Kristaq Kume dhe Paskal Milo: Veprimi i Presidentit Meta, vendim kushtetues
Në TCH te Eni Vasili ishin në emision në lidhje me dekretin e Presidentit Meta, ish-ministri jashtëm dhe sot kryetar i PSD, Paskal Milo, Kristaq Kume ish-kryetar i KQZ, Astrit Patozi kryetar BD, Mesila Doda numri dy në PDIU, Carlo Bolino botues i Gazetes Shqiptarja.com dhe Nikoll Lesi, drejtor dhe botues i “Koha Jone”.
Konstitucionalisti Kristaq Kume, i cili është ish-kryetar i KQZ, tha mbrëmë te “Open” i Eni Vasilit në TCH se nuk mund të përdoret precedenti i vitit 2017-të i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohej se ishte Gjykata Administrative që kishte kompetencat për të trajtuar dekretin e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, siç mundohet ta interpretoi KQZ me porosi të kryeministrit Rama. KQZ thjesht është e detyruar ta zbatojë dekretin, pasi ai është dekret urdherues kushtetues.
Kume theksoi se dekreti i presidentit Ilir Meta është totalisht i ndryshëm nga dekreti i paraardhësit Bujar Nishani kur vendosi shtyrjen me një javë të zgjedhjeve parlamentare në 2017-ën.
“Është vetëm Gjykata Kushtetuese që mund të vendosë për kushtetueshmërinë e këtij dekreti të presidentit Meta. Gjykata Kushtetuese nuk ka prodhuar precedent në trajtimin e kësaj çështjeje. Nuk jemi të njëjtat situata. Dekreti i sotëm i presidentit nuk është objekt që ka për qëllim vetëm caktimin e një date zgjedhjeje, por është një dekret që shfuqizon një dekret të mëparshëm dhe si rezultat ndalon një proces të nisur. Ndryshimi është shumë i madh nga ai i 2017-ës për ta konsideruar edhe këtë dekret si veprim administrativ”, u shpreh Kume.
Me tej edhe ish-ministri i jashtëm i majtë dhe që kandidon në këto zgjedhje me siglen PSD, zoti Paskal Milo tha se presidenti është në të drejtën e tij kushtetuese dhe parandaloi një konflikt të madh me datë 30 qershor. Bile aleati i kryeministrit Rama, ish-ministri Milo, shtoi se gjendet në një pozitë të vështirë morale, politike dhe atdhetare se a mund të shkojë në zgjedhje kur nuk ka opozitë. Paskal Milo theksoi se duhet të ulen palët dhe se me datë 30 qershor nuk mund të ketë zgjedhje.
Ndërsa Astrit Patozi insistonte se duhet të shkohej në zgjedhje dhe se dekreti i presidentit ishte një çokë për opozitën. Mesila Doda debatoi me Carlo Bollinon në lidhje me kushtetueshmerinë e dekretit të presidentit dhe lojën e Ramës për nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit nga PS-ja. Numri dy në PDIU, Mesila Doda tha se presidenti ka vepruar si burrë shteti dhe duhet që Rama të ulë koken e të bindet.
Nikoll Lesi theksoi se dekreti ishte një akt i madh pasi parandaloi përplasjen e datës 30 qershor, ku kryeministri po shkonte me turravrap, ndërsa opozita me gjoksin para për përplasje finale. Së dyti, tha Lesi, Presidenti me këtë akt i hodhi një varkë shpëtimi kryeministrit dhe PS-së që dilte me nder nga fushata e vetmuar dhe pa rivalë. Së treti, ishte Rama që kërkonte me shtatë letra drejtuar Bashës se “hajde e takohemi” dhe presidenti iu krijoi mundesinë të dyve, Ramës dhe Bashës, të ulen në bisedime, por siç duket kryeministri bënte demagogji se nuk e don dialogun. Së katërti, shtoi Lesi, kjo mund të jetë një lojë djallëzore e kryeministrit për të spostuar vëmendjen e publikut nga skandalet e përgjimeve botuar nga gazeta më e madhe gjermane dhe në BE, “BILD”. Së fundi, e mbylli Lesi, nëse Rama e ka ndarë mendjen për tu përplasur me 30 qershor, atehere Presidenti Meta që është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura për të evituar perplasjen civile mund të nxjerrë Ushtrinë për të ruajtur Rendin Kushtetues.