Komuniteti i LGBT i drejtohet Ramës dhe Bashës: Çlirohuni, hajdeni te ne!
Një çadër është në Bulevard, ku rri opozita, por duket se kryeministria ka nxitur të ngrenë edhe një çadër, afër çadrës se PD-së, komuniteti i LGBT (Lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë).
Më 13 maj lëvizja LGBT organizon një paradë, ndërsa ditë më parë i bënë thirrje opozitës që t’i lejojnë hapësira tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kjo për shkak edhe të “çadrës së lirisë” që ndodhet aty prej më shumë se 60 ditësh.
Ata i kanë nisur letra krejt politikanëve dhe ndër to edhe kryeministrit Rama. Në letrat e dërguar për kryeministrin dhe liderin e opozitës, LGBT i ftojnë politikanët të mos ngurrojnë dhe të çlirohen nga paragjykimet për të mbështetur këtë komunitet.
Në letrën për Bashën, LGBT thekson se pret nga Basha që si politikanët në Holandë të mbështesë lëvizjen për këtë komunitet. “Përfitojmë nga ky komunikim zyrtar me ju, t’ju ftojmë të mbështesni kauzën tonë për liri dhe dinjitet ashtu siç bëjnë politikanët në Holandë, vend vlerat demokratike të të cilit ju i njihni mirë, si dhe në të gjitha vendet e tjera të zhvilluara”,- thuhet në letrën për kreun e PD.
Ndërsa në letrën për Kryeministrin e ftojnë të bëhet pjesë e paradës, duke theksuar se nuk ka parti politike në SHBA dhe BE që nuk ka shprehu mbështetje për këtë komunitet.
Ja letra e tyre drejtuar kryeministrit Rama:
Më poshtë letra e plotë për Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, dy organizatat kryesore për të drejtat e komunitetit LGBTI do të zhvillojnë më 13 maj të këtij viti ora 11.00 paradën e 6-të me biçikleta të quajtur Tirana Gay (P)Ride. Ky aktivitet është një mundësi e jashtëzakonshme për fuqizimin dhe inkurajimin e komunitetit LGBTI në Shqipëri. Ashtu siç Ju mund të jeni në dijeni, ky komunitet jeton një jetë të ngarkuar me paragjykime që ndikojnë në marxhinalizimin dhe përjashtimin social. Për pasojë, aktivitete si Parada e Tiranës synojnë të japin mesazh lirie, mesazh që besojmë se përputhet me kauzën e opozitës që Ju drejtoni.
Ditën e sotme, 18.04.2017, ne organizatorët e Paradës kemi njoftuar Policinë e Shtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi për aktivitete dhe tubimet publike. Në komunikimin tonë më policinë kemi kërkuar që Parada të nisë nga Pallati i Kongreseve, të vazhdojë si çdo vit tashmë mespërmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe të vijojë përgjatë lumit Lana, ndërsa në kthim, të kalojë përmes ish-Bllokut dhe të mbarojë tek Presidenca.
Duke qënë se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ju jeni duke protestuar për një kauzë që apelon për liri do të shpresonim shumë që prania e çadrës së opozitës të mos pengojë mbarëvajtjen e Paradës sonë. Deri më tani, protesta juaj ka qenë paqësore dhe ne shpresojmë që militantët dhe aktivistët e partisë suaj të jenë gjithashtu paqësorë gjatë kohës kur ne do të parakalojmë me biçikleta në korsinë e lirë në krahun lindor të çadrës.
Përfitojmë nga ky komunikim zyrtar me ju, t’ju ftojmë të mbështesni kauzën tonë për liri dhe dinjitet ashtu siç bëjnë politikanët në Hollandë, vend vlerat demokratike të të cilit ju i njihni mirë, si dhe në të gjitha vendet e tjera të zhvilluara.
Në pritje të një përgjigje nga ana juaj. Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Xheni Karaj, Kristi Pinderi