Kokëdhima denoncon Ramën: Po heq taksat për miqtë që ndërtojnë hotele dhe pallate
Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përfshirje të projekteve ndërtuese me biznesmenët dhe oligarkët që i cilëson si miqtë e tij. Në një reagim për media, Zgjidhja thotë se pjesë e kësaj skeme të Ramës me oligarkët është dhe heqja e taksës së infrastrukturës për ndërtimin e hoteleve me pesë yje.
“Në emër të nxitjes së turizmit, qeveria shqiptare ka miratuar lehtësi të shumta për hotelet me 4 dhe 5 yje, si përjashtim nga tatim fitimi për 10 vite, heqjen e taksës së pronës dhe heqjen e taksës së infrastrukturës për hotelet me 5 yje. Lehtësitë i fitojnë hotelet që klasifikohen me status special dhe kriteret e këtij statusi miratohen dhe jepen nga Këshilli i Ministrave”,- thuhet në reagimin partisë së Koço Kokëdhimës.
Deklarata thekson se heqja e taksës së infrastrukturës do të bëhet jo vetëm për hotelet, por edhe pallatet e tjera që do të ndërtohen në Tiranë. “Sipas burimeve të “Zgjidhja”-s, taksa e infrastrukturës, një nga burimet më të mëdha të financimit të pushtetit lokal, pritet të hiqet jo vetëm për hotelet me 5 yje, por edhe për disa prej kullave shumëkatëshe që pritet të ndërtohen në mes të kryeqytetit, përmes manipulimeve me statusin special”,- shprehet Zgjidhja.
Heqjen e taksës Kokëdhima e cilëson si nderin e radhës që Rama u bën miqëve personalë, pas koncesioneve të tjera antikombëtare. “Pasi plani rregullues u hartua pa transparencë në një mënyrë të tillë që mundësonte ndërtimin e kullave aty ku vinin gishtin oligarkët e Ramës, tashmë ata nuk duan të paguajnë as taksën e infrastrukturës, që është 8% e vlerës së shitjes së ndërtesës dhe që arrin miliona euro për kullat e larta. Ata kanë shtyrë planet për ndërtimin e kullave, në pritje të lehtësive fiskale, që duan t’i fitojnë padrejtësisht.Është ky nderi i radhës që Rama përmes mashtrimeve dhe spekullimeve po u bën miqve të tij, me të cilët po ndan gjithçka, duke filluar nga tenderat e deri te koncesionet antikombëtare. ZGJIDHJA denoncon këtë abuzim me statusit special në fjalë i cili, në thelbin e vet dhe veç të tjerash, deformon dhe shkatërron edhe lirinë dhe barazinë e konkurrencës së operatorëve në treg”,- shprehet Zgjidhja e Kokëdhimës në një deklaratë për mediat.