Ilir Meta në Prishtinë: Haradinaj është një krenari për të gjithë shqiptarët
Ilir Meta ishte i pari politikan nga Shqipëria që reagoi fort ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt. Më pas reaguan politikanët e tjerë shqiptarë. Por sot kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, ku ka folur për arrestimin e kreut të saj Ramush Haradinaj. Mes borës dhe akullit të madh të Rrugës së Kombit Ilir Meta mori udhën sot për Prishtinë për t’i thënë politikës në Kosovë, e jo vetëm, që duhet të jenë bashkë në këtë çështje të madhe të Kosovës. Ramush Haradinaj nuk i përket vetes dhe AAK, por krejt Kosovës dhe Shqipërisë. Ky ishte mesazhi i kreut të parlamentit të Shqipërisë.
Sipas Ilir Metës arrestimi i Haradinajt nga policia franceze ishte një akt shokues.
“Arrestimi i Haradinajt ishte akt befasues dhe shokues”, ka thënë Meta. Ndërkohë Ilir Metat ka mbajtur dhe një konferencë për mediat, ku ka deklaruar se kjo çështje duhet të marrë fund sa më shpejt, pasi Haradinaj është qytetar i Kosovës dhe jo i Serbisë.
“Kjo çështje do të marrë fund shumë shpejtë, pasi Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por është qytetar i Kosovës dhe si i tillë është simbol i qytetarëve shqiptarë në të gjithë botën. Haradinaj është një krenari për të gjithë shqiptarët dhe për faktin se ai është përballur me kurajo dhe dinjitet edhe përballë drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë kreu i parlamentit të Shqipërisë dhe i LSI, Ilir Meta.
Vazhdojnë protestat për Haradinaj:
Pas manifestimeve të protestave në Francë, SHBA, Zvicër sot është zhvilluar një protestë nga ana e kosovarëve në Londër. Dhjetëra qytetarë kanë dal rrugëve të këtij qyteti me pankarta për Ramush Haeradinajn, duke shprehur kështu pakënaqësinë e gjykatës për arrestimin e Haradinaj.,
AAK: Krerët e Shtetit duhet ta kuptojnë se kthimi i Haradinajt në atdhe, është obligim shtetëror
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është arrestuar ditë më parë në Francë, ndërsa ende nuk është liruar.
“AAK, shpreh zhgënjimin e saj me komoditetin e Institucioneve shtetërore të Kosovës, në raport me rastin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet ende në Francë. Reagimi përmes deklaratave i Qeverisë së Kosovës, i Presidentit, apo mosgatishmëria e Kuvendit që të mbajë seancë të jashtëzakonshme për rastin Haradinaj dhe të njëjtin ta shtyjë për të martën, me arsyetim se nuk po mund t’i mbledhim deputetët, janë qasje jo-shtetërore dhe si të tilla të papranueshme”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
AAK thotë se ndalimi i Haradinajt nuk ka të bëjë vetëm me të si individ, por me Kosovën si shtet e si shoqëri.
“Ndalimi i Haradinajt në Francë, për motive politike e jo të drejtësisë, nuk ka të bëjë me individin qoftë ai edhe ish-kryeministri i vendit, por me Kosovën si shtet e si shoqëri. Prandaj përfaqësuesit e Shtetit duhet ta kuptojnë se angazhimi për kthimin e Haradinajt në atdhe, është obligim shtetëror dhe jo çështje e vullnetit. Ne u jemi mirënjohës mijëra qytetarëve në të gjitha anët e Globit, të cilët i janë vënë në krah Ramush Haradinajt, dhe nuk mund të mos e themi se personat që drejtojnë Kosovën nuk janë as në bisht të këtij angazhimi të interesit nacional”, thotë AAK.
AAK ka kërkuar që Haradinaj të mbështet në mënyrë dinjitoze dhe jo me përdhosjen e simboleve të shteteve të tjera.
“Njëkohësisht e kuptojmë revoltën dhe mllefin e mijëra njerëzve karshi kësaj padrejtësie që po i behët Kosovës si shtet, dhe Haradinajt si vlerë e tij, por i lusim qytetarët që të mos e pranojnë logjikën e konfrontimit dhe të përdhosjes së simboleve të shteteve tjera sepse kjo nuk është në kulturën tonë. Ta mbështesim Haradinajn me dinjitet, siç është ai vet”, thotë AAK.
Geoffrey Nice: Çështja Haradinaj është politike – Serbia do të paraqesë akuza të reja
Në foto: Geoffrey Nice
Ish-prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice, i tha Radios Evropa e Lirë se rasti Haradinaj “është më shumë politik” dhe vetëm përmes një “presioni ndërkombëtar mund të lirohet” që , siç tha, “të mos ndikohet paqja që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Geoffrey Nice, ish-prokuror në rastin Milosheviq, tha se është i bindur se Serbia, në kërkesën e saj për ekstradim të Haradinajt, do të paraqesë “akuza thelbësisht të tjera nga ato me të cilat është përballur Haradinaj në Hagë” duke ia “vështirësuar kundërshtimin e tij që të përballet me një gjykim të ri”.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën, në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze, ndërkohë që një Gjykatë në Francë vendosi ta mbajë në paraburgim deri në paraqitjen e kërkesës së Serbisë për ekstradim.
Nice tha se pret që Haradinaj të lirohet shpejt “marrë parasysh të gjitha rreziqet dhe njëkohësisht edhe objektivat që bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’i arrijë”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Nice, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është arrestuar në Francë mbi bazën e një urdhër-arresti të Serbisë. Zoti Haradinaj është liruar nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për akuzat për krime lufte. A janë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi obligative për të gjitha shtetet?
Geoffrey Nice: Jo domosdo. Por, shumica e shteteve, mendoj unë, nëse gjejnë se dikush ka qenë i gjykuar në mënyrë të drejtë dhe është i liruar nga akuzat e njëjta, me të cilat mund të përballet në një shtet të caktuar, do ta marrin parasysh atë lirim. Problemi këtu dhe pothuaj gjasat më të mëdha këtu janë se akuzat që Serbia do t’i paraqesë kundër Haradinajt, do të jenë të ndryshme nga ato, me të cilat ai është përballur në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY). Ato mund të paraqiten ose të argumentohet se janë një lloj shtese, por jam shumë i sigurt se Serbia do të provojë që të paraqesë gjëra të tjera ose thelbësisht gjëra të tjera nga ato, me të cilat është përballur ai në Hagë. Nëse kështu ndodh, atëherë do të jetë shumë më e vështirë për Haradinajn që të thotë se nuk mund të gjykohet në Serbi. Pavarësisht nga të gjithë këta faktorë, unë s’kam dyshim se Kosova do të bëjë presion mbi Francën që ta lirojë atë ose mbrojtja e Haradinajt do të kundërshtojë ekstradimin nëse Franca nis një proces zyrtar të ekstradimit.
Radio Evropa e Lirë: Por, në çfarë rrethanash një gjykatë nacionale mund të rihapë akuzat ndaj zotit Haradinaj, që është liruar nga Gjykata e Hagës?
Geoffrey Nice: Nuk flitet për hapjen e rastit. Do të jetë, mendoj unë, një përgjigje ndaj kërkesës së Serbisë për ekstradim. Mund ta kem gabim, por unë kështu e kuptoj. Prandaj, nëse shikoni akuzat dhe nëse ato janë të njëjtat me ato që kanë çuar në lirim, unë mendoj se për ligjin francez kjo do të jetë një pengesë që ai të ekstradohet në Serbi. Ka mbase edhe shumë arsye të tjera se pse një proces i ekstradimit, bazuar në ligj, mund të bllokohet nga Haradinaj dhe mbase edhe vetë Kosova në emër të tij. Jam i sigurt se ka shumë hapa për të kaluar, por unë supozoj dhe nuk mund të jem shumë i sigurt përtej kësaj, se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë presion të madh mbi Francën, në njërën ose mënyrën tjetër, që t’ia mundësojë Haradinajt të lirohet. Nëse ai nuk lirohet dhe nëse ai vazhdon të mbahet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit në Serbi dhe mbase edhe më keq, nëse ai ekstradohet në Serbi për t’u përballur me gjykim atje, efekti në çfarëdo paqeje që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ndikohet rrënjësisht. Dhe, këtë e di secili.
Radio Evropa e Lirë: Pra, ju thoni se kjo është tani çështje politike?
Geoffrey Nice: Do ta cilësoja si të tillë. Shumë raste të ekstradimit kanë kënde politike në vetvete. Dhe, megjithëse, shtetet duhet të provojnë që të zbatojnë sundimin e ligjit në mënyrë publike, mund të ndjeni prapavijat politike. Dhe, gjithashtu, mund të gjeni edhe shembuj ndonjëherë kur disa shtete duan të dëshmojnë anën e tyre sovrane duke kthyer dikë prapa, p.sh në Kosovë, dhe kështu ka mundur të ndodhë në këtë rast. Prandaj, është e formësuar të jetë shumë e politizuar. Unë personalisht, në këtë moment, pa i parë akuzat që Serbia do t’i paraqesë kundër tij (mund të jenë akuzat për vitet ‘90), do të isha shumë i befasuar nëse Haradinaj nuk lirohet nga Franca shumë shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Por, çfarë mund të bëjnë autoritetet e Kosovë në këtë rast, marrë parasysh se Kosova nuk është pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë dhe marrë parasysh se ky është urdhër-arrest i lëshuar nga Serbia përmes Interpolit?
Geoffrey Nice: Mendoj se atë që kanë bërë deri tani është të provojnë ta bindin Francën se Serbia nuk ka më juridiksion mbi ngjarjet që ndodhin në Kosovë dhe kurrë nuk ka pasur dhe do të provojnë të thonë se Serbia nuk ka pasur juridiksion mbi ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e ‘90. Unë dyshoj nëse ky argument do të jetë posaçërisht i suksesshëm. Do të isha, gjithashtu, shumë i befasuar nëse Kosova do të vepronte e vetme kur bëhet fjalë për zbatimin e presionit politik. Ka shumë më shumë interesa të evropianëve dhe SHBA-së për të mbajtur tensionet në nivel të ulët. Në kohën kur ka çështje që rrisin tensionet në Bosnjë dhe kur e gjithë pozita e anëtarësimit të Kosovës në OKB është në pritje, mendoj, megjithëse mund të jem në gabim, që këto forca ndërkombëtare do të veprojnë që ta zgjidhin këtë rast sa më shpejt të jetë e mundur, pa rrezikuar që ish-kryeministri i Kosovës të përballet me një gjykim serb, kësaj radhe në territorin e armikut.
Radio Evropa e Lirë: Pra, ju prisni që zoti Haradinaj të lirohet shpejt?
Geoffrey Nice: Është një lloj supozimi, por ky do të jetë parashikimi im. Ka gjithnjë një mundësi të zgjatjes së arrestit shtëpiak, sikur edhe në një rast të një boshnjaku, Ejup Ganiq, si një subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia me kërkesë të ekstradimit kur ishte në Londër. Procedurat zgjatën, por ai u lirua dhe urdhër-arresti nuk u zbatua dhe ai nuk u dorëzua në Serbi. Supozoj se krejt kjo mund të përsëritet këtu; një proces i zgjatur sipas ligjit francez. Por, supozimi im është se, marrë parasysh të gjitha rreziqet e tjera dhe të gjitha objektivat e tjera që bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’i arrijë, pres që të gjenden rrugë që ai të lirohet shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, më lejoni t’ju pyes; cila është mënyra që të hiqen urdhër-arrestet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës?
Geoffrey Nice: Ky është një problem i madh dhe unë nuk e di përgjigjen. Natyrisht nuk e dimë se sa urdhër-arreste, përveç këtij, janë ende. Në mungesë të një modeli të përgjithshëm të vendeve të tjera që provojnë të zbatojnë urdhër-arrestet e hapura që përmbajnë krime të dyshuara të individëve në konfliktet e viteve 1990, unë do të thosha se duhet sërish një presion ndërkombëtar mbi Serbinë, e cila synon anëtarësimin në Evropë për dallim nga disa të tjera që duan të dalin nga Evropa, duhet të bëhet presion mbi të që të heqë dorë nga praktika për të arrestuar secilin.
Përfaqësuesit ligjorë të Haradinajt dorëzojnë kërkesën për lirim me kusht, shkruan radio “Europa e Lirë”
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se “përfaqësuesit ligjorë të zotit Haradinaj kanë deponuar tek autoritetet franceze kërkesën për lirimin e tij me kusht”.
Një zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha të premten se “kërkesa është deponuar dhe pritet lirimi me kusht i zotit Haradinaj”.
Një gjykatë franceze mori vendimin për ta mbajtur në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës, “deri sa Serbia ta bëjë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij”.
Autoritetet franceze ndaluan, të mërkurën, në aeroportin e Bazelit Ramush Haradinajn, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar që më 2004 nga autoritetet e Serbisë, me pretendimet për krime lufte të kryera në periudhën e luftës në Kosovë.
Vendimi i Gjykatës franceze për mbajtjen e zotit Haradinaj në paraburgim i jep një afat, siç thuhet në dokument, deri në “40 ditë autoriteteve të Serbisë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e tij”.
Zyrtarët e partisë së Haradinajt thanë se presin që brenda ditësh Gjykata të vendos për lirimin me kusht të tij, që do të nënkuptonte “qëndrimin brenda shtetit francez deri në zgjidhjen e rastit nga gjykata franceze”.
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë, se “i është drejtuar sërish të premten homologut të saj francez me kërkesën për lirimin e Haradinajt” dhe tha se “po përcillen të gjithë hapat ligjor që do të mundësojnë lirimin e tij”. Hoxha iu drejtua dy herë me kërkesë ministrit francez të drejtësisë brenda vetëm dy ditëve.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të premten se “në një afat sa më të shkurtër kohor” do të kërkojë nga Franca ekstradimin e Haradinajt
“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë do të drejtojë në një afat sa më të shkurtër një kërkesë zyrtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt”, tha për Radion Evropa e Lirë shërbimi për media I Ministrisë.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.