Kandidati për ministër i jashtëm Gent Cakaj, i pa dekretuar, jep dorëheqjen
Burime të besueshme tregojnë se 27 vjeçari Gent Cakaj ka paraqitur kryeministrit Rama dorëheqjen e parevokueshme. Dorëheqja i ka shkuar me shkrim kreut të qeverisë, i cili nuk e ka pranuar. Dorëheqja erdhi nisur nga reagimet negative të një numri të madh diplomatësh shqiptarë këtej e andej kufirit, kundrejt emrit të tij. Por edhe komentet fyese të panumërta në rrjetet sociale.
Edhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, tha se Gent Cakaj e kishte dhënë dorëheqjen.
“Me sa jam në dijeni, zoti Cakaj i ka dorëzuar dorëheqjen Kryeministrit. Dorëheqja sipas informacionit që kam unë, është e parevokueshme në rastin kur zoti Cakaj do mbesë në pozitën e zv.ministrit të Jashtëm”, – është shprehur Milo.
Të njëjtat burime thonë se kryeministri Rama, i nevrikosur, ia ka grisur dorëheqjen dhe e ka urdhëruar që të mos e pohojë në media një veprim të tillë. Por ka edhe një presion të madh nga kryeministri mbi ministrin aktual Ditmir Bushati, që ai të jap dorëheqjen dhe automatikisht zv/ministri Cakaj kalon ministër de facto, edhe pa dekret. Por kjo mënyrë djallëzore e kryeministrit nuk ka asnjë mbështetje në BE dhe në asnjë takim ministerial europian nuk e lejon të futet brenda këtë zv/ministër pa dekret presidencial ministri.