Koronavirusi, Presidenti Meta: Jemi seriozisht të ekspozuar, koha për të marrë masa më të rrepta
Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar ndaj virusit vdekjeprurës që vjen nga Kina, pas konfirmimit të dy rasteve në Itali. Në një deklaratë për mediat, Kreu i Shtetit kërkoi marrjen e masave të forta në mënyrë që të parandalohet depërtimi i koronavirusit në Shqipëri duke sjellë si shembull rastin e virusit SARS.
“Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje por ndoshta dhe në vende të tjera pranë nesh. Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla, sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur por është e rëndësishme të theksohet që çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike dhe unë shpresoj dhe inkurajoj marrjen e masave më të forta parandaluese.
Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë shumë qartë që ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e virusit në vendin tonë, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme në parandalimin e SARS-it para 16-17 vitesh dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale”,- u shpreh kreu i shtetit në deklaratën për mediat.
Pyetje: Përsa i përket situatës së përhapjes së Coronavirusit dhe rrezikut të përhapjes në Shqipëri, çfarë masash ka marrë Shqipëria për të përballuar çdo lloj rasti rreziku?
Presidenti Meta: Me shpalljen e gjendjes së emergjencës së nivel global nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemologjike për të parandaluar këtë virus që të penetrojë në vendin tonë. Aq më tepër kur tashmë janë konstantuar dy raste në Italinë fqinje, por ndoshta edhe në vende të tjera pranë nesh.
Shqipëria ka një përvojë në raste të tilla sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur, ndaj është e rëndësishme të theksohet se çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike. Shpresoj dhe inkurajoj për marrjen e masave më të forta parandaluese.
Pyetje: A keni marrë informacione nga institucionet përkatëse zoti Meta?
Presidenti Meta: Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet e konstatuara në Itali dhe ndoshta një rast në një vend tjetër fqinj, tregojnë shumë qartë se ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e këtij virusi në vendin tonë.
Ashtu sikurse e theksova edhe më parë, Shqipëria ka qenë mjaft e suksesshme për të parandaluar SARS-in përpara 16-17 vitesh dhe i kemi të gjitha mundësitë në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.
Koronavirusi, Shqipëria rrit nivelin e masave
Shpallja e emergjencës globale sa i takon koronavirusit, ka çuar në rritjen e masave të survejancës dhe përforcimin e kapaciteteve në institucionet shëndetësore shqiptare. Ministria e Shëndetësisë ka mbledhur task forcën për të kërkuar rritjen e vigjilencës dhe kapjen e hershme të rasteve
Vendi ynë konsiderohet ende me rrezik të ulët për përhapjen e virusit dhe emergjenca nuk do të çojë në mbylljen e kufijve.
Shqipëria nuk ka asnjë të prekur nga koronavirusi edhe pse pati dyshime për një grua, analizat e së cilës faktuan se bëhej fjalë për grip. Përfaqësuesi i OBSH për Shqipërinë vuri theksin tek ajo çfarë ende nuk dimë për koronavirusin
Me shpalljen e emergjencës globale, shtetet detyrohen të bashkëveprojnë për planet e masave në bazë të rregulloreve të shëndetit, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Po ashtu, ata duhet të risin transparencën në raportimin e rasteve, ndërsa OBSH do të ndihmojë financiarisht vendet që kanë sistem të dobët shëndetësor, si dhe është përshpejtuar kërkimi i vaksinave dhe medikamenteve që trajtojnë koronavirusin.