Ish-ministri Bushati: Dialogu është e vetmja rrugë që mund të trajtojë këtë situatë “sui generis”

Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë në news 24 flet për krizën politike shqiptare ku mes rrjeshtave dallohet se ai nuk është dakort mënyrën se si kryeministri flet, por ish-ministri synon për të gjetur një zgjidhje me dialog. Por dialogu nga opozita pranohet vetëm nëse Edi Rama jep dorëheqjen nga kryeministër.
Ja intervista me Ditmir Bushatin:
Si është situata politike?
Jemi në një moment delikat. Kur pyetemi për protestat, besoj se protestat janë një instrument i shëndetshëm për çdo shoqëri demokratike dhe ska pse bën përjashtim shoqëria shqiptare. Problem kryesor shikoj faktin për herë të parë në historinë e tranzicionit tonë, opozita ka ndërmarrë një veprim in extremis,” siç është djegia e mandateve dhe pavarësisht se ky është një veprim inextremis i opozitës, mendoj se është i dëmshëm dhe me pasoja për të gjithë jetën politike në Shqipëri. Gjatë 30-viteve që nga shembja e regjimit komunist, për fat të keq bojkoti i parlamentit e ka shoqëruar zhvillimin e sistemit demokratik në Shqipëri.  Për hir të së vërtetës nuk është se kam qenë ndonjëherë mbështetës i bojkotit si instrument për arritjen e qëllimit, i cili mund të jetë shprehje e një frustrimi të caktuar për një situatë politike të caktuar, por nuk është kurrë mjeti efektiv për arritjen e një qëllimi politik. Për herë të parë ne kemi një situatë akoma dhe më të vështirë, siç është djegia e mandateve, një rrugë pa kthim. Nga ana tjetër, vendi është përballë disa sfidave kyçe. Sfida e parë ka të bëjë me qershorin, me vendimin e pritshëm të vendeve anëtarë të Bashkimit Europian, për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.  Nuk ka pikë diskutimi që ky është një veprim që derisa impakton jetën politike shqiptare do të impaktojë dhe vendimmarrjen përsa i përket çeljes së bisedimeve për anëtarësim. Dialogu është e vetmja rrugë që mund të trajtojë këtë situatë “sui generis”.
Çfarë do zgjidhte?
Një dialog do duhej të sillte qeverinë dhe opozitën, apo mazhorancën dhe minorancën në binarët e kushtetutës dhe të sistemit demokratik, aq më tepër që jemi rreth dy vite larg 2017 ku u zhvilluan zgjedhje, të cilat jo vetëm janë certifikuar nga OSBE-ODHIR, por janë zgjedhje që erdhën edhe si rezultat i marrëveshjes së famshme të 17 majit, ku një pjesë e mirë e posteve kyçe në qeveri mbaheshin nga përfaqësues të partisë demokratike apo nga persona të propozuar nga PD. Natyrisht zgjedhjet e 2017 si të gjitha zgjedhjet e tjera mund të kenë pasur mangësi të cilat janë raportuar nga OSBE-ODHIR. Dhe është e rëndësishme që të gjitha këto mangësi të adresohen në rrugë ligjore, institucionale, për tu shtuar garancitë tek sistemi demokratik. Në ato raste kur opozita ka dyshime të thelluara ka instance të gjyqësorit që duhet të thonë fjalën e tyre.
Opozita pretendon se institucionet nuk po funksionojnë, nuk po japin drejtësi? 
Ky është një opinion i opozitës, por nga ana tjetër, institucionet e shtetit shqiptar kanë përgjegjësinë për ti dhënë një përgjigje shqetësimit që ngrihet nga përfaqësues të opozitës. Por besoj se institucionet e drejtësisë nuk mund të zëvendësohen nga opinione që mund të kemi ne si përfaqësues të forcave të ndryshme politike në Shqipëri.
Sa ndikon vërtetë ajo që ndodh në Shqipëri në vendimin që do të marrë KE në lidhje me celjen e negociatave? 
Rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e qartë e perspektivës evropiane është një rrezik më i madh për Shqipërinë sesa të ardhmen e BE apo projektit evropian. Gjatë tre dekadave të gjitha partitë politike, përfshirë dhe atë së cilës unë i përkas, e kanë përdorur bojkotin si një mënyrë për të ushtruar presion pozitiv në moment të caktuara të zhvillimit të vendit. Në asnjë rast s’mund të themi që bojkoti ia ka arrit qëllimeve për të cilat është përdorur. BE dhe Evropa ka jetuar për një kohë të gjatë pa Shqipërinë. Mund të duket retorikë kjo që po them por Shqipëria e ka të pamundur të jetojë pa Evropën sepse nuk shoh ndonjë alternativë tjetër përpos alternativës evropiane për Shqipërinë. Sot për fat të keq duket se debati politik është fokusuar tek drejtimi i gishtit drejt fajeve apo arsyeve për një vendimmarrje të caktuar të qershorit. Dëshiroj të bëj thirrje që të punojmë së bashku në mënyrë që koha e mbetur në dispozicion të na shërbejë qoftë për të pasur një rikonfirmim të rekomandimit të Komisionit Europian sikundër dhe një vendimmarrje nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian. Dua të them dhe që e konsideroj interesante. Shqipërisë në 1995-1996-ën iu ofrua një marrëveshje evropiane, siç kishte Bullgaria dhe Rumania të firmosur me BE asokohe dhe vetëm për shkak të krizës politike të 96 dhe kaosit që përjetuam në 97-ën, iu deshëm rreth 10 vite për të shkuar në 2006- ën dhe për të firmosur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit e cila nuk parashikon të njëjtën shkallë integrimi siç parashikonin marrëveshjet evropiane. Ndoshta sot është e thjeshtë të vajtojmë për 3 apo 9 muaj në vijim, por mendoj që çdo gafë dhe çdo papërgjegjshmëri që bën sot për sot politika shqiptare, ne dhe gjenerata tjetër do ti ndjejmë pasojat në dekadën që ne po hymë.
Fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të shënonte një pikë të rëndësishme moskthimi pas për Shqipërinë, do të ishte në interesin e të gjithë aktorëve. Nëse do isha në opozitë do të ishte në interesin kryesor të opozitës sepse do të ishte një mjet për të bërë më shumë presion edhe për ato çështje që opozita i sheh me shumë shqetësim, që kanë të bëjnë me drejtësinë, cilësinë e qeverisjes, lirinë e medias, me nivelin e korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, sepse i gjithë vëzhgimi, analiza, monitorimit që do vinte nga ana e institucioneve të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare do të ishte edhe më molekulare siç është sot. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të kërkonte reforma më të mëdha dhe një përgjegjshmëri akoma më të madhe të Shqipërisë në këtë drejtim.
A mendon se mund të marrim një lajm të mirë në qershor? 
E para mendoj qe klasa politike shqiptare ka nevojë që të tregojë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur që Evropa mund të jetojë edhe 50 vite të tjera pa Shqipërinë. Ne mund të kemi më shumë diell dhe kohë më të mirë se Brukseli, por të jeni të bindur se interesi i institucioneve evropiane për Shqipërinë mund të kufizohet me një deklaratë për shprehje mospëlqimi për zhvillimet e fundit. Na takon ne që të marrim në duar fatin tonë dhe na takon ne që të gjejmë një fushë mirëkuptimi në politikë dhe në jetën publike në lidhje me rregullat e shtetit. E kam dëgjuar opozitën që ngre çështjen e mosfunksionimit të gjykatës kushtetuese, të gjykatës së lartë. Parashikoj që në një të ardhme jo shumë të largët ne mund të mbetemi dhe pa gjykatë apeli, si pasojë e procesit vetting.
Procesi veting po jep frytet e para. Mbase më mirë mos të kemi një institucion të infektuar sesa të themi që kemi një Gjykatë Kushtetuese apo Gjykata e Lartë në kuptimij formal.
Në këtë drejtim mendoj se është e nevojshme të kemi një strategji të qartë dhe kjo do të jetë një sfidë më e madhe për Shqipërinë, ndërtimi i një strategjie ndërpartiake dhe ndërinstiticionale sesi ne do të ndërtojmë se bashku arkitekturën, burimet njerëzore të sistemit të ardhshëm të drejtësisë. Flas këtu për Gj.K, Gj.L, Prok.Përgjithshme dhe institucionet e specializuara.  Është e vërtetë që sot kur flet me një gjerman apo austriak, vende ku është themeluar gjykata kushtetuese, mund të ju duket paradoksale të mendosh se Shqipëria 30 vite më pas nuk ka një Gjykatë Kushtetuese në detyrë, por nga ana tjetër ne nuk mund të vajtojmë për një gjykatë kushtetuese, anëtarët e së cilës nuk e kaluan dot procesin e vettingut. Prandaj, energjitë duhen përqendruar tek seleksionimi i njerëzve më të mirë që këto institucione të bëhen një orë e më parë funksionale. Për këtë duhet një klimë politike dhe sociale relativisht e paqtë. E di që mund të dukem një zë në shkretëtirë për këtë që po them, por është detyra jonë për tu përpjekur pareshtur për dialogun politik në vend. Kur dëgjova z.Basha që tha nuk bëj më dialog, unë nuk e di si mund të dilet nga kjo situatë. Të gjithë ne i japim biçikletës dhe ajo ka dy rrota, njëra mazhoranca dhe tjetra opozita. Biçikleta nuk ecën veç me një rrotë.
Logjika e imponimit nuk është e shëndetshme në një sistem demokratik. Opozita është në të drejtën e saj të bëjë protesta. Kemi bërë dhe ne protesta në opozitë, kemi bllokuar bulevardin, kemi qëndruar për ditë të tëra, jemi përpjekur për të sensibilizuar të gjithë opinionin publik, skuta të ndryshme të tij që mund të mos ishin të ndërgjegjësuar për atë që në e konsideronim kauzën tonë, por në fund të ditës nuk duhet ta mohojmë se jemi të gjithë shqiptarë, nuk përfaqësojmë dy etni, apo tre etni, të ndryshme dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, më lejoni ta them që më vjen turp që ne ende përpiqemi të eksportojmë krizën tonë të brendshme në gjuhë të huaja në institucionet evropiane.
Duket sikur ka dy qëndrime në lidhje me situatën. Ka figura në mazhorancë që edhe një biçikletë me një rrotë mund të ecë mirë?
Qëndrimi nga ana e mazhorancës në nevojën për dialog, mendoj se ka qenë në unison. Në mazhorancë nuk ka një teori apo shkollë mendimi që beson se gjërat nuk ecin përpara veçse me dialog. Më duhet të ritheksoj se koha është një element i rëndësishëm, reflektimi gjithashtu është një çështje e cila duhet vënë përpara me përparësi për të gjithë ne. Ne bëjmë një gabim kur i referohemi faktorit ndërkombëtar dhe mendojmë se do vinë emisarë të ndryshëm për të zgjidhur situata që ne i shkaktojmë. E them dhe një herë tjetër, jo vetëm se kam qenë në qeveri dhe jam eksponentë i PS, por tek marrëveshja e 17 majit, elementi që kam çmuar më shumë, ishte fakti se kishte dakortësi që edhe pas zgjedhjeve të 2017 angazhoheshim të punonim së bashku edhe për reformat ë rëndësishme që kanë të bëjnë me përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Edhe nëse do merrja të mirëqenë atë që thotë opozita dhe të mos si hiqja asnjë presje, sërish zbatimi në tërësinë e saj i reformës në drejtësi, impakti që duhet të sjellë tek qytetarët nuk mund të bëhet  me vetëm njërën prej rrotave të biçikletës. Domosdoshmërisht kërkon të dyja rrotat e biçikletës dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar
Puna e MEPJ deri tani?
Kjo është një çështje që tanimë i përket të shkuarës. Politika e jashtme është një nga ato fusha konservatore të shtetit që nuk ndryshon nga drejtimi i një ministrie, qeverie apo fluksi politik. Do duhet shumë kohë apo shumë vite për të bërë ndryshime drastike në politikën e jashtme të shtetit shqiptar dhe besoj se kështu do të jetë edhe në këtë rast. Ne duhet për çështje të caktuara ta krijojmë konsensusin kombëtar. Nëse ka diçka që e pengon shërbimin e jashtëm apo diplomacinë nga një sukses akoma dhe më i madh, është pikërisht fakti që për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesin kombëtar ne duket që edhe sot e kësaj dite e kemi të vështirë të biem në një ujdi.
Ne ende nuk kemi nxjerrë mësimet e duhura nga e shkuara dhe sot e kësaj dite duket sikur më shumë i flasim njëri tjetrit sesa qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi. Pra kur themi që në 95-ën Shqipëria humbi një shans historik për tu përfshirë në grupin e vendeve për të pasur një marrëveshje evropianë dhe mbase sot do kishim të njëjtin status në BE siç e ka Bullgaria dhe Rumania, kam pikërisht këtë parasysh që ne kemi bërë një gabim të madh apo kemi humbur një shans të madh për një gjeneratë shqiptarësh dhe këtë duhet të kemi parasysh kur flasim për trajtimin e kësaj situatë.
Marrëveshja me Greqinë, nuk po flitet më?
Është e vërtetë, por nga ana tjetër ka kontakte në nivelin e Kryeministrave dhe zyrave të KM-ve dhe sot e kësaj dite mendoj që ajo punë që është nisur nuk ka arsye të mos finalizohet. Me fqinjin dy janë rrugët, ose adresimi dhe zgjidhja e çështjeve të së kaluarës ose konfrontimi. Besoj se rruga e konfrontimit është eksploruar dhe eksperimentuar dhe nuk na çon gjëkundi.
Duket sikur sot për sot për shkak të situatës politike mund të mos jetë prioritet, por si për Shqipërinë për rrugëtimin tonë, për ezaurimin e të gjitha etapave ashtu edhe Greqinë për konsolidimin e parimit të fqinjësisë së mirë kjo është një dosje e cila herët ose vonë do të adresohet sepse gjeografia dhe historia janë dy çështje të lidhura ngushtë në politikën e jashtme.

SHKARKO APP