Kokëdhima lëshon piskamën luftarake: Të përmbysim tiraninë e kusarëve, të shpëtojmë Shqipërinë!

Sot ka shpërthyer Koço Kokëdhima, biznesmen i njohur, botues, politikan, ish-deputet i PS dhe ish-mik i ngushtë i Edi Ramës. Koço bën thirrje për përmbysje të kryeministrit, bile lë të kuptohet se është gati të prijë karvanit popullor, edhe duke u sakrifikuar personalisht në emër të drejtësisë. Dhe  Koço shquhet për sakrifica njerëzore, aqsa i kujtoj edhe Avni Rustemin, kryeministrit.

Ja se ç’shkruan Kokëdhima sot: “Unë kam përkushtimin, kurajon, dijet, forcën, urtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur që ta udhëheq popullin tonë drejt shembjes së tiranisë që na sundon”. 

Pas kësaj thirrje luftarake e sublime, Koço Kokëdhima ka takuar miqtë, familjen dhe të afërmit, për t’ju thënë se do udhëheqë popullin shqiptar për ta çliruar nga tirania e Edi Ramës, ish-mikut të tij.

Ja se çfarë shkruan sot Koço Kokëdhima:

Instituti i Statistikave konfirmoi zyrtarisht që shqiptarët po ikin masivisht nga vendi. Të rinjtë dhe familjet me fëmijë të vegjël po e shohin të ardhmen e tyre shumë larg. Çdo vit janë larguar nga vendi mbi 40 mijë persona në këtë periudhën e fundit. Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 0,2 për qind në vitin 2017. Grupmosha deri ne 19 vjeç pati rënien më të madhe me 15 mijë persona. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, për më pak se 100 vite, Shqipëria nuk do ketë më shqiptarë. Kjo është një tragjedi. Vendi që i rezistoi Romës, Bizantit, Perandorisë Osmane, nazistëve dhe diktaturës në të shkuarën, sot rrezikon të zhduket. Këtë po e bëjnë kriminelët e politikës, maskarenjtë dhe mafiozët e partive të vjetra në pak vite. Familjet e reja nuk duan të lindin fëmijë, sepse ose nuk i kanë mundësitë ekonomike, ose nuk duan të rrisin fëmijët e tyre në një vend që nuk ofron asnjë perspektivë. Këtu nuk mund të gjesh një punë, nëse nuk je i lidhur me politikën. Nuk mund të bësh biznes po të mos korruptosh politikanët. Meritat, dijet, aftësitë nuk vlejnë për asgjë. Ja pse e ardhmja e vendit është në rrezik. Ne nuk duhet t’i lëmë të na zhdukin si komb! Është koha të marrim fatin në duart tona.
ZGJIDHJA është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka vizionin, programin, vullnetin dhe aftësinë të udhëheqë popullin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe mirëqenies. Liri dhe më shumë punë, më shumë të ardhura, më shumë mbrojtje sociale, drejtësi dhe zero korrupsion.
Unë kam përkushtimin, kurajon, dijet, forcën, urtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur që ta udhëheq popullin tonë drejt shembjes së tiranisë që na sundon. Zgjohuni! Kush e ka dorëzuar lirinë për pak para, siguri dhe paqe nuk meriton as liri, as para, as siguri dhe as paqe. Të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe t’i përmbysim kusarët dhe kriminelët që mbajnë peng Shqipërinë prej 27 vitesh! Mos u trembni! Ne s’kemi çfarë të humbasim. Shqipëria është kthyer në parajsë për tiraninë e hajdutërisë dhe ferr për popullin e thjeshtë që shtypet e dëbohet pa mëshirë. Nga kjo luftë do të fitojmë lirinë, jetën, të ardhmen; do të fitojmë Shqipërinë që kemi humbur. Ajo as na njeh, as na do dhe as na mban më! Për këto ia vlen të sakrifikojmë gjithçka!

SHKARKO APP