Ikën edhe një kryebashkiak, kapet me kamera duke thithur kokainë. Reagon Lefter Alla: Është montazh

Ikën edhe një kryebashkiak. Kryebashkiaku socialist i Bulqizës Lefter Alla është kapur duke pirë kokainë në ambientet e një lokali. Fakti tashmë është i pamohueshëm. Disa foto janë publikuar mëngjesin e sotëm, ndërsa para pak minutash ABC News publikoi videon.

Gazetari Artan Hoxha, i cili ka siguruar edhe pamjet filmike, tha se pamjet janë kapur nga kamera sigurie dhe momenti është fiksuar disa kohë më parë. “Kemi të bëjmë me një rast që është shumë i rëndë. Kjo konfirmon akuzat e PD që kërkoi të fusë me ligj testin për narkotikët për funksionarët e lartë. Wshtë një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve. Për mirëadminstrimin e zonës. Problematika tjetër është se si është e mundur që këta persona i shpëtojnë filtrit të përzgjedhjes nga ata që i kandidojnë”, tha ndër të tjera gazetari.

Mes të tjerash Hoxha i ka bërë thirrje policisë së Dibrës që të ketë kujdes disa persona. Sipas tij këta persona kanë bërë presione, madje kanë kërcënuar familje me qëllimin e vetëm që kjo video të mos publikohet.

“Unë bëj një profesion që e kam zgjedhur ta bëj dhe e di shumë mire që të përballesh dhe të publikosh të vërtetat që shkaktojnë dëme sigurisht që do të ketë reagime. Dje gjatë gjithë ditës dhe darkës, sot për arsye shëndetësore nuk mbërrita dot te Enkeli.

Por ka pasur shumë ndërhyrje. T’i qendrosh ballas të vërtetës, është e vështirë, unë do ti kërkoj meqë jam në studio policisë së qarkut Dibër që të ketë në vigjilencë dhe në shikim para syve sot se nëse do të ketë ngjarje pas publikimit të videos.

Kanë kërcënuar me jetë njerëzish dhe kanë kërcënuar me jetë familje vetëm që të mos i publikojnë, Janë njerëz që ata mendojnë se janë futur në këtë histori”, tha Hoxha, duke shtuar se edhe vetë personalisht ka marrë kërcënime të formave të ndryshme.

Reagon kryebashkiaku i PS

Pas nxjerrjes së videos nga gazetari Artan Hoxha ka reaguar kryebashkiaku Lefter Alla. Ai thotë se video është mashtrim dhe nuk ka lidhje me pamjet e publikuara.

Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast. Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh. Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP“,- thotë Alla në reagimin e tij.

Ja pamjet:

SHKARKO APP