Ish-ambasadori i SHBA në Bosnjë: Dëgjoni mendimin e kancerales Merkel

Ish-ambasadori Amerikan në Bosnje e Hercegovinë, aktualisht profesor në Universitetin George Mason, Richard Kauzlarich e sheh me shqetësim idenë e rishikimit të kufijve në Ballkan.

Në një bisedë për televizionin serb “N1”, Kauzlarich thotë se vizatimi i kufijve të rinj në Ballkan dhe në përgjithësi është ide problematike.

“E di nga koha kur shërbeja në Bosnjë Hercegovinë, kur njerëzit nisin të nxjerrin letra dhe sërish të vizatojnë kufijë, ndodhin gjëra të këqija. Nuk e di saktësisht se çfarë kanë Serbia dhe Kosova në mendje, por hartat e reja nuk zgjidhin problemet themelore që ende ekzistojnë mes Kosovës e Serbisë. Jam i brengosur dhe nuk e di se si njerëzit në Bosnje e Hercegovinë i shohin këto çështje të diskutohen mes Serbisë e Kosovës, por sërish them se, personalisht, nuk mendoj se do të zgjidhin probleme. Po të ishte kaq e thjeshtë vizatimi i hartave të reja, këtë do ta bënim para 20 vjetësh”, thotë Kauzlarich.

Ai foli edhe për angazhimin e shtuar të Britanisë së Madhe në Ballkan, duke theksuar se përveç Britanisë, duhet dëgjuar edhe mendimi i Gjermanisë.

“Angazhimi i tyre në rajon nuk është befasues për mua. Megjithatë, do të doja të thosha se duhet t’i kushtojmë kujdes më të veçantë mendimit të Gjermanisë. Më duhet të them se Kancelarja Merkel e ka thënë gjënë e parë kur ka folur për vizatimin e kufijve të rinj. Gjermania kohëve të fundit ka luajtur rol mjaft aktiv. Kur është në pyetje BE-ja, ajo do të jetë gjithmonë aty, pavarësisht se çka dikush mendon për të ardhmen e Bashkimit Evropian, ajo do të mbetet faktor i fuqishëm kur kemi të bëjmë me elementet politike, por edhe ekonomike. Dëgjoni Merkel”- theksoi ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, Richard Kauzlarich.

SHKARKO APP