Reforma zgjedhore/Ilir Meta: Masa ekstreme ndaj atyre që blejnë votat

Pas miratimit të pjesës kryesore të ligjeve të reformës në drejtësi, vëmendja e politikës është kthyer te reforma zgjedhore. Afrimi i zgjedhjeve në qershor të vitit 2017 e ka bërë emergjente nisjen e diskutimeve sesi do të ndryshoj ligji elektoral në vend.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ka paraprirë debatit sot duke kërkuar masa më të ashpra për manipulimin dhe blerjen e votës. Këto dy fenomene kanë qenë më shumë të dukshme në fushatat e fundit elektorale, ku ka pasur akuza të hapura për blerje të votat. Madje edhe vetë politikanë kryesor në vend e pranojnë se zgjedhjet janë bërë jo një garë politike, por një pazar. Pandeli Majko konfirmoi dje se çmimi votave ka arritur deri në 60 euro.

I pyetur nga gaztearët sot në inaugurimin e rehabilitimit të kanalit vaditës Vjosë-Levan në Qarkun e Fierit, Meta theksoi se dy janë momente ku duhet përqendruar reforma zgjedhore. Zbatimi i dekriminalizmit dhe ndëshkimi i manipulimeve.

“Të merren masa ekstreme për të dënuar të gjithë ata të cilët do të tentojnë të cenojnë votën e qytetarëve shqiptarë, ta kushtëzojnë atë, ta fotografojnë atë, ta blejnë atë dhe ta manipulojnë atë. Kjo është mjaft e rëndësishme dhe me këtë frymë, në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë për ta kurorëzuar këtë reformë”,- tha kreu i Kuvendit.

Bashkëbisedimi i kreut të Kuvendit me gazetarët:

Pyetje nga gazetarët: Po flitet shumë për reformën në drejtësi, por pjesë e rëndësishme është edhe reforma zgjedhore. Ne do të donim të dinim qëndrimin e LSI për këtë reformë?

Ne mbështesim zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për të garantuar transparencë maksimale, për të garantuar zgjedhje të standardeve më të larta evropiane dhe të pakontestueshme. Për këtë qëllim besoj është shumë e rëndësishme që të gjithë forcat politike të tregojnë vullnet për të respektuar standardet e zgjedhjeve, procesin e dekriminalizimit, që është shumë i rëndësishëm për të krijuar një klimë sa më konstruktive në zgjedhjet e ardhshme dhe për të sjellë një cilësi të re të përfaqësimit në Parlamentin e Shqipërisë për qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Besoj se kjo është një detyrë e të gjithë forcave politike.

Dhe njëkohësisht të merren masa ekstreme për të dënuar të gjithë ata të cilët do të tentojnë të cenojnë votën e qytetarëve shqiptarë, ta kushtëzojnë atë, ta fotografojnë atë, ta blejnë atë dhe ta manipulojnë atë. Kjo është mjaft e rëndësishme dhe me këtë frymë, në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë për ta kurorëzuar këtë reformë.

Konkretisht masa ekstreme çfarë do të thotë?

Masa ekstreme do të thotë të parashikohen sanksione shumë më të forta dhe më të rënda për të gjithë këto fenomene që unë përmenda deri më tani.

Deklarata e kreut të Kuvendit, u bë sot gjatë ceremonisë së inaugurimin e rehabilitimit të kanalit vaditës Vjosë-Levan, ku ishte i pranishëm dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti. Duke folur gjatë këtij inspektimi, Meta shprehu besimin se me angazhimin e treguar dhe me një mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen, bujqësia do të jetë një sektor tërheqës i transformimit të ekonomisë “Mendoj se rehabilitimi dhe vënia e plotë në punë e këtij kanali kaq të rëndësishëm për të gjithë këtë zonë dhe për Myzeqenë, Vjosën dhe Fierin është mjaft e rëndësishme për të mbështetur të gjithë fermerët në këtë zonë në mënyrë që ata të vënë më shumë sipërfaqe toke në punë, në mënyrë që ata të kenë prodhime më të mira. Në këtë drejtim duhet të vazhdojë kjo punë e shkëlqyer që është bërë këtu në të gjithë Shqipërinë për të përmirësuar infrastrukturën e tokave bujqësore në shërbim të kullimit të vaditjes, të rritjes së prodhimeve bujqësore pasi kjo është e domosdoshme për të rritur ekonominë e vendit tonë, për të përmirësuar të ardhurat e fermerëve tanë , për të hapur vende të reja pune. Unë besoj se me këtë angazhim, me këtë energji dhe me një mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen, ne do të bëjmë të mundur që bujqësia të jetë një sektor tërheqës i transformimit të ekonomisë sonë kombëtare, por edhe familjare”, -tha z. Meta.

SHKARKO APP