Ilir Meta takon Zv.Presidentin e PE: Prioritet reformat për integrimin në BE
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u prit nga Zv. Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, njëkohësisht Kryetar i Grupit “Miqtë e Shqipërisë”.
Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian dhe, duke vlerësuar themelimin e Grupit Parlamentar “Miqtë e Shqipërisë”, u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë mbështetet te përkrahja e eurodeputetëve anëtarë të grupit të miqësisë.
Zv. Presidenti i PE, Sassoli vuri në dukje se “Shqipëria ka bërë progres të madh dhe do ketë mbështetjen tonë të plotë në Parlamentin Evropian për avancimin e rrugëtimit të saj evropian”.
Në këtë kuadër, Meta theksoi se Kuvendi mirëpret vendimin e Këshillit Evropian, duke nënvizuar se aktiviteti parlamentar është fokusuar në reflektimin e rekomandimeve të progres-raportit të Komisionit Evropian.
Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, Sassoli vuri në dukje se Shqipëria është çelës stabiliteti në Ballkan dhe ndau bindjen e përbashkët me Meta se avancimi i perspektives evropiane të vendit i shërben edhe të ardhmes së vendeve të tjera në rajon.
Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Meta zhvilloi edhe një drekë pune me eurodeputetë anëtarë të grupit “Miqtë e Shqipërisë” në Parlamentin Evropian.
Pitella-Metës: Do mbështesim integrimin e Shqipërisë
Po sot, më kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit nga Presidenti i Grupit Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Gianni Pittella.
Kryetari i Kuvendit, Meta e falënderoi Pittella për mbështetjen e fuqishme të Grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe në shërbim të perspektivës evropiane të Ballkanit, si mundësia e vetme që forcon stabilitetin, prosperitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.
Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Pittella duke vlerësuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, shprehu mbështetjen e tij dhe të grupit socialdemokrat për të avancuar në këtë drejtim.
Meta u shpreh se në Kuvendin e Shqipërisë është arritur progres substancial gjatë këtyre viteve, duke vënë në dukje miratimin konsensual të reformës në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit dhe përmirësimin e transparencës dhe rolit mbikëqyrës së Kuvendit. Meta u shpreh se Kuvendi e ka lexuar me vëmendje progres-raportin dhe mbetet i përkushtuar për reflektimin e rekomandimeve të Komisionit, ku kryefjalë do të jetë implementimi i reformës në drejtësi si një nevojshmëri për qytetarët shqiptarë. Në këtë drejtim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e eurodeputeteve socialdemokratë në Parlamentin Evropian, të cilët kanë qenë gjithnjë në avangardë të zgjerimit të BE-së dhe integrimit të vendeve të Ballkanit.