Katër pikat ku nuk janë dakort palët PS dhe PD për dekriminalizimin

Ja për cilat pika nuk bien dakort PS me PD për formularin e vetëdeklarimit .

Së pari, formulari i vetëdeklarimit që do duhet të plotësojnë të gjithë deputetët dhe personat që janë pjesë e administratës, në tërësinë e tij i mabn larg dy kampet politike. Sipas PD-së, deputetët socialistë kanë kopjuar formularin e tyre, por duke i hequr një sërë pikash të rëndësishme, që për ata e bën të cunguar këtë formular dhe vetë ligjin e dekriminalizimit.

Së dyti palët hasin vështirësi në arritjen e kompromisit edhe tek çështja e deklarimit të vendqëndrimeve të një personi që bëhet subjekt i ligjit të dekriminalizimit. PD kërkon detajimin e vendqëndrimit të personave të administratës publike dhe të politikanëve.

Së treti ku PD dhe PS nuk arritën konsensus është edhe çështja e deklarimit të ndalimeve policore në shtetet e huaja. Për këdo që është subjekt i dekriminalizimit, sipas opozitës do duhet të deklarojë nëse është ndaluar ndonjëherë nga policia e shteteve të huaja dhe arsyen. Një argument ky që qartësisht opozita kërkon ta fusë në ligjin për dekriminalizimin duke patur parasysh precedentin e ish deputetit Mark Frroku.

Së fundi një pikë debati mbetet sanksioni, masa e gjobës dhe autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e saj, në rast se personi që plotëson formularin e vetëdeklarimit mashtron në të apo në disa pika të saj. Palët kanë debate në lidhje me masën e gjobës dhe autoritetin që do kryejë implementimin. Sipas PD-së masa e gjobës duhet të jetë fikse, 1 milionë lekë të vjetra, ndërsa PS kërkon që gjoba të vendoset nga autoriteti përkatës, i cili do duhet të jetë sipas rastit.

Këto janë pika të nxehta sot në parlament ku pritet të ketë debat të fortë.

SHKARKO APP