INCIDENTI/ Homazhet për 29 Nëntorin, qeveria bojkotoi ambasadorët. Meta i vetmi që i takoi
Ambasadorët e akredituar në Tiranë, që nga ato të vendeve të Europës e deri tek ato të Azisë, si ambasadorja Kineze dhe ambasadori i Japonisë, zhvilluan dje homazhe pranë memorialit “Nëna Shqipëri”.
Por nderimi që i bënë të huajt datës së Çlirimit të Shqipërisë nuk iu kthye me të njëjtën monedhë nga ana e politikës shqiptare. Gjatë zhvillimit të ceremonisë së homazheve nga ana e diplomatëve nuk ishte asnjë përfaqësues i Ministrisë së Jashtme apo i Protokollit Shtetëror, për t’i pritur apo për t’i përcjellë.
I vetmi që qëndroi me ta dhe i falënderoi në emër të shqiptarëve për respektin e treguar ndaj kësaj date të rëndësishme për Shqipërinë, ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Duke parë se jo vetëm kryeministri Rama e kryeparlamentari Ruçi, por askush nga Ministria e Jashtme apo Protokolli i Shtetit nuk po kujdesej për të respektuar diplomatët e huaj, Meta, siç shihet edhe në këtë foto shkoi pranë tyre dhe zhvilloi një takim falenderues me të gjithë ambasadorët që kishin shkuar në Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës sonë Nacional-Çlirimtare.