Kërcënohet Lulzim Basha. Policia mban në survejim familjen e kreut të PD

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha dhe familjarë të afërt të tij po mbahen në survejim nga segmente të Policisë Operacionale.

Burime të besueshme konfirmojnë se çdo lëvizje e kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe familjarëve të afërt të tij, prej disa kohësh monitorohen 24 orë në 24 nga segmente të caktuara të Policisë Operacionale.

Survejimi i plotë i familjes Basha ka ardhur menjëherë pas denoncimit në media nga opozita i audiopërgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas këtyre burimeve konfidenciale rezulton se brenda strukturave të Policisë nuk konfirmohet urdhëruesi i këtij survejimi.

Jeta e liderit opozitar duhet ruajtur me çdo kusht, pasi segmentet kriminale të çfarëdollojshme mund te godasin edhe per t’ia lënë fajin ministrit të Brendshëm.

Po sot, Partia Demokratike njoftoi se Lulzim Basha ka mbledhur drejtuesit e PD dhe të grupit parlamentar. Mësohet se kjo mbledhje është kërkuar nga Basha pas lajmeve se ai dhe familja e tij po survejohet nga policia.

Në takim marrin pjesë nënkryetarët e Partisë, Spaho dhe Paloka, nënkryetarët e komisioneve të Ligjeve dhe Sigurisë, Alibeaj, Noka dhe deputetët Bylykbashi, Strazimiri dhe Salianji. Në takim është edhe sekretari përgjithshëm, Arben Ristani.

Ndërkohë, pas mbledhjes, nënkryetari Paloka, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Noka dhe kryetari i komisionit “Tahiri”, Alibeaj shkojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

SHKARKO APP