I shpëtoi rrëzimit të avionit në Indi, 40-vjeçari: Pati një zhurmë të madhe

40-vjeçari indiano-britanik, Vishwash Kumar Ramesh, është i mbijetuar nga tragjedia e avionit. Ai ka folur për mediat pasi mundi t’i shpëtojë mrekullisht tragjedisë. ”Pati një zhurmë të madhe 30 sekonda pasi u nis avioni dhe më pas u përplas. Ndodhi shumë shpejt”, tha ai. I riu ka marrë dëmtime në gjoks, kokë dhe këmbë.
40-vjeçari kishte shkuar në Indi për disa ditë për të vizituar familjarët. Ai po kthehej në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me të vëllain, një 45-vjeçar me emrin Ajay Kumar Ramesh. ”Kur hapa sytë, kishte kufoma rreth meje. Isha i frikësuar. U ngrita dhe ika me vrap. Kishte mbetje të avionit përreth meje. Dikush më mbajti dhe më futi në një ambulancë ku më çuan më pas në spital”, tha ai.
Brenda avionit të Air India udhëtonin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez. Autoritetet lokale thonë se numri i viktimave mund të jetë më i madh se numri i personave në bord që ishte 242. Kjo për arsye se avioni ra në një zonë të banuar.