Shpëtim Idrizi, presion Kryeministrit: Na takon një ministri në qeveri
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkon nga Kryeministri Edi Rama që të përfaqësohet me një ministër në kabinetin qeveritar.
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi i ka kujtuar Kryeministrit se duhet të pasqyrojë në qeveri gjithë faktorët me peshë të koalicionit. Ai tha se posti ministror ka qenë pjesë e marrëveshjes me Edi Ramën. Deklarata e Idirit u bë në “Vizion Plus”, gjatë një interviste dhënë për emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskajt. Idrizi ka theksuar se posti i ministrit i takon kësaj partie, e cila është forcë e katërt parlamentare.
Nga ana tjetër, kreu i PDIU ka pranuar indirekt se plani për një pol të tretë është diskutuar seriozisht brenda politikës shqiptare. Ai tha se në vitin 2013 ka pasur një diskutim mes tij dhe kreut të LSI-së, për krijimin e një poli të tretë politikë.
Kryetari i PDIU u shpreh se gjithsesi, partia e tij nuk do të presë ccfarë do të japë Rama, por do të vijojë rolin e saj në Kuvend. Idrizi vuri në dukje se në performancën e qeverisë ka një diferencë të madhe, mes asaj që është premtuar dhe asaj që është sot realitet. Kreu i partisë së camëve, konfirmoi se tentoi para zgjedhjeve të 2013-ës, të krijojë një pol të tretë me Metën, për tu “ruajtur” nga ndonjë marrëveshje PS-PD.
Lidhur me reformën në drejtësu, Idrizi tha se edhe partia që ai drejton ka paraqitur disa propozime, të cilat u janë bashkangjitur sugjerimeve të maxhorancës. Duke shpjeguar këto sugjerime, Idrizi tha se njëri prej tyre ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. Nëse zgjedhja e kreut të shtetit dështon të arrihet në 2 raundet e para me konsensus, atëherë ai të zgjidhet nga populli. Një tjetër sugjerim i PDIU, lidhet me emigrantët, të cilët sipas Idrizit, duhet të kenë zonat e veta zgjedhore, pra edhe deputetë të vetët në parlamentin shqiptar.