Ish-ministri Ilir Beqaj: Të shkurtohen pensionet!

Shkencëtarët në gjithë botën ende nuk e kanë gjetur ilaçin për kurimin e koronavirusit, ndërkohë në Shqipëri, qeveria e Edi Ramës ka gjetur “vaksinën” për të shpëtuar nga kriza ekonomike.

Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, deputet i PS dhe një nga këshilltarët kryesorë të Edi Ramës për pandeminë këto ditë ka dalë me një tezë befasuese për të shmangur kolapsin ekonomik. Ish-ministri thotë në një analizë për situatën ekonomike se zgjidhja e “artë” për të ruajtur financat është ulja e pagave për administratën, bile deri te ulja e pensioneve për gjithë qytetarët shqiptarë!
Ilir Beqaj thotë se nga “1 maji 2020 deri në 31 dhjetor 2020 të gjithë te punësuarit e sektorit publik, institucione e ndërmarrje, qendrore e vendore, të varura e të pavarura, të paguhen me 90 % të pagës së tyre normale”. Ish-ministri shkon edhe më tej kur thotë se “çdo pension suplementar e shtesë pensioni suplementar (nëpunës i lartë shtetëror, ushtarak në lirim, profesor etj) për tetë muajt e mbetur të vitit të marrë 75 % të këstit mujor të muajit prill 2020”.

Ulja e pagave përfshinë edhe sektorin e mjekësisë..
Ish-ministri bën edhe një propozim tjetër që duket sikur është ftesë për kaos social dhe përplasje shoqërore. Ai shprehet se “duhet bërë rregullimi i nevojshëm ligjor që në kohë fatkeqësish të shpalluara të tilla nga autoriteti kompetent, qeramarrësi nuk ka detyrim të paguajë qeranë, pavarësisht se çfarë është e përcaktuar në kontratën midis palëve”.

Këto dhe ide të tjera, ish-ministri i quan si propozime, por nuk është e vështirë të kuptohet se pas kësaj skeme radikale është dhe ideja e kryeministrit Edi Rama. Kriza ekonomike për shkak të pandemisë është ende në fillimet e saj. Qeveria tregoi se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ta përballuar. Duke parashikuar përkeqësimin e situatës në muajt më pas, kryeministri duket se po mendon zgjidhje radikale. Mënyra sesi e kanë menduar shpëtimin e ekonomisë është jo vetëm gabuar, por edhe shkatërruese. Ulja e pagave dhe pensioneve mund të shikohet nga mazhoranca si zgjidhje e shpejtë për buxhetin e shtetit, por realisht do të sjellë probleme direkte në ekonomitë familjare, duke çuar në shkatërrim të mirëqënies familjare të çdo shqiptari. Një skemë e tillë e grabitjes së lekëve të rrogave të administratës dhe qindarkave të pensionistëve është kriminale, nëse qeveria e vë në zbatim. Përfaqësuesi i PD-së i kujtoi Edi Ramës se vetëm koncesionet e firmosura javët e fundit mjaftojnë për të përballuar krizën.
Këto ditë ministrat në qeveri dhe njerëzit afër saj kanë sjellë me qindra variante për të shpëtuar ekonominë. Në të gjitha skemat, ajo për të cilën nuk flitet është anulimi i koncesioneve. Lekët që u janë dhënë këto vite oligarkëve, për shërbime që realisht kanë kosto të fryra, mund të merren dhe të përdoren nga qeveria. Lëvizja është kaq e thjeshtë sa nuk ka nevojë për të bërë analiza të stërholluara ekonomike. Qeveria është gati të ul pensionet, të shkurtojë rrogat, të heq investimet në shëndetsi dhe kudo tjetër, por vetëm thesin e oligarkëve nuk pranon kurrësesi ta prekë. Kryeministri është gati të mbledhë qindarkat nga pensionistët që nuk paguajnë dot ilaçet, por e quan krim të prek grupin e oligarkëve që këto vite kanë marrë koncesione duke vjedhur gjithë shoqërinë.

Petrit Vasili tha për “Koha Jone” se një qeveri e majtë, siç pretendon se është kryeministri dhe ish-ministri Beqaj, duhet të ndihmojnë pensionistët duke u rritur pensionin, duhet të ndihmojnë shtresat në nevojë si dhe të përkrahin biznesin e vogël dhe të mesëm e jo të japin PPP, koncensione e tenderime nga buxheti shtetit vetëm oligarkëve, me të cilët vjedhin votat e shqiptarëve.

Ministrja e Financave Anila Denaj e pyetur te Blendi Fevziu për këtë propozim të ish-ministri Beqaj, as nuk e pohoi por as e mohoi, por shtoi se edhe zoti Beqja ka të drejtë të propozojë.

Ilir Beqja njihet si njeri influent në PS dhe mik personal i kryeministrit.

/M. Xhani/

SHKARKO APP