Ilir Meta:Fatkeqsisht konsensusin e lëmë për minutat e fundit…

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta përcjell apelin për të bashkuar forcat për të ecur më shpejt në të gjitha reformat kryesore sidomos ato të drejtësisë dhe njëkohësisht për të pasur një frymë më konstruktive.

Sa i takon akteve nënligjore të dekriminalizimit Meta tha nesër është moment i duhur për t’i përmbyllur.

Meta: Sot është punuar gjatë gjithë ditës, nesër është momenti i duhur për të përmbyllur miratimin e tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin, pasi kemi një afat kohor. Ftoj të gjithë që edhe duke patur në konsideratë mesazhet kaq të rëndësishme për bashkëpunimin që dha Mogherini në Kuvend të bashkojmë forcat për të ecur më shpejt në të gjitha reformat kryesore, sidomos ato të drejtësisë dhe njëkohësisht për të pasur një frymë më konstruktive në respekt të njëri-tjetrit por mbi të gjitha duke vënë në plan të parë interesat e vendit dhe qytetarëve.

Sa i takon kërkesës së PD-së për amendimin e ligjit të dekriminalizimit, Meta tha se opozita ka të drejtën e saj të ndërmarrë çdo iniciativë por për  këtë duhet të miratojnë një vendim.

Amendimi i ligjit për dekriminalizimin, a është e gatshme mazhoranca ti rihyjë sërish këtij diskutimi?

Meta: Opozita ka të drejtën e saj të marrrë çdo iniciativë për përmirësimin e legjislacionit, por për çështjen që po flasim bëhet fjalë për të plotësuar një detyrim të Kuvendit i cili zbaton në mënyrë të plotë ligjin e dekriminalizimit. Padyshim Kuvendi ka rregullat dhe procedurat e tij për iniciativat që synojnë përmirësimin e legjislacionit dhe do të respektohen procedurat parlamentare dhe në radhë të parë rregullorja e Kuvendit.Por të mos zhvendosim debatin nga një detyrim imediat që Kuvendi ka edhe për shkak të një afati kohor në çështje të tjera, pasi Kuvendi ka për detyrë të respektojë afatet dhe detyrimet e tij në zbatim të këtij ligji.

Ky kusht i opozitës a mund të kthehet në ngërç?

Meta: Respektojmë çdo kërkesë të drejtë dhe konstruktive të opozitës, por çdo kërkesë duhet të ecë në shinat e rregullores konsensuale. Miratimi i këtioj vendimi nuk pret dhe të gjithë duhet të bashkohemi nesër, siç u bashkuam për ligjin, për të votuar edhe vendimin pasi besoj që konsensusi është arritur dhe nëse ka ndonjë mendim të ndryshëm për çështje që nuk është kaq thelbësore besoj se kemi gjithë kohën deri nesër paradite për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

A ndikoi vizita e Mogherinit në afrimin e palëve, dje ishin të përçarë?

Meta: Për fat të keq ne e kemi zakon që mirëkuptimin dhe konsensusin e lëmë për minutat e fundit dhe mendoj që kjo ka ndodhur në rastin në fjalë. Kjo punë e përbashkët duhet të ishte zhvilluar me kohë dhe vendimi mund të ishte miratuar më përpara.Por padyshim që edhe vizita e zyrtares së lartë të BE shpresojmë të ketë impulse më pozitive për bashkëpunim ndërparlamentar dhe ndërpartiak më vonë, pasi  u përmend edhe pres saj se Europa po ndeshet me sfida të paparashikuara më parë dhe kjo kërkon që vendi ynë të shmëfishojë forcat e tij dhe të tregojë një vullnet më të madh për demostruar suskese dhe arritje në mënyrë që të meritojë dhe një mbështetje më të madhe nga BE si për çeljen e negociatave ashtu dhe për të ecur më tej drejt anëtarësimit.

Miratimi i reformës në drejtësi mund të jetë një dritë jeshile?

Meta: Patjetër dhe besoj se të gjithë kanë shprehur vullnetin për të ecur në këtë drejtim. Të gjithë kanë pranuar dhe kanë bashkëpunuar me Komisionin e Venecias për të dhënë kontributin e tyre dhe mbetet vetëm për tu finalizuar reformën në drejtësi, flas për paketën kushtetuese dhe më pas gjithë paketën plotësuese të ligjeve që do ta shoqërojnë atë.

SHKARKO APP