Ilir Meta mbyll vizitën në Prishtinë para largimit nga presidenca, në fund merr edhe një çelës për të hyrë në Prishtinë
Kryesore E Shtunë, 23 Korrik 2022 13:21
Presidenti Meta, një ditë para largimit nga Presidenca, ka mbyllur vizitën në Prishtinë, ku u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Me pas ai ka zhvilluar shumë takime zyrtare, ndërsa sot u prit nga kryeministri Albin Kurti.
Pas takimit Ilir Meta shkruan: “Shumë e përzemërt pritja nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë tepër të frytshme.
Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara.
Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur.
Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit.
Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”- shkruan Presidenti në largim.
Ndërkohë Ilir Meta është pritur nga kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama.
Në statusin e tij Ilir Meta shkruan: “Prishtinën e kam konsideruar gjithmonë shtëpinë time të dytë. Ndaj nuk mund ta fsheh emocionin teksa pranoj me përulje “Çelësin e Prishtinës”, që më nderon thellësisht dhe që do ta ruaj me shumë krenari.
Mirënjohës Kryebashkiakut Përparim Rama!
I impresionuar nga vizioni i tij largpamës për transformimin modern të kryeqytetit të Kosovës dhe mezi pres realizimin me sukses të projekteve të tij ambicioze”- përfundon Meta në përfundim të vizitës në Kosovë dhe një ditë para përfundimit të mandatit si President i Shqipërisë.