Presidenti Meta takon Kryeministrin hungarez Orban: Mbështetje pa rezerva për çeljen e negociatave

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet prej dy ditësh në Hungari, ku po zhvillon takime të nivelit të lartë. Këto vizita po i zhvillon pak ditë para se Bashkimi Europian të vendos nëse do të ketë çelje të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Dje u prit nga Presidenti hungarez Szent György, ndërsa sot Presidenti Meta u takua me kryeministrin Viktor Orban, një mik i vjetër jo vetëm i Shqipërisë, por edhe mik personal.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë hungareze për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Kreu i Shtetit Shqiptar Ilir Meta nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Në takimin me Kryeministrin Orbán, Presidenti Meta shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orbán.

Kryeministri Orbán e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve. Orbán shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes.

Në foto: Kryeministri hungarez Viktor Orban duke pritur presidentin e Shqipërisë Ilir Meta

Prononcimi i Presidentit Meta dhe Kryeministrit hungarez Orban

Pas takimit që u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kreu i shtetit shqiptar dhe kryeministri hungarez Viktor Orban dhanë një prononcim për shtyp në duke iu përgjigjur interesit të mediave të pranishmeve.

Presidenti Meta: Jam shumë i lumtur për këtë takim që pata me kryeministrin Orban për të konfirmuar edhe një herë miqësinë e shkëlqyer dhe tepër të fortë midis dy vendeve dhe kombeve tona, por njëkohësisht edhe marrëdhëniet mjaft premtuese për të ardhmen mes Shqipërisë dhe Hungarisë në të gjitha drejtimet.

Po kështu për ta falënderuar kryeministrin Orban për mbështetjen e palëkundur që Hungaria i jep së ardhmes evropiane të Shqipërisë. Me shumë kënaqësi presim kryeministrin Orban të rikthehet në Shqipëri dhe duhet të vijë patjetër në këtë Vit të Skënderbeut.

Kryeministri Orban: Dëshiroj të shpreh lumturinë tonë për vizitën e Shkëlqesisë së Tij në Hungari, sepse është gëzim dhe respekt të presim Presidentin e Shqipërisë si vizitor në Budapest jo vetëm për arsye politike, por edhe personale, sepse e njohim njëri-tjetrin për më tepër se njëzet vite. Veteranët politikë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Edhe në politikën moderne marrëdhëniet personale kanë rëndësi. Natyrisht që besimi mbështetet në marrëdhëniet ndër-shtetërore, por ai është i rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndër-personale gjithashtu. Kështu që të dy përpiqemi t’u shërbejmë popujve tanë në mënyrë që të krijojmë marrëdhënie të mira shqiptaro-hungareze.

E sigurova Shkëlqesinë e Tij se Hungaria është një nga mbështetëset kryesore të integrimit perëndimor të Shqipërisë, sidomos të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hungaria dhe ne personalisht do të bëjmë çdo gjë për ta përshpejtuar atë proces, dhe t’ua bëjmë të qartë udhëheqësve evropianë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë. Nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por është bindja ime personale se është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, sepse Shqipëria si një vend i ri anëtar, mund t’i japë energji pozitive, ambicie dhe një shtysë të re Bashkimit Evropian, gjëra për cilat patjetër që kemi nevojë.

Prandaj shpresoj se ju do të keni një të ardhme të mirë dhe ne do të kemi gjëra të mira në të ardhmen për të bashkëpunuar mes Hungarisë dhe Shqipërisë, Presidentit i Shqipërisë, Hungarisë dhe udhëheqjes e shtetit.

Kështu që Shkëlqesia Juaj, faleminderit shumë që erdhët!

Presidenti Meta: Shumë faleminderit!

Në foto: Presidenti Meta, Bora Meta (vajza e Presidentit) dhe kryeministri hungarez Viktor Orban (Hungari)

Dje Presidenti Meta u prit nga Presidenti hungarez Szent Gyorgy:

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit dje nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, në Sheshin Szent György. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas bisedimet e zgjeruara zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e tradicionale midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjet që Hungaria dhe hungarezët e kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në momente kyçe të historisë.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta theksoi se shqiptarët gjjithmonë kur festojnë Ditën e Parëvarësisë shprehin mirënjohjen e tyre edhe për kombin hungarez, për mbështetjen e dhënë në fitoren e saj dhe ekzistencën e shtetit shqiptar.

Lidhjet u bënë edhe më të forta midis dy kombeve, kur 80-vjet më pare Princesha Geraldinë Appony u bë Mbretëresha e shqiptarëve – nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti Meta shprehu gjithashtut mirënjohjen për mbështetjen e qartë dhe konsistente të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta, kërkoi mbështetjen e Hungarisë për arritjen e konsensusit brenda Këshillit të BE-së dhe mbështetjen e rekomandimit të Komisionit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta, nënvizoi faktin se bashkëpunimi ekonomik e tregtar duhet t’i përgjigjet marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe potencialeve që dy vendet kanë, si në pasuri natyrore ashtu dhe në ato njerëzore.

Rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve ta festojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate shumë positive edhe në këtë drejtim – nënvizoi Presidenti Meta.

Të dy Presidentët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për menaxhimin e ujit dhe shprehën besimin se ky bashkëpunim do të shtrihet edhe më tej, duke përfituar nga eksperienca dhe teknologjia hungareze në këtë fushë.

Më tej ata u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat vëndet e këtij rajoni po përballen. Presidenti hungarez Áder e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e Hungarisë, si në drejtim të integrimit evropian, ashtu edhe për nxiten e mëtejshme të bashkëpunimit ekononmik midis dy vendeve.

Më pas të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi.

Në foto: Nga takimi mes dy presidentëve

SHKARKO APP