Izraeli godet Iranin, në shënjestër edhe objekte bërthamore

Izraeli ka sulmuar dhjetëra objektiva në Iran, përfshirë objekte bërthamore. Dy ushtarakë të lartë iranianë thuhet se janë vrarë. Irani u përgjigj me sulme të shumta me dronë.

Izraeli sulmoi Iranin gjatë natës (13.06.). Ushtria izraelite konfirmoi një “sulm parandalues, të saktë dhe të kombinuar ndaj programit bërthamor të Iranit” që shënjestroi dhjetëra pika bërthamore dhe ushtarake në Iran.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i quajti sulmet një “sulm shumë të suksesshëm iniciues” kundër Iranit, i cili konsiderohet armiku kryesor i Izraelit. Ai foli për një “moment vendimtar në historinë e Izraelit”. Operacioni do të vazhdojë për shumë ditë. “Ne kemi goditur zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit”, tha Netanyahu.  Sulmi kundër Iranit do të dëmtonte infrastrukturën bërthamore dhe forcën ushtarake të vendit. Kryeministri izraelit theksoi: “Ne nuk po luftojmë popullin iranian, ne po luftojmë diktaturën iraniane”. Më parë, Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kishte konfirmuar “sulmin parandalues” kundër Iranit. Katz e justifikoi sulmin duke thënë se programi bërthamor i Iranit përbënte një kërcënim ekzistencial për Izraelin. Sekretari i Shtetit i SHBA-së,  Marco Rubio mohoi se Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira në sulmin izraelit. Ai e paralajmëroi Teheranin ndaj sulmeve kundër objekteve ushtarake amerikane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), u godit edhe objekti i pasurimit të uraniumit në Natanz, një nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Iranit. IAEA tha se po e monitoron nga afër situatën në Iran, të cilën e quan “thellësisht shqetësuese”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Izraeli raporton për sulme të shumta me dronë nga Irani

Sipas televizionit shtetëror iranian, shefi i ushtrisë iraniane, Mohammed Bagheri u vra nga sulmet izraelite. Gjeneralmajori “vdiq si martir”, raportoi televizioni iranian. Sipas medias edhe komandanti iranian i Gardës Revolucionare paraushtarake, Gjeneral Major Hussein Salami, u vra gjithashtu në sulme.

Udhëheqësi fetar suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e kërcënoi Izraelin me hakmarrje për sulmet, duke thënë se Izraeli do të presë “ndëshkim të rëndë”. Disa orë pas sulmit, ushtria izraelite raportoi se Irani po sulmonte Izraelin me afërsisht 100 dronë. Sipas zëdhënëses së ushtrisë Effie Defrin, të gjitha sistemet mbrojtëse u vendosën në vend. Më parë, në Izrael ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme në pritje të kundërsulmeve të mundshme. Komanda e Frontit të Brendshëm urdhëroi që institucionet arsimore, zyrat dhe bizneset të mbeteshin të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm. Popullsisë iu bë thirrje të qëndrojë pranë strehimoreve dhe të minimizojë aktivitetet në natyrë.

Izraeli sulmon objektet bërthamore e ushtarake të Iranit, Teherani hakmerret me sulm me dronë

Izraeli e sulmoi kryeqytetin e Iranit në mëngjesin e së premtes duke i goditur objektet e tij bërthamore dhe ushtarake, duke rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme. Ky dukej të ishte sulmi më i madh që Irani e ka përjetuar që nga lufta me Irakun në vitet ’80.

Sulmi ndodhi në një kohë tensionesh të larta për shkak të përparimeve të shpejta të programit bërthamor të Iranit dhe nxiti kundërpërgjigje të menjëhershme, pasi lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballej me “dënim të ashpër”.

Pak orë më vonë, ushtria izraelite njoftoi ka filluar të rrëzojë dronët iranianë të nisur nga Teherani si hakmarrje për sulmin.

Një zyrtar izraelit tha se rrëzimi i dronëve po ndodh jashtë territorit izraelit, por nuk dha më shumë hollësi, pasi foli në kushte anonime.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.

Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.

Ndër vendet e goditura ishte dhe selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

Objekti i pasurimit në Natanz u godit “disa herë”, raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi.

Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.

“Irani nisi afërsisht 100 UAV [dronë] drejt territorit izraelit, të cilët jemi duke u përpjekur t’i kapim”, tha zëdhënësi ushtarak, Effie Defrin, duke shtuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit përfshinë 200 avionë luftarakë që goditën rreth 100 objektiva në të gjithë Iranin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili vetëm disa orë para sulmeve kishte bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të tensioneve, do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në mëngjesin e së premtes, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Izraeli kishte njoftuar Uashingtonin se besonte se sulmet ishin të nevojshme për vetëmbrojtje, tha Rubio në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa për t’i mbrojtur forcat e tyre dhe kanë mbajtur kontakt me partnerët në rajon, tha Rubio, duke paralajmëruar Iranin që të mos ua mësyjë interesave apo personelit amerikan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.

“Pas sulmit parandalues nga Shteti i Izraelit kundër Iranit, pritet në një afat të menjëhershëm një sulm me raketa dhe UAV (dronë) kundër Shtetit të Izraelit dhe popullatës së tij civile”, tha Katz në një deklaratë.

Kompania ajrore izraelite, El Al, njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Izraeli, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se Irani ka mbyllur hapësirën ajrore deri në një njoftim të radhës. Edhe Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi fluturimet në të gjitha aeroportet, sipas mediave shtetërore.

Netanyahu e kishte ngritur mundësinë e sulmeve kundër Iranit në një bisedë telefonike me Trumpin më herët këtë javë, sipas gazetës Wall Street Journal.

Trump tha se i kishte bërë thirrje Netanyahut të përmbahej nga veprime të tilla tani për tani, derisa administrata e tij po negocionte me Iranin për programin bërthamor.

“Përderisa mendoj se ka [mundësi për] marrëveshje, nuk dua që ata të ndërhyjnë, sepse mendoj se do të prishin punë”, tha Trump.

Në rrjetin e tij Truth Social, të enjten vonë, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të negociojnë me Iranin, megjithëse paralajmëroi gjithashtu se një sulm izraelit ndaj Iranit është i mundshëm.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane! E gjithë administrata ime është udhëzuar të negociojë me Iranin”, tha Trump.

Megjithatë, Trump shtoi se Teherani “duhet fillimisht të heqë dorë plotësisht nga shpresat për të zhvilluar armë bërthamore”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman. Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Të enjten, Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e miratoi një rezolutë, e cila deklaroi zyrtarisht se Irani i ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Kjo është hera e parë që nga viti 2005 që kjo agjenci e OKB-së e shpall Iranin si shtet që nuk respekton obligimet bërthamore. Ky vendim është dënuar nga Teherani.

Rezoluta u miratua me 19 vota pro, 3 kundër dhe 11 abstenime në bordin prej 35 anëtarësh. Rezoluta ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë – Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si E3.

Si përgjigje, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se do të krijohet një objekt i ri për pasurimin e uraniumit në një zonë të sigurt dhe centrifugat e gjeneratës së parë (IR-1) në objektin Fordow do të zëvendësohen me makineri të përparuara të gjeneratës së gjashtë (IR-6).

“Siç e kemi deklaruar më parë, Republika Islamike e Iranit nuk ka tjetër zgjidhje përveçse të përgjigjet ndaj kësaj rezolute politike”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?