Ilir Meta: “Gjaku shqiptar i Zvicrës ndali ekipin më të madh të botës, Brazilin”
Të dielën në darkë u zhvillua ndeshja e futbollit për Botërorin e Rusisë mes Brazilit dhe Zvicrës, ku dihet tashmë se pesë lojtarë në ekipin zviceran janë shqiptarë. Ndeshja përfundoi Brazil-Zvicër me rezultatin 1-1, ku spikati Xherdan Shaqiri. Presidenti i Republikës Ilir Meta, që dihet se është tifoz i Hollandës, këtë radhë ka deklaruar me parë se do bëjë tifozllëk për ekipin e Zvicrës për shkak të pranisë shqiptare në ekip.
Ilir Meta mblodhi mbrëmë në fushën e blertë të presidencës zv/ambasadorin e Zvicrës dhe ambasadorin e Brazilit në Tiranë, edhe në prani të shumë të ftuarve sportistë dhe njerëz të artit, ku ndoqën live ndeshjen.
Emisioni “Top Arena” në Top Channel mori në intervistë Presidentin Meta, i cili ritheksoi se ishte tifoz i Zvicrës prej gjakut shqiptar të ekipit zviceran. Ndërsa pas ndeshje Ilir Meta ka postuar disa foto dhe një tekst ku shkruan: “Gjaku shqiptar i Zvicrës ndali sot ekipin më të madh të botës. Gati për sfidën e rradhës!”.