Klubi ekuadorian i futbollit dyshohet se financohet nga mafia shqiptare
Mafia shqiptare ka filluar të financojë klube futbolli edhe jashtë Shqipërisë. Akuzat vijnë nga Ekuadori në Amerikën e Jugut.
Klubi ekuadorian i futbollit Astillero FC, që garon në Kategorinë e Dytë, është përfshirë në një debat të fortë publik pas një hetimi të publikuar nga gazetari investigativ Andersson Boscan.
Sipas raportimit të Boscan, janë konstatuar parregullsi serioze financiare në menaxhimin e klubit. Në vitin 2023, Astillero FC ka deklaruar shpenzime që arrijnë në rreth 3.5 milionë dollarë amerikanë, ndërkohë që të ardhurat e raportuara zyrtarisht nuk kanë kaluar 100 mijë dollarë. Diferenca prej mbi 3 milionë dollarësh përbën një nga pikat kryesore të dyshimit të ngritura në hetim.
Gazetari thekson se modeli i shpenzimeve të larta ka vijuar edhe në vitet pasuese:
-
2024: mbi 2.7 milionë dollarë shpenzime
-
2025: rreth 1.8 milionë dollarë shpenzime
Në këto shifra përfshihen rreth 500 mijë dollarë në vit vetëm për pagat e skuadrës profesionale, një nivel i pazakontë për një klub të këtij niveli garimi.
Një tjetër element i vënë në dyshim janë burimet e justifikimit të të ardhurave, ku përmenden fitime të konsiderueshme nga marrja me qira e fushave sportive. Sipas analizës së Boscan, këto të ardhura janë vështirë të mbahen nga ana operative dhe nuk përputhen me realitetin ekonomik të klubit.
Në raport, Boscan e lidh origjinën e financimeve me Héctor Pesantes Sangurima, themelues dhe ish-drejtor i Astillero FC. Ai përmendet në lidhje me kompaninë private të sigurisë Agusegpro, e cila, sipas informacioneve të cituara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit, është përfshirë në një hetim për lidhje të dyshuara me një rrjet kriminal ndërkombëtar, ku përmendet edhe mafia shqiptare.
Gazetari ka theksuar qartë se bëhet fjalë për akuza në fazë hetimi dhe jo për vendime gjyqësore të formës së prerë.
Pas publikimit të investigimit, Astillero FC reagoi me një deklaratë zyrtare, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me aktivitete të paligjshme. Klubi i cilësoi pretendimet si të pabazuara dhe deklaroi se ato dëmtojnë rëndë imazhin, reputacionin dhe integritetin e institucionit, si dhe të drejtuesve dhe anëtarëve të tij.
Çështja mbetet e hapur dhe pritet të sqarohet nga autoritetet përkatëse, ndërsa debati publik në Ekuador vijon me intensitet.
Ndërkohë dhe në Kolumbi e Venezuelë flitet se mafia shqiptare po financon klube futbolli.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?
Results
Vota totale: 4228

