“Koka” e Ramës me “gojën” e Majkos kërkon zgjedhje të reja dhe Referendum

Punët nuk duken mirë në kupolën e shtetit dhe të politikës. Reforma në drejtësi ka krijuar të çara të mëdha mes mazhorancës dhe opozitës. PS dhe LSI janë dakort për ta votuar Reformën, kurse PD e opozita nuk kanë garanci tek kjo Reformë, e cila sipas tyre fut nën kthetrat e Ramës sistemin e drejtësisë. PD kërkon patjetër zbatimin e nenit 88 të përcaktuar nga Komisioni i Venecias. Ka edhe informacione se disa deputetë të PS-së nuk do ti votojnë në bllok disa nene të Reformës, ndër to deklaroi hapur në media edhe Eduart Ndocaj. Por flitet edhe një deputete e PS-së nga Vlora. Natyrisht që ka mendime, debate, kundërshtime, reagime dhe deputeti voton sipas vendimit të partisë së tij, por mbi të gjitha mbi parimet e bindjet e tij. Deputeti nuk është kukull që e luan si të dojë partia. Ndaj në PS ka plot mendime se duhet gjetur forma e një bashkërëndimi me PD për ta miratuar nenin 88 ose diçka të tillë, duke ruajtur neutralitetin e drejtësisë.

Ka mundësi që insistimi i prerë i Edi Ramës  se nuk ka asnjë negociatë tjetër dhe se nuk heq dorë që të ulet për nenin 88 me PD të ketë një skemë tjetër dinake. Duke e ditur se qeverisja ka shumë probleme dhe varfëria mund ta gropos në zgjedhjet e vitit 2017, atëhere para se zemërimi popullor të jetë si për PD-në në qershor 2013, Edi Rama po krijon të gjitha premisat që të shkojë ne zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe nën petkun e Referendumit të Reformës së Drejtësisë, Rama po luan bukur dhe djallëzisht për ti vënë para faktit të tjerët; zgjedhje për 45 ditë. Duke e ditur reagimin popullor ndaj drejtësisë së korruptuar synon të fusë në një ditë edhe Refendumin dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e indentifikuar qëllimisht votimin për PS edhe si votë kundër sistemit të drejtësisë.

Taktikë e djallëzuar !

Pra është Edi Rama që luan për të mos votuar Reformën në Parlament me qëllimin e mësipërm për të shkuar në zgjedhje parlamentare. Ka mundësi që disa deputetë të mazhorancës ti nxjerrë e suportojë fshehtas vetë Kryeministri në  mënyrë që t’ju thotë ndërkombëtarëve se “ po më bëjnë presion edhe të mijtë” ndaj të shkojmë në zgjedhje!

Këtë e nxori sot me anë të Pandeli Majkos, ish-kryeministë socialist. Majko shkruante ne profilin e tij në Facebook se duhet të shkojmë, sipas mendimit të tij personal (!), në zgjedhje të parakohshme dhe Referendum…. Pra ato që ka në mendje Edi Rama i nxori me gojën e Majkos tek profile i tij !

Ja se çfarë shkruan Edi Rama nën emrin e Majkos :

Vlen të shkruhet dhe rishkruhet se “pika 88” e vlerësimeve të Komisionit të Venecias e cila ka “bllokuar” aktualisht Reformën e Drejtësisë sipas opozitës shkruan: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”

Pyetja naive që mund të bëhet nga kushdo që e kupton shqipen e shkruajtur kur lexon këtë vlerësim me “numrin 88” është se cfarë nuk i përmbushet opozitës me këtë vlerësim të Komisionit të Venecias? Ajo që vlen të ripërsëritet si përgjigje fillon nga pjesa e parë e “pikës 88”: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë…” Pra, gjithçka e “pikës 88” fillon me një kusht me “Nëse…”-në që nuk e komenton asnjë opozitar sot. “Nëse palët nuk bien dakord për NJE SHUMICë TE CILESUAR(!)…

O miq, vëllezër e motra, që nuk na keni votuar! Ne socialistët, mund të kemi një “thes” me probleme e të meta. Por, a mundet që oponentët tanë politikë (që kanë votën tuaj) ta shpjegojnë në shqipen e kuptueshme se: “KUSH ESHTE SHUMICA E CILESUAR QE PARTIA SOCIALISTE KA REFUZUAR?!”

Të dalë një i vetëm dhe të thotë shqip dhe qartë: – KERKUAM KETE SHUMICE TE CILESUAR DHE PARTIA SOCIALISTE E REFUZOI! Ndjesën më të thellë dhe siç thotë fjala e vjetër “e hëngshim turpin me bukë” nëse Partia Socialiste e ka bërë këtë! POR a e ka bërë?! Përgjigja është një rrokëshe: JO!

Cfarë është kjo lodër fëmijësh me pikën 88 të Komisionit të Venecias që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit?! Kjo qenka arsyeja pse vendi ynë Shqipëria të shpallet shtet i dështuar dhe të bllokohet në “karantinë” për vite, pa hapur negociatat me Bashkimin Europian?!

Kemi kërkuar REFERENDUM që publiku të vendosë mbi diferencat që partitë politike kanë për reformën në drejtesi! Për ta realizuar referendumin duhet që ai të miratohet me 94 vota në Kuvend… Oponentët e Partisë Socialiste NUK PRANOJNE REFERENDUM! Duan “marrëveshje politike” mbi një “pikë 88” që nuk ka kuptim ashtu si e shpjegojnë ata!!! Në Kuvend, të enjten e fundit, opozita doli me një kërkesë tjetër, të padëgjuar në asnjë deklaratë të mëparshme, në tavolinat e punës së reformës apo në gjithë dokumentet me shkrim që kanë depozituar për këtë cështje…

Tani opozita dëshiron që VERIFIKIMIN e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit (VETING-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpjegimi, i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është “se preket sovraniteti i vendit”(!)

Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se “Kjo është një mrekulli e lirisë”… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vijnë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avjonët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar “shqipërimin” e kësaj që ndodh.

Sot, lexova në media se opozita kërkon që nëse nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias ajo do e kërkojë këtë tek votuesit në ZGJEDHJE të reja. Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake. Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. Ti bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes.

Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë peng vendin arsyetimeve të një opozite që di vetem cfarë nuk do. Nëse demokratët janë gati, ti ftojmë së bashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!

Populli ynë nuk është dele. Ai flet edhe kur hesht. Delet nuk meritojnë referendum! Shpresoj të kuptohet se cfarë vjen kur populli ynë vendos ta refuzojë trajtimin si “dele”!

Nuk ka gjë më të guximshme në politikë se të bësh “gjënë e gabuar” për arsyen e duhur dhe interesat e vendit! Kjo punë do burrëri! Për atë që beson se është, sigurisht. Të tjerat janë fjalë!

Tekst me stil edivist. E ka shkruar nga celulari vetë Rama dhe ia ka nisur Majkos që të dilte si qendrim “personal” i Majkos ! Ish-kryeministri Majko nuk di të shkruajë kaq gjatë. Nuk e ka bërë asnjëherë. Ndaj ky tekst mbetet stil, ide e djallëzi e Edi Ramës.

Diçka po luhet në mazhorancë për të krijuar pretekstin e zgjedhjeve të parakohshme dhe për ti fituar, sipas tij. Nga ana e opozitës nuk janë përgatitur për këtë skemë të kryeministrit, ndonëse sot Lulzim Basha theksoi se duhet të krijojmë qeveri teknike dhe të shkojmë në zgjedhje.

Nuk dihet mendimi i LSI si faktor kryesor qeverisës, ndonëse Meta është për votimin e Reformës në Parlament siç kërkojnë SHBA e BE.

Nesër ka një mbledhje të grupit parlamentar të LSI. Të shohim çfarë do thotë Meta nesër.

SHKARKO APP