Koço Kokëdhima: Do fillojë Lëvizje për të ndryshuar dhe reformuar PS-në

Ish-deputeti Kokëdhima ka folur tek Eni Vasili se do të fillojë punën për të reformuar PS-në. Prej muajsh ish-deputeti i Partisë Socialiste ka qëndruar jashtë politikës aktive dhe zhvillimeve në forumet drejtuese për shkak të ftohjes me kryeministrin Edi Rama. Afrimi i momentit të përcaktimit të listave me kandidatë për deputetë në zgjedhjet e pranverës së vitit 2017 kanë bërë që Kokëdhima të rikthehet në skenë.

Ish-deputeti dhe sekretari për Reformën Zgjedhore dhe Emigracionin kërkon reformimin dhe fuqizimin e partisë më të madhe të së majtës. Çfarë duhet bërë me politikën shqiptare, leksioni që dha fitorja e Trumpit mbi establishmentin politik dhe nevoja dëshpëruese për të mbështetur shqiptarët e papërfaqësuar

Koço Kokëdhima shpall lëvizjen brenda PS-së

Politikani dhe botuesi Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” e Eni Vasilit, njoftoi mbrëmë nisjen e një lëvizjeje politike brenda Partisë Socialiste për ta demokratizuar, reformuar dhe  fuqizuar atë. “Unë kam për të zhvilluar një lëvizje brenda Partisë Socialiste, që synon reformimin e PS-së dhe të arrihet që çdo anëtar të votojë”- tha ai.
Intervista e Kokëdhimës nisi me jehonën në Shqipëri të fitores së kandidatit republikan në SHBA, Donald Trump, tashmë president i zgjedhur dhe leksioni që dha triumfi i tij, i vetëm përballë establishmetit polilitik dhe duke mbështetur qytetarët e papërfaqësuar.

Fitorja e Trumpit

Kokëdhima shpjegoi disa nga arsyet se pse ka besuar në fitoren e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “E kam ndjekur presidentin e zgjedhur Donald Trump shumë vite më përpara dhe kam qenë i sigurt për vlerat e jashtëzakonshme të këtij njeriu. Për këtë arsye kemi përkthyer libra të tij që në vitet 2004-2005. Madje jam ndikuar nga një libër i tij, “Si të bëhesh i pasur”. Titullin e këtij libri unë e kam përdorur përafërsisht kur bëra një emision radiofonik për këshilla biznesi. Unë besoja plotësisht në fitoren e z.Trump dhe në zhvillimet aktuale në gjithë atë situatë ku kalon lidershipi politik dhe politika botërore”, tha Kokëdhima. Duke komentuar “çelësin e suksesit” të kandidatit republikan, Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në Partinë Socialiste shtoi: “Praktikisht Trump udhëhoqi njerëzit e mërzitur, të zemëruar, të zhgënjyer e të pakënaqur në SHBA. Dhe ky nuk është një fenomen i izoluar, por që prek shumë vende. Trump e dinte që 16 vite më parë që do bëhej president dhe këtë e kishte artikuluar”.
Kokëdhima bëri një krahasim me atë që ndodhi në zgjedhjet presidenciale në SHBA me Shqipërinë. Ai tha se në vendin tonë ka një hendek të madh mes establishmentit dhe qytetarëve. “Kush i përfaqëson të papunët, viktimat e drejtësisë, ata që përballën me arrogancën e zyrtarëve, të përmbyturit, familjet që nuk kanë mundësi që të bëjnë qoftë një festë familjare në vit”, -u shpreh ai dhe vijoi duke thënë se Donald Trump edhe pse luftoi kundër të gjithëve, bëri për vete njerëzit e papërfaqësuar. “Kjo revoltë antiestablishment do të gjejë vend në Shqipëri?”, pyeti Kokëdhima.

Lëvizja në PS

Duke iu përgjigjur pyetjeve të analistëve në emision, Kokëdhima tha se do të mbetet brenda Partisë Socialiste dhe se do të luftojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Unë nuk do të largohem nga Partia Socialiste. Jam socialist dhe jam i qartë në atë çfarë flas dhe do të shtroj pikëpamjet e mia. Mund të shtrohet pyetja se a mund të ndërtohet një lëvizje, e cila të jetë kundër establishmentit politik aktual? Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duhet të kemi një sistem shumë të mirë elektoral, ku votimi të bëhet në mënyrë elektronike. Nëse do të vazhdojmë kështu siç jemi, asnjëherë nuk do të mbarojë korrupsioni në këtë vend. Nëse vazhdohet kështu, nuk do të mbarojnë përmbytjet dhe as problemet në këtë vend. Ka 25 vjet që përmbytet Vlora, sepse fondet publike nuk menaxhohen mirë. Unë them që ky realitet duhet të ndryshojë. Skenat e numërimit të votës është ndër skenat më të tmerrshme që ka Shqipëria.”, tha Kokëdhima.
Ai u shpreh se deputetët duhet të zgjidhen nga anëtarësia dhe jo nga kryetari i partisë. “Funksionarët duhet të zgjidhen nga ana e anëtarësisë dhe jo nga ana e kryetarit. Deputetët, sot e kësaj dite i braktisin qytetarët, për shkak se ata punojnë për kryetarin e partisë, sepse ai i zgjedh. Këta deputetë nuk janë zëri i bazës së partisë, por janë punëtorë, janë të bindurit e kryetarit. Mendoj se këto ide janë shumë të rëndësishme për progresin e vendit tonë. Në Shqipëri ndodhin fenomene të tilla që një deputet shkon nga Lezha, për shembull, në një zonë tjetër. Kjo ndodh sepse deputeti diskretitohet në një zonë dhe shkon diku tjetër, për t’u ricikluar. Duhet të garantohet me ligj, që anëtarësia të zgjedhë deputetët. Partitë duhet të kenë standarde të mira.”, tha ai.
Duke mos u pajtuar me gjendjen aktuale ku ndodhet PS-ja dhe nevojës për reformimin dhe fuqizimin e saj,  Kokëdhima ka shtuar se do zhvillojë një lëvizje reformuese brenda PS-së. “Unë jam një person që kam studiuar, kam punuar gjithmonë dhe kam investuar e mbështetur të gjithë personat që janë të majtë. Askush nuk mund të vëndosë në diskutim faktin që unë mund të bëhem deputet. Anëtarësisë së partisë nuk i duhet mohuar zëri, siç aktualisht ndodh në vend. Ajo parti që nuk pyet anëtarësinë, nuk është parti demokratike. Unë kam për të luftuar për të arritur këto standarde. Unë kam për të zhvilluar një lëvizje brenda Partisë Socialiste, që synon reformimin e saj dhe të arrihet që çdo anëtar të votojë, tha ai.
E pikërisht për këtë çështje unë do të zhvilloj një lëvizje brenda PS-së që synon reformimin e PS-së, që synon pikërisht sanksionimin statutor dhe të së drejtës që përfaqësuesit e PS-së t’i zgjedhë anëtarësia e partisë, sipas modelit “një anëtar, një votë”. Sot kemi një sistem të tillë me lista të mbyllura nga partitë politike dhe mund të diskutojmë se ndryshimi i këtij sistemi është një çështje, është një ndryshim kushtetues, është më i vështirë se sa të zgjidhim standarde shumë më demokratike brenda partive. Dhe është mëse normale, statutore dhe ligjore që përfaqësuesit të zgjidhen nga anëtarësia e partisë. Unë këto ide i ndaj me bazën e PS-së. Nuk ka anëtarë të PS-së që thotë se janë dakord me këto praktika të zgjedhjes së përfaqësuesve, nuk ka anëtar të PS-së që thotë se ne nuk duam që t’i zgjedhim vetë kandidatët për deputetë, ne nuk duam të dimë që kush të jenë.
Ato intelektualë kanë dy rrugë. Duhet të vendosim që anëtarët jashtë partive mund të konkurrojnë edhe brenda në parti politike, por dhe mund të konkurrojnë edhe si kandidatë të pavarur në mënyrë të drejtpërdrejt. Kështu që sot, sistemi jonë elektoral mund t’i mundësojë, nëse ka gjëra që mund përmirësojmë le t’i bëjmë. Por konkurrenca politike duhet të jetë një konkurrencë e hapur, nuk mund të jetë kjo situatë që është sot. Unë besoj se në PS-ja nëse nuk do të implementojë këto ide, e standardet demokratike, PS-ja do të zvogëlohet, do të reduktohet-deklaroi Kokëdhima.

Reformimi dhe demokratizimi

Ish-deputeti Kokëdhima u shpreh se ka qenë dhe mbetet me Partinë Socialiste. “Ne jemi në një vit elektoral. Unë do të punoj për Partinë Socialiste. Unë jam koherent ndaj filozofisë politike të majtë. Z.Trump erdhi në krye të shtetit amerikan për shkak se ai ishte me shtresat, që nuk gjetën mbështetje nga establishmentin politik. Unë jam me zemër dhe me bindje me Partinë Socialiste. Unë do të bëj gjithçka në zonën time për ta fuqizuar PS-në. Besoj plotësisht se atje ka njerëz të mirë, punëtorë dhe të ndershëm. Do të ketë zhvillime shumë pozitive”, tha ai. Zoti Kokëdhima tha se duhet reformuar Partia Socialiste dhe duhet reformuar edhe sistemi politik në vend. “Ky zhvillim është duke u bërë duke pasur pakënaqësi të madhe nga populli. Edhe Edi Rama ka të drejtë të dëgjojë këto propozime dhe duhet ta zhvillojë vendin në mënyrë të drejtë. Unë do të doja që Blushi dhe Hafizi ta bënin luftën brenda PS-së. Lufta duhet bërë brenda partisë më të madhe në vend, për ta fuqizuar atë në rrugën e drejtë”-u shpreh Sekretari për Reformën Zgjedhore dhe Emiracionin në PS.

Kokëdhima: Do të tregoj implikimin për të më nxjerrë nga politika

Kokëdhima foli për një “establishment” të Tiranës të përbërë nga një grup politikanësh të djathtë e të majtë, të cilët janë implikuar që ta nxjerrin nga politika. “Të djathtë dhe të majtë e kanë bërë bashkë këtë gjë. Do tregoj prova të qarta të këtij implikimi. Në çdo çështje kam qenë në anën e interesit të qytetarëve, interesit publik”,- thotë ai. Kokëdhima thotë se nuk i ka shfrytëzuar kurrë njohjet e tij me politikanët për rritjen e bizneseve të tij. “Kam qenë i pari sipërmarrës në këtë vend, jam regjistruar si i tillë që ditën e parë që u lejua. Nuk kam punuar asnjë ditë në shtet, vetëm ditën kur u bëra deputet. S’kam pasur nevojë për asnjë qeveri. I kam krijuar kompanitë në vitin 1991 e me radhë. Në ‘97 kam pasur flotën më të fuqishme të mjeteve dhe teknologjive. Kisha nevojë vetëm për gara të lira, jo për politikën. Nuk e kam përdorur kurrë njohjen me Ramën për biznesin, kurrë nuk jam bërë ortak me politikanët për të fitur në biznes”,- shton ai.
“Si biznesmen, nuk bëj pjesë te njerëzit që thonë mos më pyesni për milionin e parë. Nuk kam asnjëherë të vetme një rast që t’i kem lejuar vetes ndonjë shkelje ligji, apo përfitim të paligjshëm”, tha Kokëdhima.

“Nuk jam kundër ambasadorit Lu, por mbroj sovranitetin shqiptar”

Kokëdhima iu përgjigj sërish ambasadorit amerikan, Lu, duke thënë se ka qenë kundër disa ambasadorëve, që ndërhyjnë në politikën e brendshme dhe që janë kundër mendimit të popullit shqiptar. “Unë nuk jam kundër ambasadorit Donald Lu. Unë e respektoj Lu-në si ambasador të SHBA-ve. Absolutisht që e respektoj, por kam respekt deri aty sa ambasadorët nuk janë kundër vendimit të popullit shqiptar. Unë mbroj sovranitetin e shtetit shqiptar”, tha politikani Kokëdhima.

Refuzimi për të legalizuar kanabisin, i habitshëm

Kokëdhima tha se habitet për faktin që nuk ka strategji për të legalizuar kanabisin. “Unë habitem sesi nuk legalizohet kanabisi. Habitem vërtetë që nuk ndodh kjo gjë, por vazhdon situata e rëndë. Legalizimi i kanabisit duhet bërë patjetër. Na duhet të legalizojmë kanabisin farmaceutik. Unë po iu them se katër shtete në Amerikë kanë legalizuar kanabisin kreativ, për shërimin e disa sëmundjeve. Unë kam qenë gjithmonë në mbështetje të ligjit. Unë kam qenë dhe jam kundër kanabisit ilegal. Duhet të vendosim ekonominë legale. Mbjellja masive e kanabisit është bërë nga ekonomia mafioze, ku janë përfshirë edhe shumë zyrtarë të shtetit. Duhet që të pastrohen zyrtarët e shtetit të lidhur me ekonominë kriminale e me bandat kriminale, duhet që të legalizohet patjetër kanabisi faramceutik”, tha ai.

Ndikimi i rrezikshëm i fondacioni “Soros” mbi politikën

Politikani Kokëdhima tha se është kundër fondacionit “Soros”, për shkak se e quan të papranueshme që një fondacion i huaj të ndikojë politikat e brendshme të Shqipërisë. “Unë mendoj se Soros ndërhyn në çështjet e brendshme të vendit, edhe më tepër nga se duhet. Unë nuk e di sesi Sorosi ndërhyn kaq shumë. Është e papranueshme dhe e rrezikshme që një fondacion i huaj të vijë dhe të ndikojë politikën, duke ndërhyrë në çështje të brendshme të Shqipërisë. Unë kam thënë se kemi nevojë për një reformë të shëndetshme të drejtësisë. Vetëm në Shqipëri ka pasur sherre të rënda mes politikanëve. Reforma në drejtësi nuk duhet të shërbejë për të shkatërruar sovranitetin e vendit. Sorosi nuk duhet të përfshihet në ambiciet për të kontrolluar politikën në Shqipëri. Fondacioni Soros nuk duhet të përfshihet as në ndikimin e politikës ndërkombëtare”, u shpreh Kokëdhima.

SHKARKO APP