Iku kanabisi, vjen kokaina!
-Kapet sasia më e madhe e drogës në Shqipëri, 613 kliogramë kokainë e nisur nga Kolumbia, vlera e së cilës në tregun europian shkon te 180 milionë euro.
-Kompania që transportoi drogën ka kryer 97 udhëtime nga Kolumbia. Edhe sa qindra milionë euro të tjera drogë janë trafikuar në Shqipëri? Cilët zyrtarë dhe politikanë fshihen pas kësaj sasie kolosale kokaine?
Shqipëria dje ishte sërish lajm në mediat botërore si vend kryesor i trafikut të drogës. Një operacion përfekt i Policisë së Shtetit më në krye kreun e saj Ardi Veliu, në bashkëpunim me agjencitë e huaja, arriti të kap 613 kilogramë kokainë e pastër, në një magazinë që importonte banane nga Kolumbia. Kjo është sasia më të madhe e kokainës që është kapur ndonjë herë në territorin e Shqipërisë. Vlera e drogës së ardhur nga Kolumbia, nëse do të shitej në tregun e vendeve të Bashkimit Europian arrin me shumë se 180 milionë euro ose 220 milionë dollarë. Sasia e drogës së kapur është padiskutim një meritë e Policisë Shqiptare, drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veli dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilët kanë pasur dhe mbështetjen e agjencive të huaja të specializuara në luftën kundër drogës. Por duhet pohuar se asnjë informacion nuk doli nga goja e të dyve, derisa kapën sasinë e kokainës dhe kryen arrestimet e para.
Shumëherë operacionet e policisë, para kohës së kohës se Fatmir Xhafës dhe Ardi Veliut, dekonspiroheshin direkt nga kupola e ministrisë. Por kapja e një sasie të tillë droge shfaq para opinionit disa të vërteta të frikshme lidhur me krimin e organizuar në Shqipëri. Nëse kapet një ngarkesë 613 kg kokainë, kjo do të thotë se bandat shqiptare nuk janë më grupe amatore të hashashit, por mafie të super-organizuara me burime të mëdha financiare dhe kapacitete njerëzore. Grupe që nuk bëjnë me sekserin e ngarkesave të drogës, por shkojnë e marrin vet ngarkesën në Amerikën Latine. Mafia shqiptare po e lë pas edhe mafien siçiliane.
Deri dje, Shqipëria njihej si prodhues masiv i kanabisit dhe importues i kësaj droge në vendet e BE. Gjithashtu, në raportet e SHBA dhe BE, Shqipëria cilësohej si pjesë e rrugës së heroinës, Afganistan, Turqi, Shqipëri dhe vendet e BE. Sasitë e kapura të heroinës kanë qenë gjithmonë më pak se 50 kilogramë. Grupet kriminale shqiptare cilësoheshin si të rrezikshme, pasi kryenin trafik hashashi, shitje armësh, grabitje dhe kontrollonin disa rrjete prostitucioni. Edhe me kaq aktivitet kriminal sa kryenin bënin pjesë në bandat më problematike në Itali, Britani, Gjermani dhe gjetkë.
Me kapjen e kokainës dje në Durrës situata ka ndryshuar. Ngarkesa e kapur në magazinën e bananeve, ironikisht i ngre bandat shqiptare një shkallë më lartë në hierarkinë e krimit ndërkombëtar, duke e futur në një listë me mafien, që është struktura më kriminale e rrezikshme. Arëseja pse kemi të bëjmë me mafie shpjegohet fare thjeshtë. Ngarkesa e kokainës është porositur direkt në vendin e origjinës, në Kolumbi, dhe do të sillej në Shqipëri e ku do të shkonte në vende të BE për shitje. Një operacion i tillë kërkon shumë para, njerëz, logjistikë dhe njohje deri në nivelet më të larta të institucioneve të shtetit ku zbarkon droga. Në raportet e SHBA dhe BE për drogën figurojnë me rrezikshmëri vetëm mafia italiane, kartelet meksikane, mafia ruse dhe grupet mafioze afrikane në Spanjë, pasi kanë mjaftueshëm para dhe njerëz për të sjellë drogën nga Amerika Latine në Europë. Më shumë se gjysmë toni kokainë që u kap në Durrës tregon se kriminelët shqiptarë kanë arritur të futen në tregun botëror të drogës dhe ky është një lajm i keq për Shqipërinë. Sepse kaq shumë drogë që qarkullon në këto organizata kriminale përkthehet në krim dhe kontroll të shtetit dhe gjithë shoqërisë më anë të parave të krimit të organizuar. Një organizatë që në një rrugë trafikon 180 milionë euro mund të jetë e aftë të bëjë çdo gjë. Mund të blejë policinë, doganat, mediat dhe zgjedhjet nëse dëshiron. Ajo që pamë dje është vetëm një pjesë e botës së nëndheshme që të paktën tani, Ministria e Brendshme po e godet. E vërteta e asaj që ka ndodhur duhet të jetë dhe më shokuese. Kompania që ka kryer trafikun e 613 kilogramëve kokainë rezulton se ka importuar 97 herë fruta nga Kolumbia. Në narkotrafik ka një rregull, nëse kapet një ngarkesë 5 apo 10 të tjera nuk janë kapur nga policia. Sesa drogë ka hyrë në këto 97 rrugë nuk do të dihet asnjë herë me saktësi. Por fakti është se linja Kolumbi-Durrës ka vite që ka punuar dhe bashkë me bananet kanë ardhur dhjetëra tonë kokainë. Pra qindar milionë euro të ardhura nga kokaina.
Arsyeja pse erdhëm deri këtu është hashashi. Të gjithë ata që nuk folën kur Shqipëria gjelbëronte nga kanabisi sot duhet ta dinë se heshtja e tyre nuk ndihmoj fshatarët që merrnin nga qindarka nga mbjellja, por bosët e mëdhenj të trafikut. “Biznesmenët” që hodhën farën e kanabisit në gjithë vendin, tashmë janë fuqizuar dhe kanë krijuar perandori financiare. Nuk u duhen më toka dhe as punëtorë krahu nëpër ara. Kanë krijuar kontaktet në rajon dhe botë dhe në kanalet ku më parë shisnin hashashin, tani tregtojnë lëndë më të forta dhe më të vlefshme. Si në çdo biznes tjetër kanë zgjedhur të investojnë atje ku ka më shumë para, te kokaina. Logjika ekonomike është e thjeshtë, 1 kg hashash nuk shkon më shumë se 800 euro, ndërsa 1 kg kokainë mund të arrijë dhe 80 mijë euro. Mbjellja e hashashit nga vitet 2014-2016 u dha paratë, përvojën dhe burimet njerëzore për të hyrë në tregun e madh të kokainës ku qarkullojnë miliarda. Dhe këto grupe po bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, tani jo më me gjethe hashashi dhe çikërrima, por me tonelata kokaine.
Tani jemi mafie serioze shqiptare me autoritet botëror! Por nuk mundet kurrsesi që sasi të mëdha kakaine të vijnë pë garant nga shteti. Ndaj Prokuroria dhe Policia e Shtetit duhet të gjejnë politikanët e zyrtarët që fshihen pas këtij grupi të rrezikshëm. Por edhe të grupëve të tjera.
U kap një sasi 180 milionë euro, por sa 180 milionsha kanë hyrë në këto vite?! Më këto para krimi paguajnë zyrtarë, media, politikanë, vrasës,etj. Ndërtojnë dhe investojnë për të zaptuar gjithëçka. Në hotelet kryesore të Tiranës rrijnë me kostume serioze, takojnë politikanë, kolegë mafiozë, analistë, biznesmenë, japin mend për shtetin ligjor dhe mbushin vendin me ndërtime, të cilat nuk iu dihet burimi financiar.
Kjo është mafie!
Q.Xhani