KLSH akuzon kryeministrin Rama për koncensionet

Dy ditë para votimit në Kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit që të tërhiqen nga miratimi i koncesioneve për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat.

Në një shkresë konfidenciale, që i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Brace, kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së infrastrukturës Belinda Balluku, KLSH i kërkon të rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare.

“Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtesisë së anës financiare”, thekson KLSH-ja.

Në dokumentin e fortë, po ashtu KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktive, për hua që nuk ekzistojnë.

“Vetëm për kontratën e Milot-Balldrenë, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit”

Sipas KLSH, interesa fiktive do të paguhen edhe për rrugën tjetër Orikum-Dukat, ku ka llogaritje gabim të interesave, por edhe marrje të pa nevojshme kredie.

“Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit”.

Pra në total për të dy rrugët, sipas KLSH-së qeveria do të paguajë gati 10 milionë euro interesa fiktive. Por organi suprem i auditimit thotë se përtej pagesave shtesë të interesave dy rrugët kanë rreziqe të mëdha për financat e shtetit, që burojnë nga kursi i këmbimit dhe mekanizmat e tyre të financimit.

SHKARKO APP