Komisioni “Tahiri”. Dokumente ka, por janë sekret për publikun!

Pas disa ditë vonesash sot është mbledhur komisioni hetimor “Tahiri”. Debati mes mazhorancës dhe opozitës është zhvilluar për mungesën e informacionit zyrtar nga institucionet. Tre javë më parë, deputetët e opozitës kërkuan nga Kryeministri, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Policisë dhe një sërë institucionesh të tjera dërgimin e materialeve që kanë në dispozicion për ish-ministrin, për trafikun e drogës dhe për gjithë të dhënat që kanë të bëjnë me fenomenin e kanabisit.

Por në vend të përgjigjeve deputetët e opozitës kanë marrë shkresa zyrtare me justifikime. Sipas kreut të komisionit, demokratit Edi Paloka, të gjitha institucionet shtetërore praktikisht kanë refuzuar të dorëzojnë dokumente duke paraqitur justifikime të ndryshme.

Sipas Edi Palokës, Kryeministria ka kthyer përgjigje duke deklaruar se të gjitha dokumentet për komisionin Tahiri do të dorëzohen pasi Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ti firmosë. Ndërkohë që, sipas PD, janë disa informacione që nuk kanë nevojë të firmosen nga DSIK, e cila është një drejtori në varësi të kryeministrit.

Ndërsa Kryeministria ka refuzuar të dorëzojë dokumente, ministritë e tjera kanë nxjerrë një sërë justifikimesh. Paloka tha se Ministria e Brendshme, në vend të përgjigjeve ka bërë leksione sesi duhet të funksionojë një komision hetimor parlamentar.

“Nga shumica e institucioneve përgjigjet kanë qenë negative. Zoti Xhafaj na ka çuar një shkresë se na bën leksion se si duhet të funksionojë një komision hetimor, na pyet a keni miratuar një plan hetimi apo jo. Ndërkohë që dhe ai zotëria bën sikur nuk e njeh ligjin, po nuk i takon fare të na tregojë si funksionon komisioni hetimor”, tha Paloka.

Institucionet e tjera, sipas deputetëve të opozitës kanë kërkuar më shumë kohë për kthimin e përgjigjeve. “Policia ka kërkuar kohë deri më 30 prill, ndërsa Drejtoria e Doganave ka kërkuar afat deri më 25 prill. Ministria e Brendshme ndërkohë kishte kërkuar 2 muaj kohë për kthimin e përgjigjes. “Certifikatën nga DSIK se kemi akoma në dorë”, tha Paloka.

Komisioni ka disa javë që është ngritur, por deri më sot ka mbetur vetëm në diskutime që kanë të bëjnë me planin e hetimit, dokumentet dhe debate politike mes mazhorancës dhe opozitës. Interesante janë përgjigjet e institucioneve shtetërore. Sipas ligjit, kur edhe kur një qytetarë kërkon informacion nga institucionet shtetërore, këto të fundit janë janë të detyruara të përgjigjen. Situata bëhet më serioze kur flitet për komision hetimor, i cili ka hapësirë ligjore të kontrollojë çdo institucion qeveritar.

Vonesat në përgjigje duken më shumë si një strategji e mazhorancës për ta zgjatur sa më shumë hetimin. Pasi siç pranojnë dhe në përgjigjet zyrtare dokumente ka, por ose trajton si sekret shtetëror, ose sillen vonesa burokratike.

SHKARKO APP