Ja pse rotacioni politik mbetet i vështirë. Ish-deputeti demokrat: Nuk kemi gjë në terezi!

Analiza politike në Shqipëri sot tregon një realitet të qartë: opozita është e fragmentuar dhe kjo e bën shumë të vështirë krijimin e një alternative të fortë përballë qeverisë së kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet prej më shumë se një dekade në pushtet. Edhe pse pakënaqësia ndaj qeverisë ekziston në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, ajo nuk është përkthyer në një front të përbashkët opozitar.

Një nga arsyet kryesore të kësaj përçarjeje lidhet me raportin që partitë e reja opozitare kanë me Partinë Demokratike dhe me drejtimin e saj aktual nga Sali Berisha. Forca të reja politike si partia e Agron Shehajt, ajo e Arlind Qorit apo lëvizja e Adriatik Lapajt nuk kanë pranuar të bashkohen me PD-në në një front të përbashkët opozitar. Arsyeja kryesore që ata artikulojnë lidhet me faktin se PD drejtohet nga Sali Berisha dhe se ata kërkojnë një model të ri politik dhe një lidership të ri në opozitë.

Kjo krijon një paradoks politik. Nga njëra anë, pothuajse të gjitha këto forca deklarojnë se synojnë largimin e qeverisë Rama dhe ndryshimin e sistemit politik. Por nga ana tjetër, refuzimi për të ndërtuar një bashkëpunim minimal elektoral mes tyre prodhon efektin e kundërt: shpërndarjen e votës opozitare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në sistemet zgjedhore si ai shqiptar, matematika elektorale është vendimtare. Kur vota opozitare ndahet në disa subjekte politike që garojnë veçmas, përfituesi i parë është partia në pushtet. Edhe nëse secila prej këtyre forcave merr një pjesë të elektoratit të pakënaqur, fragmentimi i votës e bën shumë të vështirë krijimin e një shumice të re politike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo është pikërisht arsyeja pse shumë analistë dhe figura politike, si ish-deputeti Aleksandër Biberaj, theksojnë se pa një bashkim të opozitës rreth një boshti të përbashkët, rotacioni politik mbetet pothuajse i pamundur.

Ish-deputeti demokrat theksoi se “duhet të theksoj se pa u bashkuar opozita, është e vështirë që të bëhet rotacion të pushtetit. Dhe për shkak të kësaj përçarje deri tani Rama ka qëndruar në pushtet dhe fal sigurisht manipulimit të zgjedhjeve të fundit, mori edhe mandatin e katërt”.

Problemi nuk është vetëm ideologjik, por edhe strategjik: opozita shqiptare duhet të vendosë nëse prioriteti është konkurrenca mes saj apo ndryshimi i pushtetit.

Në fund, dilema kryesore mbetet lidershipi dhe forma e bashkëpunimit. Nëse kjo çështje nuk zgjidhet dhe nëse partitë opozitare vazhdojnë të garojnë të ndara, qeveria aktuale do ta ketë shumë më të lehtë të ruajë pushtetin. Historia politike shqiptare ka treguar se rotacioni ndodh vetëm kur opozita arrin të kapërcejë ndasitë e brendshme dhe të paraqitet si një alternativë e bashkuar përballë elektoratit.

D.Muçaku

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?