Athinë/Koço Kokëdhima sulmon hapur Edi Ramën si “pushtues i Partisë”
Nuk ndalon ish-deputeti Kokëdhima kundër kupolës së vjetër në PS. Ish-deputeti Koço Kokëdhima vazhdon turin e tij të takimeve me socialistë. Kësaj radhe, Kokëdhima ka qenë në Athinë ku është takuar me emigrantë shqiptarë.
Gjatë takimit në Athinë me emigrantët, Kokëdhima foli edhe për lëvizjen politike që ka nisur në Partinë Socialiste. Ai theksoi sërish se reformimi i PS-së do të bëhet nga baza.
Në fjalën e tij, Kokëdhima bëri të ditur se në janar 2017 do të nisë nënshkrimi i peticionit “Unë e zgjedh deputetin që dua”. Ai tha se kjo nuk është lëvizje individuale, por për t’u kthyer të drejtat qytetarëve. Gjithashtu, Koço Kokëdhima tha se nuk do të largohet nga Partia Socialiste, por do të punojë aty me anëtarët e thjeshtë të PS-së.
Mësohet se PS-ja me anë të njërëzve të Gramoz Ruçit në Greqi kishte punuar për ta sabotuar takimin e Kokëdhimës në Athinë. Lëvizja e Kokëdhimës në janar “Unë zgjedh deputetin që dua” do të shtrihet në mbarë Shqipërinë dhe do të bllokoj Edi Ramën të vendosë emrat e tij të preferuar si kandidatë për deputetë.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima fajësoi vetë socialistët për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hoqi mandatin për deputet dhe për largimin e tij nga strukturat drejtuese të PS.
“Marr kurajon t’ju them se vetëm tri javë pasi u zgjodha, mandati im i deputetit u godit nga një proces tërësisht politik, ku u investuan fatkeqësisht, edhe drejtuesit e të majtës. Ata e shfrytëzuan këtë vendim të Kushtetueses për të eliminuar rolin dhe funksionin tim në parti. Gjatë këtyre muajve unë isha vetëm formalisht sekretar për emigracionin. Këta drejtues kanë përgjegjësi të madhe, jo thjesht se bashkëpunuan me Saliun kundër mandatit tim, por kryesisht për faktin se në vend të solidaritetit parimor, në qarqet drejtuese të së majtës, sundon kultura e përçarjes, intrigave dhe thashethemeve, lufta e paprinciptë brenda llojit, në vend që të mbretërojë puna e përgjegjshme për të zgjidhur problemet e qytetarëve”, tha Kokëdhima gjatë një takimi me mbështetës në Athinë. Prej javësh, Koço Kokëdhima ka nisur një lëvizje në PS, ku nuk ngurron të sulmojë edhe Edi Ramën.
Në fjalën e mbajtur në Athinë, Kokëdhima ka folur për nevojën e ndryshimit të Partisë Socialiste, pasi sipas tij gjithçka e kontrollon Rama.
“Zgjedhjet dhe pushtetet i kanë përqendruar në duar kryetarët e partive të mëdha. Asnjë pushtues nuk do ja kishte bërë këtë të keqe popullit shqiptar. Dini ndonjë rast tjetër në botën demokratike që të jetë kështu? Nuk ka asnjë rast të tillë. Partitë politike nuk kanë demokraci të brendshme. Kryetarët e partive janë bërë njësoj si të ishin pronarë të tyre. Tani sillen edhe si pronarët e Shqipërisë. Ata kanë uzurpuar çdo pushtet dhe janë të shkëputur nga të vërtetat e njerëzve të thjeshtë. Duket se tani kemi dy parti socialiste. Njëra është partia e socialistëve të thjeshtë, ndërsa tjetra është partia e udhëheqjes”, tha Kokëdhima.
Kokëdhima nëse arrin ta bëjë reale këtë lëvizje politike në bazën e PS-së kthehet në ikonë e socialistëve rilindas. Tashmë Kokëdhima po starton seriozisht dhe fort për të qenë ai që do ta bëjë PS-në një parti të socialistëve të thjeshtë. Pas Edi Ramës duket se PS-ja e gjeti liderin e saj të ardhshëm. Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri e kanë shumë të vështirë përballë Kokëdhimës kur të votohen për vendin e kryetarit të PS-së.
Porosia nga kryesia e PS-së u lëshua prapë dje që ” asnjë socialist të mos shkojë në takimet e ish-deputetit dhe ish-sekretarit të PS-së, Kokëdhimës”.