Ikën Meta me një fjalim emocionues, zgjidhet Petrit Vasili kryetar i LSI
Mblidhet Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Petrit Vasili zgjidhet, Kryetari i ri i LSI-së. Ilir Meta mban një fjalë përshëndetëse
Konventa Kombëtare e LSI-së u mblodh sot për të votuar propozimet e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së pas dorëheqjes së Ilir Meta nga posti i Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së, që u mblodh më 30 prill, vendosi vendosur për t’i paraqitur për shqyrtim dhe për votim Konventës Kombëtare të LSI-së dy propozime:
Zgjedhjen e Petrit Vasili Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe zgjedhjen e znj. Monika Kryemadhi në postin e Zëvendëskryetares së LSI-së.
Në këtë Konventë ishin të pranishëm drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kandidatët për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 18 qershorit, delegatë nga të gjitha degët e LSI-së në të gjithë Shqipërisë.
Me votim unanim delegatët zgjodhën Petrit Vasili Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu me votim unanim u zgjodh edhe Monika Kryemadhi zëvendëskryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vasili është Kryetari i dytë i Lëvizjes Socialiste për Integrim që nga themelimi i saj në 4 tetor të vitit 2004. I zgjedhur për të drejtuar LSI-së për 14 vite ka qenë Ilir Meta, i cili u zgjodh në 28 prill President i Republikës së Shqipërisë. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë Konventës, Ilir Meta u shpreh se zgjedhja e tij në postin e Presidentit të Republikës është një investim, jo vetëm i forumeve drejtuese të LSI, por një investim që çdo votues i LSI bën për stabilitetin e Shqipërisë.
“Ju falënderoj shumë që e mirëkuptuat edhe pse me pak vështirësi zgjedhjen time si President duke e mirëkuptuar si një investim që jo vetëm unë, jo vetëm forumet e LSI, por si një investim që çdo anëtar e votues i LSI bën për stabilitetin e LSI-së. LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës, por edhe si një sfidë ndaj një regjimi dypartiak prej 15 vitesh në Shqipëri”, – tha z. Meta, teksa theksoi se LSI lindi si një sfidë e madhe dhe një parti e madhe që në datën e krijimit të saj. “Lindi e tillë sepse kishte kauza të mëdha. Lindi si një forcë për demokraci, stabilitet. Lindi si një forcë për integrimin më të shpejtë të Shqipërisë. LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës së qeverisë së kohës, por lindi edhe si një sfidë jo thjesht të Ilir Metës, por edhe si nevojë e daljes nga regjimi dy partiak”, – theksoi ndër të tjera z. Ilir Meta.
Fjala e ish-Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta në Konventën Kombëtare të LSI-së
Dua pak qetësi jo thjeshtë për të ulur entuziazmin tuaj, apo për të dekurajuar shprehjen e mirënjohjes tuaj plot entuziazëm, por e dua vetëm për një arsye: që përmes qetësisë tuaj të kem mundësinë të komunikoj edhe me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së kudo në të gjithë Shqipërinë ku po na ndjekin.
Ju falënderoj shumë të gjithëve! Këtu në këtë konventë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë!
Anëtarëve të LSI-së, simpatizantëve dhe votuesve të kësaj force të madhe politike, fuqi e pandalshme e progresit, e stabilitetit, e paqes sociale dhe integrimit evropian në Shqipërisë.
Ju falënderoj shumë që e mirëkuptuat, edhe pse me pak vështirësi, zgjedhjen time si President i Republikës, duke kuptuar dhe mirëkuptuar atë si një investim, që jo vetëm unë, jo vetëm forumet drejtuese të LSI-së, por mbi të gjitha si një investim që çdo anëtar, çdo simpatizant dhe çdo votues i LSI-së bën stabilitetin e Shqipërisë.
LSI lindi në 6 shtator të vitit 2004, si një sfidë e madhe dhe si një parti e madhe që në ditën e parë të krijimit të saj. Lindi e tillë sepse kishte kauza të mëdha. Lindi si një forcë për demokraci, si një forcë për stabiliteti, si një forcë për integrimin më të shpejtë evropian të Shqipërisë.
LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës. LSI lindi edhe si një sfidë, jo thjeshtë e Ilir Metës dhe e nismëtarëve të saj, të gjithë shqiptarëve ndaj një regjimi dypartiak për 15 vite në Shqipëri.
LSI, pavarësisht nga përpjekjet konsensuale për ta demonizuar atë, ka qenë forca më e madhe e vlerave morale për demokracinë dhe për zgjedhjet e lira në Shqipëri.
Nuk besoj se themeluesit, por edhe të gjithë anëtarët dhe votuesit e parë të LSI-së e kanë harruar se si vetëm në pak muaj, duke pasur të gjithë makinerinë e pushtetit kundër saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte vetmja që nuk e shkeli Kodin Zgjedhor, që nuk u bë pjesë e “super-Dushkut” dhe mori të paktën 120 mijë vota, të ndershme dhe me sakrifica të qytetarëve shqiptar që kërkonin ndryshim.
“Super-Dushku” konsensual për të gjithë ata që janë kurioz, mjaftojnë të bëjnë një kërkim dhe të shohin rezultatet e partive në mazhoritar dhe në proporcional, se çfarë ndodhi me votat e shqiptarëve në vitin 2005 vetëm për të zhvlerësuar mandatet e drejtat dhe legjitime që shqiptarët i dhanë LSI-së si forcë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë.
Por LSI nuk u dorëzua. Përkundrazi! Ajo vazhdoi të tregoi rritje aq sa në një natë të errët në prill të vitit 2008 u ndryshua në mënyrë konsensuale Kushtetuta e Shqipërisë vetëm për të eliminuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Një akt i paprecedent dhe sot e kësaj dite, Shqipëria vuan pasojat e atyre ndryshimeve kushtetuese dhe të atij Kodi të mallkuar, ku qëndron një pjesë e mirë e burimit të konfliktit dhe frikës së politikës së papërgjegjshme nga vota e lirë dhe e ndershme e Shqiptarëve.
Unë kurrë nuk do të harroj ato dy javë të grevës së urisë në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me kolegët e mi deputetë të asaj kohe, jo vetëm të LSI-së, por edhe të disa partive të tjera parlamentare, dhe mbi të gjitha nuk do të harroj përkrahjen e atyre mijëra anëtarëve, simpatizantë të LSI-së çdo ditë përpara Kuvendit.
Pavarësisht nga padrejtësisë, nga klima e presionit, e shantazhit, ndaj votuesve shqiptar dhe atyre të LSI-së në veçanti, ne arritëm të mbijetonin në vitin 2009 në ato zgjedhje, që treguan edhe një herë problemet me të cilat ndeshet demokracia në Shqipëri. Jo vetëm mbijetuam, por me largpamësi u bëmë faktor stabiliteti dhe përshpejtimit evropian të Shqipërisë.
E di se jo pak prej jush nuk u pajtuat me atë vendim të vështirë të koalicionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, por ajo ishte e vetmja zgjidhje për t’i shërbyer stabilitetit dhe jo kaosit, integrimit dhe jo degradimit të reformave në vend.
Dhe të gjithë le ta dinë, se LSI-ja ka një rol kyç në liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptar dhe ishte koha e duhur për të fituar këtë mundësi për qytetarët shqiptar.
Ashtu sikurse ju të gjithë e mbani mend vendimin tonë të drejtë pas përfundimit të marrëveshjes me PD për të kaluar në opozitë, duke i bërë një shërbim të madh demokracisë në vend duke garantuar një rotacion paqësor dhe demokratik të pushtetit.
Por ju ndoshta kemi harruar një fakt të rëndësishëm. Që i vetmi kusht që Ilir Meta dhe LSI i vendosën PS për t’u shkëputur nga PD që ishte në pushtet dhe për të kaluar në opozitë, ishte votimi i tre ligjeve të cilat kishin të bënin me integrimin evropian dhe me marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë më vonë.
Ashtu sikurse të gjithë duhet të kujtojnë se koalicioni me Partinë Demokratike nuk ka qenë i lehtë, por ne jemi krenarë që i kemi qëndruar marrëveshjes, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët e dinë se kur ka qenë në pikëpyetje marrëdhënia e Shqipërisë me NATO-n, LSI ka vendosur kushtet e saj për të respektuar marrëveshjet dhe kursin euroatlantik të Shqipërisë.
LSI do të vazhdojë të jetë forcë e integrimit evropian dhe unë jam i lumtur që kam firmosur listën e Tiranës, që drejtohet nga Klajda Gjosha, Ministrja e Integrimit Evropian. Sepse jam i bindur që këto vajza të reja, këta djem të rinj të cilët kanë studiuar në Evropë, të cilët janë kthyer në vendin tonë për t’i shërbyer atij, janë garancia më e mirë për ta udhëhequr Shqipërinë drejt integrimit evropian, duke dëshmuar jo vetëm përgjegjshmëri, profesionalizëm, por edhe një kulturë të bërit politikë si evropianë të vërtetë.
Po të flisja për sfidat, për sakrificat, për vuajtjet, për pabesitë dhe padrejtësitë e pafundme, me të cilat është ndeshur LSI do të duheshin jo ditë e javë, por ndoshta vite të tëra.
Por unë sot nuk dua t’u kthehem atyre, por jam i lumtur që ne këto sakrifica, këto vuajtje, këto padrejtësi, këto pabesi, nuk i kthyem në hakmarrje, por i kthyem në vlera të jashtëzakonshme të tolerancës, të bashkëpunimit, të mirëkuptimi për të mirën e Shqipërisë.
Ndaj edhe shprehja “Me qetësi edhe dashuri” nuk më doli nga goja, por më doli nga shpirti.
Dhe do t’ju lutesha dhe juve që çdo vendimmarrje të rëndësishme ta bëni me qetësi, sepse për fat të keq deri tani të tjerët japin shembullin se si bëhen me gjaknxehtësi dhe kokëfortësi, po ta bëni me dashuri për vendin.
LSI duhet të jetë forca që mban fjalën edhe në të ardhmen.
Kjo është shumë e rëndësishme për të dekurajuar zhgënjimin e qytetarëve tanë, sidomos të rinjtë, ndaj politikës për t’i dhënë krahë besimit të qytetarëve tanë dhe të rinjve e të rejave të Shqipërisë te politika.
Unë si President i ardhshëm i Republikës do të bëj gjithçka që të jap sa më shumë fuqi dhe sa më shumë pushtet dialogut, stabilitetit dhe demokracisë në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Sot kërkoj nga ju dhe nga gjithë Lëvizja Socialiste për Integrim që do të bëj çdo gjë për t’i dhënë sa më shumë humanizëm, sa më shumë vlera morale dhe njerëzore politikës, pushtetit dhe qeverisjes.
Edhe unë, edhe LSI-ja janë përpara dy sfidave të rëndësishme. Unë jam përpara një sfide të rëndësishme për të treguar se pavarësisht bindjeve të mia, të cilat që nga fundi i vitit 1991 e deri tani nuk kanë ndryshuar, kanë qenë, janë dhe do të jenë eurosocialiste. Pas 24 korrikut, do dëshmoj përpara të gjithë shqiptarëve se nuk ndikohem as nga bindjet e mia politike dhe as nga fakti që kam qenë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ju keni një sfidë më të lehtë se mua në raport me opinionin publik që të tregoni se edhe pa Ilir Metën kryetar, ju jeni në rrugën e rritjes së pandalshme dhe shndërrimit të LSI-së në një forcë madhore të transformimit të politikës në Shqipëri dhe për triumfin e arsyes dhe paqes sociale.
Dua të shpreh disa falënderime.
Falënderimi i parë u shkon të gjithë nismëtarëve të themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim pa asnjë përjashtim, që më 6 shtator nuk krijuan një parti të re, por hapën një faqe të re në politikën dhe demokracinë e Shqipërisë.
Brenda kësaj mirënjohje të madhe kam edhe disa mirënjohje të veçanta.
Një mirënjohje të përhershme në veçanti për Afërdita Tutulani, motrën e heronjve të popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulanit dhe për të gjithë veteranët, të cilët firmosën dhe mbështetën LSI-në që në 6 shtator të vitit 2004 patën besim te perspektiva e kësaj force politike.
Një mirënjohje të veçantë e kam për profesor Pëllumb Xhufin, për profesor Sabit Brokajn dhe për të gjithë ata nismëtarë, të cilët në kohë të mëvonshme nuk u pajtuan me vendimet politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jam i bindur se ata gjithmonë do të kenë një vend të nderuar në historinë e kësaj force politike.
Një mirënjohje të veçantë për Erisa Xhixhon, Ardit Çelën, Endrit Braimllarin, ata që krijuan organizatën rinore më të paparë në botë, Lëvizjen Rinore për Integrim.
Mirënjohje për ata që në 6 shtator të vitit 2004 ishin vetëm 5 vjeç dhe sot na nderojnë duke qenë në listat tona si kandidat për deputetë: Fiona Dani, Kristi Xharau, Kevin Topi.
Edhe po nuk më ftoi Fiona në ditëlindjen e saj të 20-të, në 15 nëntorin që vjen, unë do të shkoj atje, por kam frikë se do të takoj kaq shumë deputetë të rinj dhe deputete të reja.
Një falënderim i jashtëzakonshëm, për Luan Ramën, kryetarin e grupit tonë parlamentar, për të gjithë deputetët tanë ndër vite, për të gjitha forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse LSI-ja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë një njeri. Është një institucion demokratik në të gjithë Shqipërinë.
Tani kam dy falënderime shumë të veçanta për dy gjëra shumë të shtrenjta, pa të cilat unë kurrë nuk do të isha ky që jam: falënderimi i parë për popullin e Skraparit.
Pa besnikërinë e jashtëzakonshme të atyre njerëzve, unë sot do të isha një kujtim për të gjithë ata që më duan në politikën shqiptare. Të gjithë kolegët e mi, drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e mbajnë mend debatin e madh që kemi bërë kur dorëzuam listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2005-s, për mazhoritar dhe për proporcional.
Unë nuk pranova që emri im të vendosej në listën proporcionale të LSI-së, pavarësisht nga kundërshtimi i të gjithë shokëve dhe bashkëpunëtorëve. Thashë: në listën e LSI-së do të vendosim profesorët e nderuar.
Ilir Meta do të kandidojë në Skrapar, në mazhoritar, e në rast se unë nuk fitoj do të thotë që unë nuk e meritoj më të jem në politikë. Dhe populli i Skraparit refuzoi presionin e jashtëzakonshëm të pushtetit dhe të qeverisë së asaj kohe për të nxjerrë Ilir Metën nga politika.
Por unë nuk e dua Skraparin thjesht dhe për kaq. Po jua them këtë gjë dhe mbajeni mend mirë: e dua sepse besnikëria e pakufishme e tyre ndaj meje më ka kalitur mua besnikërinë e pakufishme ndaj shokëve, ndaj miqve dhe mbi të gjitha ndaj Shqipërisë.
Një falënderim i veçantë natyrisht që i takon Monës. Edhe pse vajza jonë më e madhe është sot më e madhe se ç’ishte Mona kur e takova unë për herë të parë, në nëntor të vitit 1991 në zyrën e Musa Ulqinit te selia e Partisë Socialiste, dua t’ju siguroj që Mona ka ngelur ajo që unë kam takuar atë ditë.
Edhe falënderoj, se këtu unë nuk shoh vetëm “një Monë”, unë shoh shumë “Mona”. E falënderoj për kujdesin e jashtëzakonshëm, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ajo u ka dhënë vajzave tona të reja, u ka dhënë grave për të marrë pjesë në politikë, duke i mbrojtur, duke i frymëzuar dhe duke qenë gjithmonë në krah të tyre.
Dhe tani më duhet t’ju them se duhet të falënderoj bashkëkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në 15 vjet, Petrit Vasilin. Titi, siç e thërrasim ne të gjithë atë, është një njeri i jashtëzakonshëm dhe ju e njihni. Për mua nuk ka qenë zëvendëskryetar, por ka qenë bashkëkryetar, sepse në 15 vjet jeta ime dhe jeta e Titit ka qenë vetëm LSI-ja.
Jam i bindur që ai do të jetë një kryetar i shkëlqyer i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të dijë t’i mbajë gjithmonë të gjithë të bashkuar dhe të motivuar, ashtu sikurse dua t’ju them që ky njeri më ka bërë përshtypje që kur e kam takuar për herë të parë në fund të vitit 1991.
Më bënte përshtypje, sepse atëherë të kritikoje Partinë Demokratike, apo të kritikoje Doktorin e sotëm, që unë vazhdoj ta kem pikë të dobët, ishte herezi, sepse mund të konfliktoheshe me këdo në rrugë, sepse i tillë ishte fillimi i demokracisë në Shqipëri.
Mua më bënte përshtypje se si një i ri, një intelektual i shkolluar në Perëndim, nuk rendte drejt Partisë Demokratike ashtu siç rendnin shumë të tjerë drejt pushtetit, por ishte aq kritik dhe mosbesues dhe i shpaloste gjithnjë hapur mendimet dhe kritikat e tij. E dua Petritin, sepse Petriti nuk është nga ata që rendin pas pushtetit, por është nga ata që luftojnë dhe sakrifikojnë për bindjet. Ndaj besoj se me Petrit Vasilin, Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë atë rezultat që unë e kam ëndërruar prej kohësh dhe që secili prej jush e ëndërron.
Unë kam besuar dhe sot besoj akoma më shumë tek fëmijët e familjeve të thjeshta shqiptare, që duan një shans për të shpalosur aftësitë e tyre, talentin e tyre, për të ndryshuar veten e tyre, familjet e tyre, shoqërinë tonë në atdheun tonë për ta bërë atë më frymëzues për të gjithë.
Unë besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim do të dinë t’u japin shansin të gjithë fëmijëve të familjeve të thjeshta shqiptare, që e duan atdheun, por duan edhe mundësinë për të patur besim që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë këtu: në vendin më të bukur në botë.
Ndaj, kam kënaqësinë t’i uroj LRI-së sa më shumë deputetë në Kuvendin e ardhshëm për të luftuar për të rinjtë shqiptarë, për një arsim më cilësor, për vende pune më të mirëpaguara siç luftoi Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka gjatë këtyre katër vjetëve.
Suksese në këtë Konventë! Jam i bindur se ju do ta mbështesni kryetarin tuaj të ardhshëm Petrit Vasilin dy herë më shumë: një herë për LSI-në, një herë për Ilir Metën.
Fjala e Kryetarit të zgjedhur të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në Konventën Kombëtare të LSI-së
Të nderuar përfaqësues të Konventës, i nderuar z. Meta, të nderuar anëtarë, të deleguar!
Sot sigurisht nuk ua fsheh, dhe ju flas me zemër në dorë, siç kam folur gjithmonë, jam vërtetë i emocionuar që pas kaq vitesh jam përsëri në këtë foltore dhe për të gjithë ata që nuk e kujtojnë kam pasur edhe nderin e madh që LSI-ja ma ka dhënë, të jem në këtë foltore e të deklaroj themelimin e LSI-së në 6 shtator 2004 dhe të lexoj edhe listën e të gjithë themeluesve.
Sot, po në këtë sallë, është e gjithë historia jonë, e gjatë dhe e shkurtër, është historia jonë e fitoreve të mëdha, por edhe e ditëve në të cilat ne kemi përballuar dhimbjet e padrejtësisë.
Njëkohësisht është historia e përkushtimit, por edhe e dedikimit ndaj qytetarëve, një mision të cilit ne nuk i kemi munguar as në ditët tona më të vështira. Pra, dedikimit ndaj qytetarëve s’i kemi munguar kurrë e s’do t’i mungojmë kurrë. Sot jemi këtu veteranë të LSI-së, por edhe mijëra e mijëra të rinj, që janë anembanë në këtë sallë, por me shumë mirënjohje, ata që ndodhen jashtë kësaj salle unë i përshëndes dhe i përqafoj të gjithë, pasi është shumë e qartë: nuk ka sallë që na mban, duhen vetëm fusha të gjera të hapura.
Jemi të tillë pasi kemi një Shqipëri, tek e cila besojmë se është Shqipëria me rininë, pasi Shqipëria pa rininë është një Shqipëri e vdekur, dhe prandaj kemi një LSI që vetëm rritet, një LSI që vetëm zhvillohet, një LSI që nuk njeh limite, një LSI që ka të drejtë të thotë se do të jemi forcë e parë!
Konventa Kombëtare mbahet në një moment delikat, në një moment të qartë krize politike, por njëkohësisht është edhe një moment që e bën të qartë për çdo shqiptar se cila është forcë e përgjegjshme politike dhe cila jo, cila vë interesat e vendit mbi ato vetjaket dhe cila jo, cila është e gatshme të sakrifikojë për vendin dhe cila jo. LSI dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka për të evituar këtë krizë dhe krizat e tjera në të cilat ndodhet vendi.
Ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi dhënë kontribute të jashtëzakonshme për të zgjidhur edhe kriza të mëparshme, që kanë qenë të komplikuara dhe me pasoja tepër të rënda për të sotmen, por edhe për të ardhmen e vendit.
LSI ka bërë në këtë drejtim një investim madhor, të sinqertë, të drejtpërdrejtë, pasi ka krijuar me shumë qetësi dhe stabilitet për vendin, dy elemente pa të cilat vendi do të rrokullisej në qorrsokake shumë të rrezikshme.
Në të mirë të stabilitetit të vendit, LSI bëri edhe një tjetër investim të dimensioneve të jashtëzakonshme për të, duke vënë në funksion të zgjidhjes politike zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit duke investuar në këtë drejtim atë investim politik çerekshekullor, që Ilir Meta kishte bërë në politikën shqiptare, në radhë të parë për ta mësuar këtë politikë që të dialogojë dhe të shikojë gjithmonë interesin e vendit mbi atë personal.
Ndaj sot, po ju them me plot gojën se asnjë strategjist dhe asnjë nga ne këtu nuk e përcaktoi këtë pozicion moral që LSI ka sot kundra konfliktit, gjithmonë pro konsensusit, por ishin rrethanat historike që na paracaktuan që të jemi gjithmonë në këtë linjë dhe në këtë rol dhe për të shkuar akoma më tej. Ilir Meta nuk ishte ai që zgjodhi Presidentin, por ishte presidenca si institucion që zgjodhi atë në këto momente deçizive për vendin, sepse dialogu në këtë vend nuk duhet të ndalojë kurrë. Sepse pa dialog, Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë. Për ne të gjithë është e qartë si drita e diellit se me Ilir Metën president dhe me LSI-në forcë e parë, Shqipëria është më e qetë, është më e begatë, është më e mirë dhe integrimi evropian ecën përpara.
Gjithashtu, për këdo që na ndjek, në shtëpi, jashtë shtëpie, pranë televizorit dhe kudo, në funksion të po kësaj zgjidhje politike, LSI vuri në dispozicion gjithçka që ajo kishte investuar në politikë, vuri në dispozicion që nga mandati i Kryetarit të Parlamentit, mandatet e përfaqësimit të të gjithë ministrave të saj dhe të gjithë funksionet e tjera të përfaqësimit politik vetëm e vetëm sepse kemi një Shqipëri që është shumë më e rëndësishme se sa fati politik i secilit prej nesh.
Ne kemi përpara një sfidë që i kalon të gjitha sfidat, kemi sfidën e cila është themeli, burimi, nëna që mëkon demokracinë: kemi zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje të lira të tilla: të ndershme dhe me standarde, mund të prodhojnë pushtete legjitime, institucione të forta që janë njëkohësisht edhe të besueshme për qytetarët dhe këtë presin në mënyrë të padiskutueshme të gjithë qytetarët nga ne.
Në funksion të kësaj dhe pa asnjë paragjykim politik, vetëm dhe vetëm për t’i hapur dhe për t’i dhënë dimension zgjidhjes së krizës dhe për mos ta mbyllur dhe në një ngërç të pazgjidhshëm, ne propozuam dhe jemi të gatshëm të pranojmë edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë çast dhe pas një ore çdo sugjerim, rekomandim, element, formë të zgjidhjes së krizës që edhe Partitë Popullore Evropiane, që janë parti të djathta, por që kanë besimin tonë të plotë, mund të ofrojnë për të zgjidhur këtë krizë në Shqipëri. Por duhet mendjehapje, duhen interesat e vendit të jenë përpara që kriza të zgjidhet.
Por cila është detyra kryesore që kemi përpara?
Detyra kryesore është të krijojmë një Shqipëri në paqe, që krijon shanse për të gjithë, që krijon mundësia të vërteta reale për një mirëqenie të prekshme për çdo qytetar pasi çdo veprim politik, i cili nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, është një vendim vetëm për të ricikluar krizën e radhës apo interesin politik të radhës.
Ne e kemi detyrë të rëndësishme e të fortë që gjithë këtë frymë të shkëlqyer pozitiviteti të dukshëm që e ndien çdo shqiptar nën dritën e flamurit të LSI-së ta çojmë fort përpara.
Nën idealin e LSI-së ndërtohet ajo Shqipëri që duam, Shqipëri pa konflikte që punon vetëm dhe vetëm për mirëqenien e gjithsecilit dhe asnjëherë për armiqësimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin, pasi në këtë sallë por edhe mijëra e mijëra shqiptar jashtë kësaj salle e dinë që filozofia kryesore që rrënjosi Ilir Meta në themelin e LSI-së dhe në politikën shqiptare në përgjithësi është që të mos armiqësohemi kurrë me njëri tjetrin. Kjo besoj është një filozofi që të gjithë duhet ta bëjnë të vetëm pasi Shqipërinë e kanë gërryer, e kanë shqyer armiqësitë e të gjitha formave. Intrigat e të gjitha formave, poshtërsitë e të gjitha formave, pabesitë e të gjitha formave.
Prandaj ne nuk keni kohë të humbasim shanset tona. Ne jemi të palodhur, ne jemi të palodhshëm, sepse një i ri kërkon një shans për një shkollë më cilësore, një e re kërkon një shans për një punë të mirëpaguar.
Një prind kërkon një shans për një familje të shëndetshme me punë të sigurta e me të ardhura më të bollshme.
Një nënë kërkon një Shqipëri që nuk ia largon fëmijën po ja mban pranë vatrës së saj.
Një i moshuar kërkon një shans që pensioni i saj të jetë i mjaftueshëm, të jetë dinjitoz në fund të fundit.
Një profesionist i lirë kërkon shansin që të dëgjohet.
Një zanatçi kërkon të angazhohet në kohën e tij të lirë e të dëgjohet.
Një profesor kërkon të flas, të shkëmbej pikëpamje.
Një i ri kërkon të drejtoj një organizatë partie, pse jo në një fshat të largët.
Të gjithë e meritojnë një shans. Ne duam ta përmbushin misionin tonë duke i dhënë të gjithëve shansin që meritojnë.
LSI duhet të ketë shansin që ajo të mirëqeveris vendin.
Ne sot kemi një objektiv politik të qartë dhe ai është vetëm një “LSI FORCË E PARË POLITIKE”.
Arsyeja e këtij objektivi është shumë e qartë dhe e thjeshtë për këdo, LSI ka punuar me bindje për të ardhmen e shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve nuk mund të fillojë nga asnjë pikë tjetër përveç se nga rinia e saj. Rinia e shqiptarëve sot ka një flamur të sajin, ka një objekt krenarie, ka një model më të shëndetshëm e politikës shqiptare, ka një shembull edhe për politikën e vjetër dhe me shumë intriga të lodhshme dhe improduktive. Dhe ky model është Lëvizja Rinore për Integrim.
Ne kemi skuadra elektorale tashmë të njohura në ço qark të Shqipërisë por këto skuadra që ne kemi paraqitur nuk janë skuadra e vetëm atyre, janë skuadra e njerëzve të barabartë midis të barabartëve. Ne e kemi të gjithë së bashku detyrën që pa u lodhur të gjithë së bashku, militantë, simpatizant, mbështetës tanët, njerëz të qetë që i arsyetojnë duke parë LSI-në duke mbajtur fjalën e saj që ta realizoj këtë objektiv pa u lodhur derë më derë vetëm dhe vetëm me një rrugë e cila është shumë e qartë, është një rrugë e qartë dhe rruga jonë, rruga e dialogut tonë me çdo qytetar.
Pra ne do të fitojmë me tre armë: Modestinë, këmbënguljen, thjeshtësinë.
Në asnjë rast, asnjë i ri i LSI-së apo përfaqësues i saj, qoftë ky kandidat në listën për deputet, militant, drejtues, simpatizant apo kushdo që të jetë, nuk do të ketë mundësi kurrë të na përfaqësojë emrin e LSI-së në rast se ai flet dhe sillet me arrogancë.
Arroganca nuk është dimensioni ynë dhe nuk do të jetë kurrë dimensioni ynë. Ua them me bindje të plotë se duke votuar me LSI-në, Shqipëria do të ndahet nga mospërfillja, nga arroganca, nga veshi i shurdhër dhe ftohtësia e akullt për qytetarin. Pasi janë këto që i kanë zemëruar, i kanë nervozuar, i kanë demotivuar i kanë bërë pesimist qytetarët shqiptar.
Të ecim në rrugën e të rinjve të cilët e kanë këtë modesti shembullore e të shëndetshme. Të gjithë njerëzit e LSI-së duhet të ecin në këtë rrugë, pavarësisht nga mosha e tyre. duhet të shkojmë atje tek qytetari me përulësinë për t’i thënë ç’kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë për të, të bindur që modestia është ajo që jo vetëm do të na e jap fitoren, por do të na e bëj edhe të bukur këtë fitore.
Ka nga ata që jetojnë nën moton që unë kam gjithçka dhe s’ka rëndësi për të tjerët. Po këta as nuk kanë për të qenë pjesa jonë dhe as nuk do të jenë motivi ynë dhe as nuk do të jenë rruga jonë. Rruga jonë e vetme është: Brenga jote është e imja, problemi jot është i imi, hajde ta ndajmë së bashku.
Kjo është motoja jonë, kjo është LSI-ja.
Ne jemi dhe mbetemi LSI, LRI, LGI, jemi dhe do të mbetemi veshi, syri i vëmendshëm për çdo brengë dhe çdo hall qytetari, pasi ua përsëris edhe një herë dhe këtë ta kemi një bindje të madhe në kokë të gjithë ne që jemi dhe gjithë ata që na dëgjojnë, me Ilir Metën President, me LSI forcë e parë, Shqipëria është ajo që ne duam, ajo që dashurojmë, ajo që shkon në Evropë. Ne do ta prijmë këtë proces zgjedhor. Do të themi me bindje të plotë që jemi më të mirë për t’i dhënë Shqipërisë atë frymëzim që ajo meriton. Për t’i dhënë asaj shpresën që ja ngroh zemrën.
Të rrojë Shqipëria, atdheu ynë shumë i shtrenjtë dhe mbi të gjitha të rrojë LSI, LRI, LGI të gjithë së bashku dhe përpara për fitoren dhe për të qenë forcë e parë.
Fjala në Konventën Kombëtare e Zëvendëskryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi
Delegatë dhe delegate të Lëvizjes Socialiste për Integrim!
Dua t’ju them që në 12 vjet e gjysmë jetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për mua kjo është hera e parë që flas në një Konventë Kombëtare. M’u desh në fillim të përballem me neglizhencën dhe më pas për t’u rikthyer në jetën time të përditshme, për të luftuar dhe për të qëndruar si çdo vajzë e grua e LSI-së në këtë që kam bërë në 26 vite të jetës time politike.
Njeriu nuk tërhiqet përballë vështirësive, jo vetëm nga ata që ka kundërshtarë politikë, por njeriu lufton çdo ditë pa ndalesa dhe pa u lodhur, për të qenë pjesë aktive e politikës dhe më shumë për t’i shtuar oksigjenin kësaj zemre kaq të madhe, që e ka emrin LSI.
As mos e çoni ndër mend që do të flas për politikën e madhe. Nuk do të flas për politikën e madhe, që na lodhi fizikisht dhe mendërisht në gjithë këtë kohë, për atë politikë që më shumë se asnjëherë tjetër po tregohet e pafuqishme dhe apatike për t’i dhënë zgjidhje krizës që na ka përfshirë, e cila gërryen çdo ditë e më shumë ekonominë tonë të brishtë.
Edhe sot e patë se si kjo politikë, peng i interesave dhe i paqartësive nuk arriti ta zgjidhë krizën prej kaq shumë javësh me gjithë kontributin e palodhur të LSI-së.
Dy partitë e vjetra nuk arritën dot t‘i japin zgjidhje ngërçit politik, pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e qershorit. Kjo paaftësi e burrave që shqiptarët i shohin si zotër të fateve të tyre, duhet të na bëjë ne më të përgjegjshëm për të qenë faktorë stabiliteti në vend. Që politikanët, të cilët e kanë shndërruar këtë vend në arenën e përplasjeve pa mbarim dhe që po e rrënojnë ekonomikisht, LSI-ja duhet të jetë garanti i stabilitetit.
Me kontributin tonë në këtë situatë të vështirë politike, ne i dhamë Shqipërisë Presidentin e ri, të cilin sot për herë të parë publikisht po i uroj suksese në detyrën e tij të re. Por sot, si bashkëpunëtore e tij në aksionin politik të krijimit të LSI-së, i uroj suksese në detyrë dhe ta vuajë sa më pak të jetë e mundur ndarjen nga kjo zemër e madhe dhe e mrekullueshme që është LSI-a, e cila për mua do të mbetet zgjedhja numër një.
E them këtë, sepse asnjë angazhim politik, institucional, apo çfarëdoqoftë, nuk mund të më ndajë mua kurrë nga energjia, apo nga angazhimet që kemi marrë për t’i realizuar të gjithë së bashku.
Ka nga ata që mendojnë që përtej deklaratave, unë do të jem sipas protokollit Zonja e Parë e Presidentit. Iu them të gjithëve ju, edhe më skeptikëve, që unë jam e nderuar të jem sikundër parashikohet në ceremonial Zonja e Parë, më shumë se aq jam ndier dhe ndihem e nderuar që jam zonja e Ilir Metës. Unë jam ndier zonjë shumë e shumë vite më parë, që atëherë kur së bashku me Ilir Metën nisëm rrugëtimin tonë politik.
Asnjë ceremonial nuk i përcakton dot kufijtë e të qenit Zonjë e Parë në krah të një burri të suksesshëm, që më shumë se një grua ceremoniale, preferon të ketë në krah të tij një zonjë luftarake, të paepur në betejat politike së bashku, madje edhe kur bëhet fjalë për betejat brenda mureve të shtëpisë.
Ndaj këtë titull që ma dhuron të qenit bashkëshortja e Ilir Metës, unë preferoj ta ndaj me të gjitha gratë e Shqipërisë, të cilat janë Zonja të Para në shtëpitë e tyre dhe në Shqipërinë tonë. Sepse asnjë titull nuk të bën zonjë.
Zonjë të bën përkushtimi që ke ndaj familjes dhe ndaj vendit tënd. Dhe ky përkushtim për mua do të thotë më shumë energji dhe punë së bashku me ju, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë ne. Jo duke premtuar gjëra që nuk mund të bëhen në një kohë të shkurtër, as duke u marrë me të shkuarën që iku dhe të gjithë e dimë se ç‘ishte.
Por, duke punuar fort dhe çdo ditë për ta ndryshuar këtë vend për më mirë. Duke u përpjekur të gjithë së bashku, që jo me fjalë, por me vepra të përmirësojmë jetët tona dhe të gjithë shqiptarëve. Dhe kjo është e mundur, është e mundur sepse të gjithë së bashku mund ta arrijmë këtë gjë.
Sepse të gjithë sa jemi në këtë sallë, por dhe mijëra e mijëra të tjerë që nuk janë sot këtu, kanë dëshirën dhe vullnetin për ta ndryshuar Shqipërinë. Ndaj, sot me ju, i them vetes, familjes sime, por mbi të gjitha i them familjes sime të madhe, LSI-së, që çdo qelizë e imja do të jetë në funksion të këtij ndryshimi të madh, të kësaj mundësie që të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë më të bukur dhe më të begatë, sepse ne e kemi një shans për të gjithë shqiptarët.
Jam e nderuar që ju sot më propozoni për zëvendëskryetare të LSI-së dhe çdo ditë vazhdoj të inspirohem akoma dhe më shumë nga anëtarët e LSI-së, por më shumë ndihem borxhli ndaj anëtarëve të LRI-së. Është e rëndësishme që ne të mbetemi të përulur, modestë dhe me këmbë në tokë dhe jo arrogantë, sepse misioni ynë është që të punojmë me njerëzit. Historia e shkurtër e demokracisë së brishtë të këtij vendi ka treguar se arroganca e pushtetit, ka qenë fundi i paralajmëruar i tij. Njerëzit na votojnë që t’i ndihmojmë ata, të jemi këtu për ta dhe t’u përgjigjemi atyre. Prandaj dhe LSI-a është një shans për të gjithë.
Është e rëndësishme për të gjithë ne të kujtojmë se jemi këtu sot jo vetëm për LSI-në, por për të gjithë shqiptarët. Ne duhet të punojmë për Shqipërinë, për të ardhmen e vendit tonë. Ne duhet të pranojmë se shumë shqiptarë, sidomos rinia, ka humbur besimin në politikën shqiptare. Ato janë lodhur nga premtimet boshe dhe shpresa e rremë që herë pas here i ka kthyer politika në humbje të shpresës.
Çfarë shprese mund t’u japësh sot të rinjve shqiptarë, ju që jeni sot në këtë sallë, ku një grup politikanësh që pas 73 ditësh në krizë, ulen për të diskutuar dhe dalin pa një zgjidhje për zgjidhjen e krizës. Pikërisht për këtë, ajo që pëlqej më shumë dhe adhuroj te LSI-a është se kur LSI-a bën premtime, ajo i mban ato. Prandaj, ne do të realizojmë premtimin tonë për t’i treguar edhe njëherë shqiptarëve që LSI-a e mban fjalën e saj.
Kur themi që kemi një plan edukimi për të krijuar një arsim cilësor dhe familje më të shëndetshme, ne kemi një plan real. Kur themi se kemi një plan për vendet e punës, ai është një plan i vërtetë, jo punë në ëndrra, por punë reale dhe e mirëpaguar. Kur themi që kemi një plan për punësimin e të rinjve, kemi një plan të vërtetë që do të krijojë vende pune të mira dhe të mirëpaguara për ta. Shumë herë ne politikanët kemi krijuar shpresë, e cila ka çuar në humbjen e shpresës për të krijuar një rilindje që ka vrarë vendet e punës, në vend të krijimit të tyre.
Për të krijuar një klimë biznesi që frikëson investitorët dhe mban biznesin në stanjacion, në vend që të ndihmojmë bizneset për të krijuar vende pune të reja dhe të mirëpaguara. Dhe mos harroni, arsyeja për këtë gjë është arroganca, të cilës të gjithë ne duhet t’i qëndrojmë larg. Ne politikanët, pasi zgjidhemi, çfarëdo qofshim, burra apo gra, harrojmë nganjëherë edhe pse zgjidhemi. Ne zgjidhemi për t’i shërbyer popullit me përulësi dhe jo me arrogancë. Ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit, pavarësisht besnikërisë së tyre politike. Ky është misioni ynë. Ne na duhet një lidership që u jep shansin të gjithë shqiptarëve. Na duhet një lidership që krijon lidhjen e fortë të popullit me politikën në marrëdhënie besimi me njëra-tjetrën.
Dhe misioni ynë nuk mund të jetë vetëm LSI. Ne duhet të kemi alternativën tonë për të gjithë, socialistë dhe demokratë, të cilët janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga partitë e tyre, sepse zëri i tyre nuk dëgjohet dhe problemet e tyre nuk zgjidhen. Dyert e LSI-së janë të hapura dhe ne i mirëpresim ata pa kushte, pa i ofruar anëtarësimin në LSI, por duke i ofruar shpresën dhe besimin, të gjithë së bashku do të punojmë të bëjmë një Shqipëri që e meritojnë shqiptarët, e sidomos rinia shqiptare. LSI kërkon të rritet me të gjithë ata që vijnë pranë saj, sepse nëse ne i japim një shans LSI-së, ne do t’u krijojmë një shans për më shumë të gjithë shqiptarëve.
Dhe së fundmi, kam një mesazh për të gjithë qytetarët që ditën e votimeve e shikojnë me skepticizëm dhe nuk shkojnë për të votuar. Unë i kuptoj arsyet e tyre, sepse ata i shohin politikanët si njerëz të vetëkënaqur që përpiqen të rregullojnë miqtë dhe familjarët e tyre. I kuptoj që u mungon besimi dhe nuk mendojnë se qeveria mund ose do të punojë për ta. Kjo duhet të ndryshojë. Dhe ky është misioni im, misioni juaj, misioni i të gjithëve ne. Ne duhet t’i japim besim njerëzve, sepse LSI-a u jep një shans të gjithë shqiptarëve.
LSI-a është një parti e cila në themel të saj ka dashurinë për vendin. Do ta mbyll me një fjali kur urova djalin tim: Dhuroni dashuri pa fund se ajo do të kthehet përsëri tek ju! Suksese. Fitore. Dhe jam e bindur që LSI-a është forca e parë, dhe jo vetëm forca e parë, është partia politike që sjell stabilitetin dhe mirëqenien për shqiptarët. Suksese!