Ilir Meta: Referendumi për mbetjet, respektojmë çdo iniciativë qytetare

Prononcimi për median i Kryetarit të Kuvendit: Referendumi për mbetjet, respektojmë çdo iniciativë qytetare

 

Z. Meta, një mesazh për votimin e ligjit të SPAK-ut me konsensus dhe të opozitës dhe rikthimit të saj në komision?

Pa asnjë diskutim që votimi i sotëm tregoi se mirëkuptimi dhe konsensusi mund të funksionojnë edhe për ligje të tilla kaq kruçiale për zbatimin e reformës në drejtësi pas miratimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, edhe në këto kushte kur mazhoranca i ka plotësisht legjitime votat për të miratuar këto ligje.
Por kjo reformë kaq e rëndësishme kërkon që të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për mirëkuptim, për konsensus, për një klimë sa më konstruktive në mënyrë që dhe mesazhet më të fundit që vijnë edhe nga Brukseli për të mbështetur një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian të bëhen një fakt i kryer në javët e ardhshme.

Si e komentoni referendumin e kërkuar për ligjin e mbetjeve dhe një pyetje të dytë. Pas ndarjes nga jeta të ish-kryebashkiakut të Kolonjës, LSI do të dalë me një kandidat të vetin në zgjedhje apo një kandidat nga ASHE?

Sikurse ju keni ndjekur, z. Vasili ne emër të grupit parlamentar të LSI-së në përgjigje të një skepticizmi apo mosbesimi edhe të një pjesë të mirë të opinionit publik, por edhe të shumë përfaqësuesve të nderuar të shoqërisë civile, kërkoi dhe u miratua ligji që kaloi në Kuvend, që monitorimi i zbatimit të këtij ligji të realizohet në respekt të këtij ligji nga shoqëria civile. Duke patur bindjen se shoqëria civile ka mjaft kapacitete të afta dhe i ka të gjitha mundësitë për të verifikuar zbatimin me korrektësi ekstreme të këtij ligji mjaft sensitiv.

Sot mund t’ju them që kam kërkuar përsëri Ministri të Mjedisit, z. Koka, dhe Ministrit të Drejtësisë, z. Manjani, që ky detyrim ligjor që u vendos në këtë ligj të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera konkrete që realizojnë plotësisht monitorimin 100% nga shoqëria civile të zbatimit të ligjit. Sepse shqetësimi kryesorë është moszbatimi korrekt i ligjit.

Sapo përmendët shoqërinë civile z. Meta, por shoqëria civile kërkon referendum për ligjin e mbetjeve, madje dhe një deputet i LSI-së, z. Spahiu konkretisht, deklaroi se do dalë përkrah protestuesve për këtë ligj…

Është e drejtë e z. Spahiu aq më tepër që ka nisur edhe ai fushatën e tij. Unë mund të them që ne respektojmë shqetësimin e shoqërisë civile, kjo është arsyeja që është kërkuar nga grupi parlamentar i LSI-së, nga z. Vasili konkretisht amendamenti dhe është miratuar e mbështetur nga shumica. Kam kërkuar sot edhe nga Ministri i Drejtësisë dhe ai Ministri i Mjedisit, edhe në dialog me shoqërinë civile të shikojnë të gjitha hapësirat që ky monitorim të mos mbetet thjesht në ligj por të realizohet 100% në praktikë. Ndërsa sa i takon çështjes së referendumit, çdo iniciativë qytetare ne e respektojmë, por sa i takon iniciativave partiake, mendoj se ato e polizitojnë debatin veçse më shumë.

Po përsa i përket kandidatit për Bashkinë e Kolonjës në zgjedhjet lokale për këtë njësi vendore, çfarë vendimi keni marrë z. Meta? Do të jetë kandidat i LSI-së apo i koalicionit?

Për ne aq më tepër për mua personalisht kjo nuk ka më rëndësi, për arsye sepse ka qenë një humbje krejtësisht e papritur, e parakohshme dhe e pamerituar. Kështu që as nuk kam patur as nuk kam ndërmend të merrem me kandidatin apo kandidatët për këtë çështje. Por do të ndjek edhe unë, edhe kolegët e tjerë disa nga projektet të cilat ai i nisi me aq përkushtim dhe dashuri për Kolonjën.

Jam i bindur që koalicioni do të gjejë një kandidat sa më të mirë, por unë e kam të vështirë të mendoj që të gjej një kandidat tjetër në nivelin e tij. Dhe përsëri mund të them që këto janë zgjedhje krejtësisht lokale dhe aksidentale. Për mua themelore si Kryetar i Kuvendit mbetet ecuria pozitive konstruktive sa mirëkuptuese, mundësisht konsensuale e miratimit të gjithë paketës së plotë për reformën në drejtësi.

Z. Meta, ju flisni për mbështetje të mendimeve dhe inkurajim të ligjvënësve të LSI-së për të komunikuar me shoqërinë civile, ju vetë pse nuk e votuar ligjin për mbetjet?

Besoj se u shpreha shumë qartë për këtë çështje dhe po ju them edhe një herë tjetër se shoqëria civile i ka të gjitha kapacitetet për të realizuar një monitorim 100% ekstrem në zbatim dhe në respektim të këtij ligji.

SHKARKO APP