I fiton zgjedhjet PS-ja dhe Edi Rama pa Ilir Metën dhe LSI-në verën e ardhshme?

Nga Spiten Prulli

Pyetja që i bëjnë vetes prej muajsh kupola e PS-së: A i fitojmë vetëm, pa LSI-në, zgjedhjet e parakohshme apo të rradhës? Bëjnë sondazhe të fshehta, të hapura, të paguara e të papaguara, me vendas e të huaj. Testojnë, provokojnë, intrigojnë, pyesin, sondojnë përsëri, por e njëjta përgjigje nga të gjitha palët e interesuara dhe të paguara nga Edi Rama: NUK FITOHEN ZGJEDHJET PA LSI DHE METËN.

Atëhere sillen e  pështillen sa andej e këtej për të gjetur aleatë të rinjë që të bëjnë me vota numrin 71, pa LSI. Por prapë nuk iu del hesapi. Vetëm nëse e bëjnë me PD-në atëhere po, del mazhoranca. Por me PD-në humbin pikë dhe besueshmeri, ndonëse është vetë selia blu që nuk do bashkëqeverisje me PS-në. E ka akuzuar si parti e krimit, e mafias, e drogës, etj dhe nuk ka se si të bashkojë votat me selinë rozë.

LSI-ja ka krijuar tripolaritetin në politikën shqiptare. Është faktor. Është parti me elektorat, pavarësisht se si e etiketojnë një pjesë e analistëve të paguar në mënyra të fshehta nga PS-ja dhe kryeministri. Është parti e majtë, parti që në mënyrë parimore e pragmatiste bashkërisht si dhe me stoicizëm mbron elektoratin e saj dhe që interesohet për çdo anëtar të saj. Natyrisht që sloganet e PS-së janë se “kemi ardhur në pushtet për të bërë shtet”, porse një parti politike që i përdor anëtarët e saj për të ardhur në pushtet dhe më pas nuk iu hap telefonin edhe kur kanë halle apo probleme mbijetese, nuk mund të thuhet se është forcë politike, por një klan, një grup, një lob për interesa private që shfrytëzon anëtarësinë dhe më pas shtyp edhe anëtarët e saj.

Fakti që PS-ja po inskenon mënyra që të largojë nga fusha e së majtës LSI-në dhe ti marrë votat e saj, tregon jo sinqeritet dhe aspak partneritet politik, por një pabesi dashakeqe.

LSI, ndonëse ka nevojë shumë për të korigjuar në objektivat e saj, përsëri ka rritje të elektoratit të saj në pak vite, aqsa në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ajo arriti shifra të frikshme për të dyja partitë e traditës, PS dhe PD.

Tashmë LSI-ja është një faktor real. Ajo po shikon mënyrën e organizimit në fushatën e ardhshme elektorale dhe nuk do  jetë surprizë nëse votat e vitit 2013 dhe 2015 të shtohen me 20 përqind.

LSI dhe PS janë parti të spektrit të majtë dhe “hanë” në të njëjtin “livadh” politik. Nëse PS-ja synon që të kapërcejë “gardhin” apo të godasë në pabesi për të pushtuar shtigjet e zëna nga LSI, ka mundësi që Rama ti humb të gjitha; edhe pushtetin, edhe elektoratin.

Më mirë është bashkëpunimi mes tyre se sa lufta. Nëse ka luftë mbetet që “Vaterloja” politike të mbetet gjatë në kujtesën e selisë rozë.

PD-ja mezi e pret duelin Rama-Meta, nëse këta të dy nuk ndjekin logjikën, por provën e muskujve.

SHKARKO APP