanë pas.
Sot, shumëkush mendon se zemra e tij u lodh nga pesha e dhimbjes.
Tani, ndoshta, ai ka gjetur paqen që jeta nuk ia dha kurrë – pranë familjes së tij që e priste prej kohësh.

KOHA JONË SONDAZH
A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?
Results
Vota totale: 11564

