Kokëdhima: Zgjedhjet kanë rënë. Rama, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë
Nga qyteti i Korçës, kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka bërë parashikime të errëta për zhvillimet politike në vend. Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë kritike ku destabiliteti dhe përplasjet janë shumë afër.
Kokëdhima akuzon kreun e PS-së dhe Kryeministrin Edi Rama si politikanin që me kokëfortësi po e çon vendin drejt kaosit. Dikur miku më i afërt të Kryeministrit Edi Rama, sot Kokëdhima e krahason atë me Sali Berishën. Ai shprehet se ashtu si Berisha në vitin 1997 edhe sot Edi Rama është gati ti vërë zjarrin vendin vetëm për interes të karriges së tij.
Kokëdhima ka bërë apel që Kryeministri të kërkoj dialog politik për të futur opozitën në zgjedhje. “Nga kjo tribunë dua t’u rikujtoj edhe një herë liderëve politikë të papërgjegjshëm dhe dritëshkurtër të Shqipërisë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe se ato në asnjë rast nuk do prodhojnë dot as institucione legjitime dhe as stabilitet”,- tha Kokëdhima.
Kreu i Zgjidhja akuzon Kryeministrin se po ndërton një opozitë false dhe do të shkojë në parlamentin e ardhshëm si një sulltan.
“Ky do shkojë në parlamentin e ardhshëm si “sulltani i vogël” përballë kësaj opozite të sajuar. Ai është betuar se në katër vitet e ardhshëm do të përfaqësojë edhe elektoratin e opozitës reale, e cila nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ndjej vërtet keqardhje për këta aleatët e vegjël të cilët, të rraskapitur nga dështimi i tyre shumëvjeçar, të lodhur nga zhgënjimet dhe të ndjerë të përdorur nga kalorësit e pushtetit, mendojnë se ju ka ardhë rasti në dorë dhe mundësia që të përfitojnë tani që “Komanda Supreme e Rilindjes” po i bën copë zgjedhjet, opozitën dhe Shqipërinë”,- tha Kokëdhima.
Fjala e plotë e Koço Kokëdhimës në Korçë:
Të dashur miq, Vendi është zhytur në një krizë të rëndë politike. Opozita është në rrugë. Ajo nuk është regjistruar dhe nuk paraqiti kandidatë për zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhjet e datës 7 maj në Kavajë nuk mund të zhvillohen normalisht. Kavaja është në prag të një konfrontimi të madh. Bashkë me zgjedhjet e Kavajës janë hedhur në erë edhe zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit. Vendi po shkon drejt kaosit dhe destabilizimit. Pasojat e kësaj situate janë shumë të rënda për çdo ditë që kalon dhe për cdo ditë që vjen. Lidershipi i qeverisë u përpoq të manipulonte haptazi opinionin publik me javë të tëra. Duke mohuar të vërtetën dhe situatën reale politike, e la dhe po e zhyt edhe më thellë vendin në thonjtë e një krize të papreçedentë. Edhe në krizën e përgjakshme famëkeqe të piramidave financiare të 1997-ës, Shqipëria arriti asokohe të mbajë zgjedhje gjithëpërfshirëse. Ai thotë se “krizë ka vetëm PD-ja”, “vendi nuk ka krizë”, “nuk më shqetëson fare fakti se opozita do jetë në rrugë dhe jo në parlament në 4 vitet e ardhshme”, “vdektë çadra”, “zgjedhjet e Kavajës do bëhen në 7 maj”, “zgjedhjet e 18 qershorit nuk vihen në dyshim, do bëhen fiks në 18 qershor”, “shihemi pas katër vitesh” e të tjera broçkulla si këto. “Zgjidhja” ka paralajmëruar opinionin publik dhe të majtën jo vetëm për faktin se këto deklarata i bëjnë njerëz që nuk shikojnë më larg se hunda dhe karrikja e tyre, por edhe për rrezikshmërinë e madhe të këtyre qëndrimeve e vlerësimeve politike.
Nga kjo tribunë dua t’u rikujtoj edhe një herë liderëve politikë të papërgjegjshëm dhe dritëshkurtër të Shqipërisë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe se ato në asnjë rast nuk do prodhojnë dot as institucione legjitime dhe as stabilitet. Shqipëria po shkon drejt një situate kritike. Rama mendon dhe tenton që të rindërtojë me ca nga këto partizat e shportës së koalicionit të tij, një grup që do bëhet opozita farsë dhe e emëruar e vendit. Dhe ky do shkojë në parlamentin e ardhshëm si “sulltani i vogël” përballë kësaj opozite të sajuar. Ai është betuar se në katër vitet e ardhshëm do të përfaqësojë edhe elektoratin e opozitës reale, e cila nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ndjej vërtet keqardhje për këta aleatët e vegjël të cilët, të rraskapitur nga dështimi i tyre shumëvjeçar, të lodhur nga zhgënjimet dhe të ndjerë të përdorur nga kalorësit e pushtetit, mendojnë se ju ka ardhë rasti në dorë dhe mundësia që të përfitojnë tani që “Komanda Supreme e Rilindjes” po i bën copë zgjedhjet, opozitën dhe Shqipërinë.
I ftoj të gjithë të gjykojnë situatën me gjakftohtësi dhe të mos bëhen pjesë e lojërave të errëta për pushtet që rrezikojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Në këto 26 vite në vendin tonë ka sunduar një regjim hibrid, i korruptuar deri në palcë, i cili ka inkriminuar në çdo qelizë shtetin dhe shoqërinë, një regjim antipopullor, i pashpirt dhe i bazuar te tutkunët, të paaftët, servilat, mafiozët, horrat dhe maskarenjtë; rregjimi i partitokleptokracisë. Tani, pas 26 vitesh, jo vetëm që nuk ka asnjë shpresë për të vendosur demokracinë e ëndëruar, por Edi Rama po zhduk edhe të vetmen arritje madhore të sistemit politik aktual, po shkatërron e varros edhe pluralizmin politik të institucionalizuar. Largimin e opozitës nga parlamenti i ardhshëm, ai e konsideron të ligjshëm! Ky është një gabim tragjik i kryeministrit.
Është e vërtetë se politika mishërohet në ligjet që bëhen, por është arsyetim i cekët të thuash se ligjet prodhojnë politikën. Ai ka përgjegjësi politike, morale, shtetërore dhe qytetare. Nuk mund të justifikohet se ia lejon ligji të lërë jashtë zgjedhjeve 40 për qind të shqiptarëve. Këtë ai e bën vetëm për interesa personale. Disa herë ai ka mbrojtur me kokëfortësi interesin dhe pushtetin personal në dëm dhe në injorim të interesit të së majtës dhe të interesit të popullit.
Në vitin 2009 ai refuzoi koalicionin me LSI dhe i dha edhe 4 vite të tjera pushtetin Berishës vetëm sepse kërkonte më shumë pushtet personal. Për të njëjtën arsye në vitin 2011 Rama e çoi në humbje Partinë Socialiste në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Ata që arsyetonin me logjikë të ftohtë e dinin se Rama do e humbiste betejën, por ai i shkoi me kokëfortësi deri në fund idesë së tij, sepse nuk e mendonte dot veten asnjë ditë pa pushtet. Edhe sot ai, me kokëfortësi është duke e çuar vendin drejt konfliktit dhe destabilizimit vetëm, sepse nuk pranon ta zgjidhë këtë krizë me mjete politike. Si Saliu, ai është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë për karrigen e tij. Opozita e vendit nuk është as Sali Berisha dhe as Lulzim Basha, nuk është as trupa parlamentare e Partisë Demokratike. Opozita e vendit janë 40 për qind e popullit shqiptar, janë motrat dhe vëllezërit tanë që ndajnë bindje të ndryshme politike, ideologjike, kulturore e filozofike nga tonat.
Sali Berisha dhe shumë nga drejtuesit e Partisë Demokratike kanë bërë një luftë të ndyrë, të padrejtë, të paligjshme dhe plot me shpifje e sulme politike shkatërrimtare mbi jetën, karrierën dhe interesat e mia dhe të familjes time; kanë sulmuar çdo gur e çdo të gjallë të lidhur me mua. Ata mbeten kundërshtarët e mi më të egër politikë. Është e freskët për të gjithë se politikanët e opozitës, së bashku me mercenarët dhe killerët e paguar mediatikë të qeverisë bënë kundër meje 30 mijë publikime në 3 vjet të mbushura me shpifjet dhe sulmet më monstruoze që mund të bëhen ndaj një njeriu. Këto sulme çnjerëzore dhe tërësisht politike të opozitës së Saliut, i përdori lidershipi i PS-së në rrugë, komplotiste e përmes urdhërimit politik të Gjykatës Kushtetuese që të rrëzonte mandatin tim të deputetit një vit më parë. Unë nuk merrem me ta. Kurrë nuk i kam përkthyer në konflikte personale mospërputhjet, sulmet dhe luftërat politike. Çdo minutë të jetës time në politikë do e përdor për interesat e qytetarëve. I kam lënë të dy palët në dorë të perëndisë dhe në gjykimin e popullit tonë.
Kjo krizë është shumë e rrezikshme për popullin dhe atdheun tonë. Nga kjo situatë do të përfitojnë vetëm interesat e huaja, shqiptarët vetëm do të humbasin e do të vriten. Kriza e sotme është një krizë e shumëfishtë, që fsheh brenda vetes disa kriza e shkaqe të thella e të rënda politike dhe institucionale. Rama përpiqet t’i fshehë përmasat dhe arsyet e vërteta të kësaj krize. Ai kërkon t’u hedhë hi syve opinionit të brendshëm dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai përpiqet ta paraqesë krizën si rastësore dhe ta kapërcejë atë me artifica elektorale dhe me argumente tekniko-ligjore. Kjo nuk e zgjidh situatën, vetëm e ndërlikon dhe e bën më të vështirë atë. Në themel të kësaj krize qëndron shkatërrimi i institucionit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqipëria ka dështuar të ketë zgjedhje të lira në këto 23 vitet e fundit.
Berisha dhe PD e instaluan vjedhjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata mbajnë përgjegjësitë më të rënda për zhgënjimin e shpresave të shqiptarëve se në këtë vend do vendosej demokracia, sundimi i shtetit ligjor, shenjtëria e lirive politike, shoqërore dhe ekonomike, mirëqenia dhe drejtësia, respekti dhe mbështetja për ëndrrën, meritën, aftësinë dhe kontributet e seicilit në shoqëri. Rama dhe Partia Socialiste nuk u distancuan nga kjo kulturë, ju bashkuan asaj. Të dy palët janë përgjegjëse për krimet elektorale dhe për shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këto 23 vite. Sistemi politik dhe elektoral që kemi sot është ai që ndërtoi Berisha me Ramën në këto 12 vitet e fundit, është ai që la në fuqi Berisha përpara katër vjetësh. Sot Berisha dhe PD-ja ndihen të kërcënuar nga të njëjtat poshtërsi që ata u bënë kundërshtarëve të tyre për vite me radhë në Shqipëri. Ç’kanë mbjellur janë duke korrur. Aktorët që artikulojnë sot problemet e rënda të zgjedhjeve dhe që e kanë futur vendin në krizë, janë kush më shumë e kush më pak të implikuar me krime e korrupsion, janë përgjegjës për gjithë këto të zeza që i janë bërë popullit shqiptar në këto vite të tranzicionit.
Shqipëria është i vetmi vend në kontinent që nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Socialistët dhe demokratët vazhdojnë të vjedhin dhe manipulojnë vota në çdo palë zgjedhje. Qeveria e majtë e di shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve tona. Ajo nuk mori asnjë masë për pastrimin e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore pavarësisht se ka 4 vite që gëzon mbështetje të cilësuar në parlament dhe nuk kishte asnjë pengesë për të bërë reformën e dëshiruar që do e zgjidhte një herë e përgjithmonë problemin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Ne kemi një çerek shekulli që monitorohemi dhe asistohemi nga misioni ndërkombëtar i OSBE/ODIHR-it. Një çerek shekulli që këto misione dhe aleatët tanë ndërkombëtarë raportojnë zgjedhje me probleme, por “të pranueshme”. Këto misione kanë dështuar. Prania e ndërkombëtare nuk i ka bërë zgjedhjet tona më të lira e më të ndershme dhe as nuk e ka ndihmuar Shqipërinë të bëjë zgjedhje me standarde si vendet nga vinë diplomatët dhe ekspertët e këtyre misioneve. Këta diplomatë që çertifikojnë zgjedhjet e Shqipërisë as nuk mund t’i mendojnë dot zgjedhje të tilla për vendet e tyre. Vendet e tyre do përvëloheshin në flakë po të bënin dhe po të çertifikonin zgjedhje si tonat.
Zgjedhjet e 18 qershorit po dështojnë. Ato nuk mund të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, as gjithëpërfshirëse e të paqta. Ky është një dështim edhe për ambasadorët e vendeve tona partnere, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimet tona politike. Ata e dinë shumë mirë se Shqipëria qeveriset nga njerëz të korruptuar e të inkriminuar të cilët janë arrogantë, brutalë e mizorë me qytetarët shqiptarë, por servilë e të përunjur ndaj diplomatëve të huaj. Këta diplomatë është dashur të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për reformën zgjedhore dhe për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo nuk ndodhi. Ndodhi e kundërta. Qeveria dhe ambasadorët e përbuzën totalisht dosjen e zgjedhjeve dhe atë të reformës zgjedhore. Kjo është e paimagjinueshme. Kujt i intereson që ky vend të vazhdojë të lëngojë në thundrën e këtyre regjimeve të korruptuara sepse nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme?!
Populli shqiptar ushqen ndjenjat më të larta të miqësisë, respektin, dashurinë dhe mirënjohjen më të thellë për SHBA-të dhe për popujt e BE-së. Me zemër, vullnet dhe vetëdije të thellë kombëtare, historike, kulturore e politike, shqiptarët kanë zgjedhur si orientim final për të ardhmen e tyre integrimin e plotë e përfundimtar në aleancën e NATO-s dhe në BE. Unë jam i sigurtë se partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë nuk kanë nevojë për servilë të korruptuar e të inkriminuar në politikën dhe në qeverinë e Tiranës. Përmbushjen dhe mbështetjen e interesave të ligjshme të partneriteteve tona strategjike, do e kishte për nder dhe privilegj çdo pushtet, zyrtar i lartë dhe institucion në Shqipëri. Unë besoj se kuotimi i servilizmit të përdalë të qeveritarëve tanë të korruptuar dhe të inkriminuar ndaj ambasadorëve dhe interesave të huaja, nuk është as në shërbim dhe as në interes të partneriteteve tona strategjike. Përkundrazi, është në dëm të tyre dhe në dëm të popullit tonë. Nuk i ndihmojnë punët e popullit tonë deklaratat e liderit të koalicionit të majtë kur thotë se unë, (nënëkuptoni atë) nuk e lexoj kushtetutën, ose kur thotë se unë i firmos në të bardhë ndryshimet e kushtetutës dhe këtë letrën e bardhë të firmosur ja jap ta shkruajnë partnerët tënë ndërkombëtarë. Të njëjtat deklarata ka bërë kryeministri ynë edhe për kodin zgjedhor, infrastrukturën dhe reformën zgjedhore, ekonominë kriminale të marijuanës etj. Këto nuk tregojnë përkushtim për zhvillimin e interesave të partneriteteve strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo është një kartë që politikanët e Tiranës e luajnë për t’u shitur këtu si të përzgjedhurit e fuqive më të epërme të kohës dhe për ta përdorë këtë kartë si alibi për të përligjur paudhësitë, tradhëtitë dhe punët e mallkuara që bëjnë në drejtimin e vendit. Keta zyrtarë të lartë janë të marrë e të poshtër që na kujtojnë të gjithëve për budallenj. Qytetarët dhe zgjedhësit shqiptarë nuk e pëlqejnë dhe e refuzojnë protagonizmin e papërligjur të ambasadorëve që as nuk janë të zgjedhur dhe të ngarkuar nga populli shqiptar për të luajtur atë rol që luajnë shpesh herë, në tejkalim flagrant e të plotë të vijave të kuqe që përcakton konventa e Vjenës për sjelljen dhe veprimtarinë e diplomatëve të huaj në vendin pritës dhe as nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë.
Ambasadorët e huaj nuk zgjidhen nga populli shqiptar, as nuk përfaqësojnë interesat e shtetit shqiptar domosdoshmërisht, në qëndrimet që mbajnë. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për dështimet tona. Ambasadori i OSBE-së, zoti Borchart duhet të na thotë se si mund të shkojë Shqipëria në Europë me këto zgjedhje ku dy partitë e mëdha vjedhin dhe shqyejnë votat e partive të tjera?! Standardet e zgjedhjeve shqiptare nuk janë të pranueshme në asnjë vend demokratik të botës. Ç’mendon OSBE për këtë? Ka ndonjë përgjegjësi ajo?
Misioni i OSBE/ODIR-it nuk është investuar dhe nuk ka luajtur rolin e duhur për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kudo në vendet e Lindjes kishte probleme me zgjedhjet, por kudo këto probleme u zgjidhën. Edhe në Ballkan asnjë vend nuk ka problem me zgjedhjet. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent ku vidhen zgjedhjet. Ambasadori i OSBE-së do të vlerësohesh shumë në rast se në vend të mbështetjes për justifikimet e qeverisë, ai do ndihmojë që të bëhet reforma zgjedhore dhe sivjet në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje vërtet të lira e të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” edhe një herë e fton Ramën që të tërhiqet, të mos jetë më problemi, por të bëhet pjesë e zgjidhjes. Ne i kërkojmë që të bëhet reforma zgjedhore, të shtyhen zgjedhjet për në vjeshtë, të sigurohet infrastruktura zgjedhore me elementët dhe teknologjitë që do të garantonin pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, të zëvendësohet administrata zgjedhore partiake me administrimin shtetëror të zgjedhjeve dhe të merren të gjitha masat ligjore që do garantonin një herë e përgjthmonë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në të kundërt Rama do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për pasojat që mund t’i vijnë vendit dhe qytetarëve nga kjo krizë.
E majta, përpara Ramës, ka ditur t’i zgjidhë krizat me mjete politike efikase dhe jo me kokëfortësi. Në 8 vitet e qeverisjes së kaluar të Partisë Socialiste, katër herë u ndryshua qeveria e saj me qeveri dhe kryeministra të tjerë të së majtës. Edhe sot kjo është plotësisht e mundur. Partia Socialiste mund të krijojë një qeveri të shumicës së majtë që garanton besim dhe zgjedhje të lira e gjithëpërfshirëse në vjeshtë, zgjedhje që do i mundësonin të majtës të qeverisë edhe katër vite të tjera në paqe. Dje Ilir Meta u zgjodh president i vendit. Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar. Ilir Meta dhe LSI janë aq të lidhura me njëra-tjetrën. Opinioni publik pret të mësojë se çfarë roli do luajë zoti Meta dhe LSI tani për tejkalimin e krizës politike. A do mundet presidenti i ri të ndihmojë që populli ynë të shkojë i bashkuar në zgjedhjet e sivjetme? Nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë. Unë uroj që zgjedhja e tij t’i shërbejë çtensionimit të situatës dhe bashkimit të popullit në zgjedhje. Të ruhemi nga ata që duan të nxjerrin përfitime nga përçarja e popullit tonë. Kriza aktuale është e rrezikshme, e thellë dhe e shumëfishtë. Ajo fillon qysh në vitin 1994 dhe ka të bëjë me kalbëzimin e sistemit politik në Shqipëri. Gjithë këto megaabuzime elektorale në të cilat përfshihen mijëra e mijëra njerëz nga të dy palët dhe nga të tërë institucionet, nga administrata zgjedhore, ekzekutivi, kolegjet zgjedhore, policia, prokuroria, mediat, grupet parlamentare etj., kanë shkatërruar përfundimisht besimin e ndërsjelltë, klimën dhe aftësinë e bashkëpunimit mes PS-së e PD-së për të shkuar në një proces të përbashkët e të ndershëm zgjedhor. Kjo krizë është shprehje e degradimit moral të shoqërisë shqiptare. Janë me dhjetëra mijëra militantë të të dy palëve që konsiderohen heronj kur vjedhin dhe manipulojnë votat, kur blejnë, korruptojnë, dhunojnë e intimidojnë komisionerët kundërshtarë. Këta shpërblehen me vende pune e favore nga pushteti për krimet elektorale që kryejnë.
Me mijëra të tjerë janë familjarizuar me shitjen e votës me lekë sepse e dinë që politikanët janë kusarë, mashtrues dhe gënjeshtarë dhe sapo mbarojnë zgjedhjet s’ja hedhin më sytë popullit. Manipulimi i zgjedhësve me favoret e pushtetit, me paratë e korrupsionit e të drogës dhe me çdo lloj implikimi tjetër moral e bën edhe më të thellë ndarjen e palëve. Këto të këqija ushqejnë njëra tjetrën. Kriza aktuale është e lidhur me mungesën e thellë të shpresës dhe besimit. Abuzimet e pafundme me pushtetin, varfëria, kriza ekonomike dhe papunësia, rrënimi moral dhe kalbëzimi i gjithanshëm ka shkatërruar shpresat dhe besimin e njerëzve. Të gjithë duan të ikin nga ky vend. Të gjithë duan të emigrojnë. Edhe ata që kanë bërë para e sukses nuk duan të rrinë më këtu. Tashmë janë duke ikur. Ky vend po braktiset dhe po thahet nga njerëzit e zotë. Në vitin ‘97, në krizën e piramidave, njerëzit humbën të gjitha paratë. Në 2017 njerëzit e këtij vendi kanë humbur të gjitha shpresat. Nuk gjejnë më arsye për të ndenjur këtu. Ky konflikt që po e çon popullin ne një përçarje të thellë, në një spirale të re frike e pasigurie, do të nxisë më shumë braktisjen e vendit dhe nga ana tjetër, kjo braktisje do të rrënojë e shkatërrojë edhe më shumë shpresat e njerëzve. Kjo krizë është e kushtëzuar nga varfëria ekstreme që ndikon këtë degradim të gjithanshëm moral të shoqërisë shqiptare. Ekonomia e vendit është copë-copë. E vetmja gjë e vërtetë janë mashtrimet e qeverisë për rezultatet e mira në ekonomi. Të ardhurat për frymë kanë 10 vite që nuk rriten asnjë dollar. Papunësia është shumë e lartë. Në 10 vitet e fundit Shqipëria nuk ka rritur vendet e punës. Sot ka aq të punësuar sa 10vite më parë. Papunësia mbetet shumë e lartë dhe rrogat shumë të ulëta. Qeveria jep vetëm koncensione korruptive dhe pa asnjë përfitim esencial për shtetin. Borxhet rriten çdo vit. Burimet zvogëlohen. Të gjitha sipërmarrjet vuajnë. Të lumtur janë vetëm një grusht biznesesh të lidhura me qeveritarët. Dje kreu i BERZH-it Mateo Co’langeli tha se “Megjithëse BERZH-i u krijua për të ndihmuar kalimin në ekonomi tregu për vendet ish-komuniste, në Shqipëri 80 për qind e portofolit të kredive shkon për qeverinë…Mos më keqkuptoni, por 20 për qind për sektorin privat janë shumë pak”-shprehet kreu i BERZH. Sipërmarrjet e vendit sidomos në fushën e bujqësisë janë më të ekspozuarat ndaj rreziqeve dhe më të harruarat. Ngrica e parapak ditëve jua shkatërroi plotësisht plantacionet me mollë, kumbulla dhe qershi fermerëve, më së shumti këtu në Korçë. Ne Dvoran sivjet thuajse janë të falimentuar të gjithë. Po kështu në Polenë dhe në Pirg.
Qeveria e ka braktisur edhe bujqësinë edhe fshatin. Ajo di vetëm të marrë borxhe, të japë konçensione në dëm të interesit publik dhe të bëjë tendera korruptivë. Kjo krizë e shumëfishtë ka prodhuar një ushtri të dëshpëruar e agresive që e bën akoma më shpërthyes konfliktin, ndërkohë që konflikti, kriza politike dhe konfrontimi e bën akoma më depresive ekonominë tonë mjerane dhe rrezikon të gjitha projeksionet për vitin 2017 dhe për vitet e tjera. Shtojani kësaj situate edhe efektet që krijojnë një tërësi rrethanash të tjera dhe atëhere perceptimi i rrezikut të krizës bëhet edhe më i qartë. Në këtë drejtim shkojnë ndikimi i dhunës dhe tensionit në Maqedoni, implikimet mediatike amatoreske të kryeministrit tonë në koordinimin e faktorit shqiptar në Maqedoni, provokimi i panevojshëm i frustimeve diplomatike në marrëdhëniet me Greqinë, historia e paprecedentë e deklaratave të kryeministrit shqiptar kundër Presidentit Donald Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve në Amerikë etj. etj. Të dashur pjesëmarrës, “Zgjidhja” dhe unë bëmë shumë përpjekje për ta reformuar Partinë Socialiste nga brenda dhe nga poshtë. Çdo përpjekje në këtë drejtim nuk mund të japë më rezultate. Partisë Socialiste nuk i ka mbetur më asgjë, as nga standardet e një partie politike dhe as nga idealet e majta. Ajo është sot partia e oligarkisë që prodhoi ky tranzicion nga radhët e politikanëve të korruptuar. Partia Socialiste është ndërmarrja private e kryetarit, nuk ka më demokraci të brendshme, s’ka institucione, nuk ka liri fjale e mendimi, nuk ka më rregulla, standarde e zgjedhje. Në atë parti ka vend vetëm për servilët dhe të parapëlqyerit e kryetarit. Nuk ka më zgjedhje, ka vetëm të emëruar. Udhëheqja nuk e përfaqëson bazën, vetëm e shfrytëzon dhe e përdor atë. Karriera e njerëzve nuk bazohet te merita, kontributet dhe vlerat e individëve, por vetëm te interesi i pushtetit të kryetarit. Forumet nuk bëjnë më mbledhje pune, nuk kanë më debat e vendimmarrje kolegjiale. Tani ato bëjnë vetëm aktivitete propagandistike për meritat e kryetarit dhe të ministrave. Njerëzit që mendojnë ndryshe nga kryetari ju rezervohet përndjekja, shantazhi, pushimi nga puna, kërcënimi, shpallja armik i partisë, shkarkimi nga funksionet dhe përjashtimi nga forumet. Anëtarët e Zgjidhjes nuk duan t’ia dinë për këto sulme. Ata janë të vetëdijshëm për misionin dhe nuk tërhiqen nga rruga e tyre për asnjë arsye. Edhe një herë ju bëj thirrje të gjithë socialistëve dhe qytetarëve të bazës të mos tremben nga të fortët e pushtetit, nga arroganca, brutaliteti dhe sjelljet e tyre mizore.
Ne frymëzohemi nga shembulli i rezistencës së kolegëve tanë të cilët e kanë marrë në sy rrezikun dhe e kanë sfiduar pushtetin despotik të lidershipit të PS-së, nuk i kanë tradhëtuar e braktisur idealet tona për një Shqipëri demokratike edhe pse janë përndjekur e pushuar nga puna. Frikacakët e provojnë “vdekjen” shumë herë, trimat “vdesin” vetëm një herë në jetë. Në kushtet kur Partia Socialiste është kthyer në një bashkësi parapolitike, nuk ka më asnjë hapësirë demokratike, nuk ka më asnjë lidhje me të majtën dhe me shtresat e varfëra dhe të pambrojtura të shoqërisë, në kushtet kur kjo parti përfaqëson vetëm interesat e oligarkisë së korruptuar, interesat e koncensioneve, monopoleve dhe oligopoleve që i kanë marrë frymën konkurencës së lirë dhe ekonomisë së vendit, grupi nismëtar i Lëvizjes tonë politike ka vendosur që “Zgjidhja” të shkëputet nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe të shndërrohet në parti politike. Nga dita e sotme “Zgjidhja” do të jetë parti politike. Sot kemi firmosur dokumentet e themelimit. Ne nuk donim të largoheshim nga Partia Socialiste. Por lidershipi i saj na goditi dhe nuk na lejoi të punonim brenda saj. Ai i shkarkoi arbitrarisht nga funksionet dhe i largoi nga forumet njerëzit tanë, nuk e pranoi mendimin ndryshe, refuzoi tezat e saj, nuk e pranoi “Zgjidhjen” as si mendim, as si platformë, as si lëvizje dhe korent politik, as si realitet. Për atë ne nuk ekzistonim. “Zgjidhja” dhe unë kemi zhvilluar si askush tjetër në këtë vend e në këto tre vite mjaft ide, projekte e vizione, analiza e teza që kanë ushqyer mendimin dhe debatin politik për reformimin e sistemit politik, demokratizimin e qeverisjes, reformimin e të majtës, përmirësimin rrënjësor të ekonomisë dhe mirëqënies së popullit. Lideri i PS-së nuk kishte veshë të dëgjonte dhe sy të shikonte. Ai injoroi “Zgjidhjen” si realitet edhe pasi ajo arriti në 15 mijë anëtarë dhe me dhjetëra mijëra mbështetës në Shqipëri. Të gjithë këta njerëz të refuzuar nga lidershipi i PS-së kanë të drejtën e tyre të përfaqësohen e shprehen politikisht. “Zgjidhja” ka përgjegjësi ta plotësojë këtë të drejtë dhe nevojë të këtyre njerëzve. Të gjitha përgjegjësitë për këtë përçarje të PS-së i ka vetëm lidershipi i saj. Ne ju bëmë thirrje shumë herë, por ata nuk dëgjuan. Edi Rama na largoi nga Partia Socialiste.
“Zgjidhja” do të mbetet mbështetëse besnike e idealeve të majta dhe e aspiratave të shqiptarëve për të pasur një shtet modern dhe një vend të pasur e të zhvilluar. Këto janë orë të vështira për popullin tonë. Ai eshtë në një situatë të paprecedentë që nga rënia e komunizmit. Këtij populli të shumë vuajtur po i mohohet e drejta legjitime për të shkuar në zgjedhje i bashkuar. Pa dyshim që kjo situatë është e llogaritur dhe e sponsorizuar nga interesa të caktuara. Koha do e ndriçojë këtë skenar. Historia do t’i gjykojë përçarësit. Asnjë qëllim i mirë nuk e justifikon këtë situatë. Nuk ka asgjë më të gabuar dhe më antishqiptare se përçarja e popullit shqiptar në zgjedhje. Qytetarët janë të shqetësuar. Shqetësimi, frika per të ardhmen dhe tulatja kanë pushtuar njerëzit sot. Oligarkia e korrupsionit dhe e hashashit pasi ka shkatërruar gjithçka në këtë vend, pasi ka pushkatuar edhe shpresën e fundit, tani po e çon popullin në përçarjen më të madhe të këtyre 25 viteve, në përplasje, konflikt e vëllavrasje. “Zgjidhja” do të qëndrojë në krye të luftës për bashkimin e popullit, rivendosjen e pluralizmit dhe çuarjen e vendit të bashkuar në zgjedhje. Kjo sot është sfida e gjithë shqiptarëve. Misioni i “Zgjidhjes” është të shembë dhe rrëzojë regjimin e partitokracisë, të vendosë demokracinë kushtetuese, të pastrojë përfundimisht zgjedhjet me qëllim që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje të manipuluara e të diskutueshme; të demokratizojë e modernizojë përtitë politike dhe t’i mundësojë popullit rolin e tij në demokracinë kushtetuese, të ketë të drejtë të zgjedhë lirisht përfaqësuesit përmes primareve, të votojë në referendume vendore e qendrore çështjet dhe ligjet e rëndësisshme. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen.
Zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën janë absolutisht të papranueshme. “Zgjidhja” nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që nuk janë gjithëpërfshirëse, nuk do marrë pjesë kurrë në zgjedhje që e përçajnë popullin tonë. Përplasja e popullit në zgjedhje është e barabartë me tradhëtinë kombëtare. “Zgjidhja” nuk do t’i braktisë kurrë njerëzit që do luftojnë për një Shqipëri të lirë dhe sovrane, njerëzore dhe të shpresës. Ne nuk do i lemë vetëm për asnjë çast shqiptarët që besojnë në vlerat e larta njerëzore, që besojnë te e ardhmja e vendit dhe te puna e ndershme, njerëzit që duan shtetin modern të së drejtës dhe drejtësinë sociale, ata që besojnë te liria dhe forca e bashkuar e populli dhe e kombit tonë. I ftoj të gjithë shqiptarët që duan një Shqipëri tjetër të anëtarësohen te “Zgjidhja”. I ftoj qytetarët që besojnë te idealet kombëtare dhe popullore t’i bashkohen “Zgjidhjes”. Ftoj rininë e vendit, rininë universitare, shkollore dhe atë të punës që t’i bashkohet “Zgjidhjes”. Forca dhe mbështetja më e madhe e “Zgjidhjes” qëndron tek rinia. Rinia e Shqipërisë është zgjidhja! Pse duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”? Sepse “Zgjidhja” është platforma më demokratike në Shqipëri, është e vetmja platformë dhe parti thellësisht demokratike dhe moderne. Të gjithë përfaqësuesit e “Zgjidhjes” do të zgjidhen nga baza e partisë dhe nga populli, jo nga kryetari. Kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, kryeministër etj. nuk do t’i caktojë kryetari, por populli përmes zgjedhjeve paraprake ose përmes primareve. Pse duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”? Sepse nuk ka asnjë parti tjetër shqiptare që t’i ngjajë “Zgjidhjes”. Ne jemi më të mirët. Ne do t’i japim fund tranzicionit shqiptar. Nga një vend antidemokratik, të korruptuar e të varfër, “Zgjidhja” do ta kthejë Shqipërinë në një vend thellësisht demokratik që t’i dojë, t’i mbajë dhe t’i mbrojë shtetasit e saj. Ne do të hapim tregun dhe lirinë e konkurencës që të çlirohet administrata dhe qeveria nga tutkunët, servilët e të paaftët, mafiozët e drogës dhe të korruptuarit dhe në krye të punëve të popullit të vinë djemtë dhe vajzat më të mirë të saj, të zhduken monopolet, konçensionet dhe oligopolet e kryetarëve dhe ministrave dhe në treg të sundojë liria e konkurencës. Ne do vëmë në krye njerëzit që dinë të punojnë dhe të bëjnë pasuri për popullin. Për të gjitha këto dhe për plot arësye të tjera duhet t’i bashkoheni “Zgjidhjes”! Këto gjëra do i bëni ju. Ju jeni misjonarë. Ju nuk jeni numra. Çdo anëtar i “Zgjidhjes” është një misionar. Misioni i anëtarëve të “Zgjidhjes” është të bëjmë Shqipërinë që duam. Ju jeni zgjidhja! Ne jemi zgjidhja! Unë jam zgjidhja! Ti je zgjidhja. “Zgjidhja” po vjen! Ka nisur shtegëtimi i saj. Zogjtë shtegtojnë me racën e tyre – thotë një profet. Korbi shtegton me korbat. Shqiponja shtegton me shqiponjat. Shqiponjat e “Zgjidhjes” sot kanë nisur shtegtimin e tyre në rrugën ku duam të eci Shqipëria jonë. Në këtë shtegtim do na bashkohen të gjitha shqiponjat e vendit, të gjitha shqiponjat e “Zgjidhjes”! Rroftë “Zgjidhja”! Rroftë Shqipëria! Faleminderit!