Kancelarja 64-vjeçare Angela Merkel dridhet, Gjermania e shqetësuar
Nga radio gjermane DW
Angela Merkel dridhet – i gjithë vendi është i shqetësuar. Të enjten kancelarja qëndroi ulur gjatë një pritjeje shtetërore. Të tregosh dobësi në politikë? Kjo nuk është më tabu në Gjermani.
Përse më parë askujt nuk i ka rënë ndërmend kjo zgjidhje? Vizita e kryeministres së re daneze të enjten (11.07) në Berlin e shoqëruar me nderime ushtarake dhe kancelarja e i ftuari i saj qëndrojnë ulur në karrike. Fare të qetë dhe pa asnjë dridhje Merkel dëgjonte himnet e të dyja vendeve.
Të mërkurën sërish një atak dridhjesh
Të mërkurën (10.07) kancelarja 64 vjeçare pësoi një atak të tretë me dridhje brenda pak javëve, në kohën që qëndronte në hollin e nderit të kancelarisë. Por pak pas kësaj Merkel u paraqit ashtu siç e njohin atë të gjithë prej shumë vitesh. E qetë, e saktë, pa emocione të mëdha, me një buzëqeshje të lehtë: “Jam mirë. E kam thënë edhe një herë, që ndodhem në një fazë për ta kapërcyer atë që ndodhi gjatë nderimeve ushtarake së fundi me presidentin Selenskyj. Kjo fazë duket ende nuk ka kaluar, por ka përparime. Më duhet të jetoj një farë kohe më këtë. Unë jam mirë. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar.” Këtë deklaratë ajo e bëri vetëm një orë pasi kishte pasur dridhje të forta për herë të dytë.
Shëndeti i Merkelit: Temë kryesore e gazetave bulevardeske
A është e sëmurë kancelarja? Mos vallë ajo është në forcat e fundit? Një ditë pas atakut të fundit gazeta më e madhe bulevardeske e Gjermanisë shkruan: “Nuk ka të ndalur.” Në mes të qershorit Merkel priti presidentin e ri të Ukrainës, Volodymyr Selenskyj. Në hollin e kancelarisë ajo pati dridhje të forta. Nëntë ditë më vonë ndodhi e njëjta gjë. Në selinë presidenciale kështjellën Bellevue bëri betimin ministrja e re e Drejtësisë dhe kancelarja qendronte e sforcuar me duart para trupit, por shumë shpejt sërish ajo mundi të lëvizë.
Thjesht sepse nuk kishte pirë sa duhet lëngje?
Në rastin e parë të atakut gjatë ceremonisë së pritjes së presidentit ukrainas, Merkel tha se nuk kishte pirë ujë mjaftueshëm. Faktikisht atë ditë në Berlin bënte shumë nxehtë. Pas atakut të dytë gazetarët nga kancelaria deklaruan, se kemi të bëjmë me sa duket me një lloj reagimi psikologjik, që Merkel tashmë e ka konfirmuar zyrtarisht.
Ajo që duket qartë dhe e kuptueshme, u trajtua nga zyra e shtypit të qeverisë si një çështje sekrete shtetërore. Pak minuta përpara se kancelarja të fliste hapur, se i duhej tani të jetonte me dridhjen e herë pas hershme, zëdhënësja Ulrike Demmer relativizoi. Gjithçka është mirë, kancelarja nuk ka gjë: “Ajo i ka përballuar shumë mirë të gjitha takimet javën e kaluar.” Kjo është e vërtetë. Merkel nuk i ka anuluar takimet, ka negociuar në samitin e G20 në Japoni deri natën. E këtë e ka theksuar Merkeli: “Jam mirë!”
Politikanë të sëmurë? Një risi në Gjermani
Fakti që në Gjermani po flitet relativisht hapur për gjendjen shëndetësore të kancelares dhe se si pozicionohet ajo ndaj kësaj, është një zhvillim i ri në Gjermani. Informacionet për gjendjen shëndetësore të kancelarëve në të shkuarën kanë qenë përjashtim.
Willy Brandt, kancelari socialdemokrat në fillim të viteve shtatëdhjetë, ka pasur për kohë të gjatë faza depresioni, por gjermanët nuk kanë ditur gjë për këtë. Helmut Kohl e ka përballuar si kancelar më 1989 ribashkimin, e po ashtu edhe tentativat e kritikëve brenda partisë krisitandemokratë (CDU) për ta rrëzuar atë, ndonëse ai vuante prej dhimbjeve të tmerrshme nga prostati. Askush nuk mësoi gjë për këtë.
Kancelarët e dinin se çfarë bënin. Gjermanët, të cilët e çmojnë besimin tek politika, nuk duan, që udhëheqësit e tyre të kenë dobësi dhe në të shumtën e rasteve as nuk duan ta dinë këtë. Edhe politikanëve në Gjermani më shume se në demokracitë e tjera u lejohet ruajtja e sferës private. Në vende të tjera kjo diferencohet. Sot në SHBA flitet hapur për vlerat e gjakut të presidentit, edhe në Francë nuk është e padëgjuar të flitet për shëndetin e presidentit. Por shembulli i SHBA-së tregon edhe se nuk ka qenë gjithmonë kështu: Presidentët Franklin D. Roosevelt dhe John F. Kennedy gjatë mandatit të tyre kanë qenë të sëmurë rëndë, por opinioni nuk e mësoi kurrë këtë.
Orar i plotë pavarësisht “Multipler Sklerose”
Komportimi mes daljes në publik dhe sëmundjes po ndryshon edhe në Gjermani. Kanë qenë disa raste të veçanta që kanë kontribuar në këtë drejtim. Kryeministrja mjaft popullore e landit Rheinland-Pfalz, Malu Dreyer nga partia socialdemokrate (SPD) ka folur gjithmonë hapur për sëmundjen e saj nga Multipler Sklerose. Diktaturat dhe demokracitë e menaxhuara e kanë të vështirë këtë. Qoftë në Europën Lindore apo në Azi, në Afrikë e në Amerikën Latine: diktatorët dhe autokratët nuk sëmuren, të paktën jo zyrtarisht. Për ta mbuluar këtë imazh Vladimir Putini kalëron me torsin e zhveshur në natyrë. Në Gjermani Angela Merkel gjatë pritjes me nderime ushtarake e ka zhveshur nga dramaciteti debatin për gjendjen e saj shëndetësore, duke deklaruar, se: “më duhet të jetoj tani për tani me dridhjen.” Ajo ka nisur të thyejë një tabu tashmë.