Komandanti i Përgjithshëm Ilir Meta te shkolla e mesme ushtarake “Skenderbej”

Presidenti i Republikës u kthye dje në mbrëmje nga vizita në Maltë, ku takoi Presidenten, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit, një vizitë e suksesshme e cila kontribon në vendimin e Maltës për statusin e Shqipërisë në BE.

Ndërsa sot, Presidenti Meta në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura vizitoi shkollën e mesme ushtarake “Skenderbej”. Mbushen 73  vjet nga themelimi i shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë që nga 28 marsi i vitit 1945.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka vlerësuar maksimalisht kontributin e kësaj shkolle, në të cilën studiuan mbi 33 mijë të rinj, në një aktivitet të veçantë në Muzeun Kombëtar në Tiranë. “Skënderbegasit” kudo ku kanë qënë, – tha Meta, –  kanë qënë njerëz me personalitet e integritet dhe janë promovuar kudo në detyrat e ndryshme. Mirënjohje për të gjithë skënderbegasit, nxënësit dhe mësuesit, që me dashurinë e tyre bënë që kjo shkollë të ishte dhe të mbetej një nga shtyllat më të forta të atdhedashurisë dhe patriotizmit- tha Komandanti i Përgjithshëm.

Si pas Kushtetutës Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Fjala e plotë e Kreut të Shtetit

Presidenti Meta, duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, e vlerësoi maksimalisht kontributin e Shkollës së Mesme ushtarake “Skënderbej”, në të cilën kanë studiur dhe janë diplomuar mbi 35 të rinj e të reja përgjatë dekadave, dhe nënvizoi se “ajo meriton plotësisht respektin dhe admirimin tonë, nostalgjinë e të gjithëve ju si dhe vlerësimin e gjithë shoqërisë dhe të shtetit për kotributet madhore që ka dhënë përgjatë gjithë këtyre 73 viteve dhe deri më sot”.

Presidenti Meta vuri në dukje se: “Edhe sot ish-“Skëderbegasit” janë aktivë. Ata drejtojnë Forcat e Armatosura, institucionet e Sigurisë Kombëtare. Janë aktivë në të gjitha fushat, sikurse edhe ata të cilët janë në rezervë janë gjithmonë duke dhënë kontributin e tyre kudo në bazë të asaj edukate dhe atij formimi atdhetar dhe patriotik që kanë marrë në atë shkollë.

Kontributet e kësaj shkolle janë të jashtëzakonshme. Personalitetet që ajo ka nxjerrë janë personalitete që kanë merituar respektin dhe kanë lënë gjurmë në të gjitha fushat, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, në atë të sigurisë, në fushën e rendit publik, por edhe në mjekësi, ekonomi, sport. Edhe në fushën e politikës Shkolla “Skënderbej” ka nxjerrë mjaft personalitete, dhe në çdo drejtim.

Nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin që “Skënderbegasit” kanë dhënë në të gjithë Shqipërinë, që nga Fierza, në jugun e vendin në aksionet e jashtëzakonshme për të transformuar Ksamilin, Lukovën, në shumë vepra të tjera ku “Skënderbegasit” gjithmonë kanë qenë të parët.

Kjo e sotmja është edhe një ditë reflektimi, jo vetëm një ditë vlerësimi, ditë respekti, ditë nostalgjie për t’i kushtuar më shumë vëmendje arsimimit në tërësi, sidomos ekudimit të të rinjve me ndjenjat atdhetare, kombëtare, patriotike. Janë shumë të rëndësishme sot në kohën kur globalizimi sikurse ka mjaft mundësi të mira që ofron për zhvillim, edhe mund t’i cënojë këto vlera në rast se shoqëria nuk tregohet e kujdesshme dhe nuk tregon vëmendjen e duhur ndaj brezit të ri.”

“35 mijë ‘Skënderbegas’ që kanë studiuar në këtë shkollë, jam i bindur se janë dëshmia më e mirë kudo ku ata janë, në Shqipëri dhe jashtë saj, e asaj se çfarë kjo shkollë bëri për të transformuar jetën e tyre. Të mos harrojmë se shumica e tyre vinin nga krahina dhe zonat më të thella të Shqipërisë dhe falë këtij kujdesi dhe këtij edukimi, ata arritën që të përballojnë jo vetëm detyra shumë të rëndsishme, por edhe sfidat me të cilat u ndeshën të gjithë edhe pas vitit ‘90 edhe pas këtij tranzicioni. ‘Skënderbegasit’ kudo ku kanë qenë kanë lënë gjurmë si njerëz me personalitet, me integritet, atdhetarë, dhe gjithmonë kanë qenë të preferuar për t’u zgjedhur apo promovuar në detyra të ndryshme.” – u shpreh Presidenti Meta.

“Në këtë Vit të Skënderbeut, mirënjohje më të thellë për Shkollën ‘Skënderbej’! Mirënjohje për të gjithë ‘Skënderbegasit’, në mënyrë të veçantë për të gjithë mësuesit, pedagogët, instruktorët, drejtuesit, të cilët me dashurinë e tyre prindërore, bënë atë që kjo shkollë të ishte një ndër institucionet më të forta të arsimimit në vend, por dhe të jetë ende sot dhe kësaj dite, falë vlerave që ka krijuar, një nga shtyllat më të forta të patriotizmit dhe atdhedashurisë.”. – theksoi Presidenti i Republikës.

SHKARKO APP