Incidenti në Elbasan, Ben Blushi: Partia Socialiste të distancohet nga dhuna
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, deputeti Ben Blushi ka folur për incidentin e Elbasanit, duke kërkuar që partia ku ai bën pjesë të distancohet nga aktet e dhunës. Më tej Blushi tha se i ka falur të gjithë ata persona që e ofenduan dhe shanë.
“Unë nuk kam asgjë me ata të Elbasanit, 10 -15 vetë. I kam falur sepse ata janë në ndikimin e një presioni psikologjik, një karvan me njerëz që sulmojnë dhe kjo ka nxitur konfliktin. I fal të gjithë ata djem që e kapërcyen cakun me thënë të drejtën dhe sulmuan nje njeri që kërkonte zgjedhje ne parti, zgjedhje të ndershme. Unë do të doja që PS-ja të distancohej, të bënte një distance, se ky nuk është problemi im, por është problemi i një vije të një partie të madhe që ka rol themelor edhe të edukojë njerëzit. Nëse nuk distancohet nga njerëz që dhunojnë, që pengojnë, që nuk të lënë të flasësh kur ti kërkon zgjedhje. Sot pati një iniciativë në Grupin Parlamentar për atë që ndodhi në Elbasan dhe unë u përpoqa të shpjegoj se kjo nuk është çështja ime, po e një partie që duhet të distancohet nga dhuna dhe PS-ja duhet të distancohet sepse kjo sjellje mund të kthehet në tendencë”, tha Blushi.
Sa i përket takimi të tij me Kreshnik Spahiun e Aleancës Kuq e Zi dhe aludimeve të mediave pranë Ramës për një bashkëpunim me të, Blushi tha se ajo foto ishte bërë para një muaji dhe nuk përbën lajm, si dhe nuk çon në asnjë konkluzion politik.