Jozefina Topalli me parti të re politike. PD: Ajo nuk bën dot as shoqatë
-Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetarja e PD-së skicon partinë e re demokratike, ndryshe nga PD-ja e Lulzim Bashës, duke e kthyer sistemin politik në katër polar.
-“Më e rëndë është korruptimi i opozitës nga qeverisja e lidershipit të qeverisë. Në asnjë vend të botës nuk do kishte ndodhur që qeveria të mos kishte rënë pas skandalit të ish-ministrit të Brendshëm”, thotë Topalli.
Jozefina Topalli dhe grupi tjetër, themeluesit dhe qëndrestarët e PD-së, përjashtuar dhunshëm nga Lulzim Basha në zgjedhjet e fundit parlamentare, duket se po zgjohen nga apatia politike qëkur në maj 2017, ata u zbuan nga selia blu. Zëra si Astrit Patozi, Genc Ruli, Arben Imami, Ridvan Bode, etj ka qenë prezent në publik, por jo të organizuar si grupim që, sipas tyre, duan të sjellin në PD frymën tradicionale, e cila është transformuar në një frymë hilexhie, në shfaqje opozitë e në thelb proqeverisë. Idetë utopiste të tyre për tu kthyer në PD-në e drejtuar nga Basha dhe për të ndryshuar kursin e saj politik duke e kthyer në gjenezën e saj, duken se kanë dështuar përfundimisht. Ndaj po lëvizin, aq me tepër se po vijnë edhe zgjedhjet vendore 2019.
Jozefina Topalli ka folur, por asnjëherë nuk ka lenë hapur si dje, krijimin e një formacioni politik krejt të djathtë, siç thotë ajo, se mungon në opozitën shqiptare. Ish-kryetarja e Parlamentit dhe ish-nënkryetarja e PD-së, thotë se vendi është në emergjencë kombëtare, ku qeveria dhe opozita janë dy gjysmat e një të keqeje.
“Qeverisja inekzistente që ka çuar në rritjen e varfërisë ekstreme, në boshatisjen e kombit nga shqiptarët, nga një vend që përmendet vetëm për drogë dhe ku çdo ditë qytetarët e saj lexojnë vetëm për vrasje, për vdekje për grabitje. Por kjo është gjysma e së keqes. Gjysma tjetër, ndoshta edhe më e rëndë është korruptimi i opozitës nga qeverisja e lidershipit të qeverisë”, shprehet ish-kryetarja e Parlamentit.
Sipas Topallit, e djathta është asgjësuar, ndaj nivelin e sulmit ndaj Lulzim Bashës e mban në kulm. “Në asnjë vend të botës nuk do kishte ndodhur që qeveria të mos kishte rënë pas skandalit të ministrit të Brendshëm”, thotë Topalli.
Është e bindur se marrëveshja Rama-Basha e 18 majit 2017, vazhdon.“Në fakt ata vazhdojnë marrëveshjen midis tyre dhe kur nuk e vazhdojnë rrisin presionin për të bërë një pazar të ri….”. Dhe më tej Jozefina Topalli dje theksoi se “A është kjo PD-ja?! Nuk e di nëse ata mendojnë njësoj si unë, unë besoj se kjo nuk është PD”, thotë ish-nënkryetarja e PD-së. Produkti i analizës së nisur në fillim të vjeshtës për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhje do duhej të kishte dalë, por Jozefina Topalli nuk beson se ka për të pasur një të tillë.
“Mes fjalëve dhe veprave të Lulzim Bashës është një oqean i tërë. Nuk thotë kurrë të vërtetën dhe as atë që mendon”, shprehet Jozefina Topalli.
Pra nuk ka rikthim në PD-në e Bashës, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse një partie të re politike, e cila synon të jetë një PD e ngjashme me PD e kohës së Berishës.
Jozefina Topalli la të hapur dje se janë duke skicuar partinë e re politike, e cila nëse organizohet seriozisht mund ta bëjë sistemin politik nga tre polar në katër polarë.
I pyetur sot nga “KJ”, një zyrtar i lartë nga selia blu në lidhje me këto deklarime të zj. Jozefina Topalli, ajo deklaroi në emër të kryetarit të PD, Basha se “Zonja Topalli nuk ngre dot as shoqatë, e jo më parti!”.
Q.Xhani