Kosova dhe Ngjela kundër Kryeministrit. Ministri Majko hesht!

-Në të njëjtën ditë që Edi Rama fliste për vëllazërim mes shqiptarëve dhe serbëve, ministri i Jashtëm serb i ankohej homologut rus, Sergei Lavrov “se Prishtina po na kërcënon me luftë” dhe se nuk duhet njohur si shtet i pavarur. 

-Çudia më e madhe mbetet se si ministri Pandeli Majko, ish-kryeministri i luftës së Kosovës, nuk po flet për këtë puthadorje të qeverisë së tij ndaj presidentit serb Vuçiç. Si ka mundësi që hesht për një copë karrike ministri, ndërkohë që bërtiste si patriot i madh për Kosovën apo kryeministri i ka nënshtruar të gjithë si delet në PS?!

Firmosja e Minishengenit me Serbinë duke anashkaluar Kosovën dhe sulmi që Edi Rama bëri liderëve të shtetit të Kosovës janë akte që minojnë interesat kombëtare në rajon. Qeveria e Tiranës zyrtare, nga një promotore dhe lobuese e pavarësisë, në mënyrë të befasishme u bë pjesë e skenarëve që dëmtojnë gjithë çfarë kanë arritur deri më sot Kosova. Qëndrimi  i qeverisë “Rama” këto ditë ngjan si thikë pas shpine ndaj gjithë nismave dhe angazhimeve që kanë ndërmarrë qeveritë e PS dhe PD në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Dëmi i asaj që u bë të shtunën në Tiranë me qëndrimet e Edi Ramës nuk është kuptuar ende nga një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe aq më pak nga pjesa dërrmuese e Partisë Socialiste. Nuk është thjesht çështja te sharjet jo etike të Edi Ramës ndaj Ramush Haradinajt dhe të tjerëve. Problemi më serioz është fakti se Edi Rama i ka dhënë një argument më shumë Serbisë për të mos njohur Kosovën dhe për të vijuar me lobimin kundër saj. Këto ditë që Edi Rama takohej me Vuçiç dhe flisnin për vëllazërimin shqiptaro-serb, ministria e Jashtme e Serbisë deklaronte se objektivi i politikës së jashtme serbe është bllokimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe anulimi i njohjeve të saj nga shtetet që e kanë njohur më herët. Nuk është më sekret se për çdo shtet që heq njohjen e Kosovës, Serbia ofron kontrata ekonomike dhe shuma financa në këmbim. Në të njëjtën ditë që Edi Rama puthej me Aleksandër Vuçiç në Durrës, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç ishte në Rusi ku shprehte “shqetësimin për gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë” dhe e përshkruante situatën si kritike. Në të njëjtën ditë që Edi Rama fliste për vëllazërim mes shqiptarëve dhe serbëve, ministri i Jashtëm serb i ankohej homologut rus, Seregi Lavrov: “se Prishtina po na kërcënon me luftë”. Pra, teksa në Tiranë flitej për një epokë të re dhe vëllazërim rajonal, politika e jashtme e Serbisë, jo vetëm s’ka ndryshuar, për është bërë edhe më e ashpër kundër Kosovës. Jo vetëm nuk njohin shtetin e Kosovës, jo vetëm nuk mohojnë krimet ndaj shqiptarëve, por politika e jashtme e Serbisë ka nisur ta paraqesë veten si viktimë e shqiptarëve. Dhe Edi Rama me qëndrimet, me apo pa dashje, u dha një dorë serbëve në ndërtimin e këtij skenari kundër Kosovës. Fatkeqësisht ndërhyrja e Ramës dhe sulmi ndaj Kosovës, nga një pjesë e mediave afër qeverisë po interpretohet me tifozëllik si sherret e zakonshme PS-PD apo qejfmbejtjet personale.

Qëndrimi i gabuar i qeverisë “Rama” nuk ka irrituar vetëm Kosovën. Opozita në Tiranë reagoi ashpër ndaj projektit të minishengenit dhe tradhëtisë që ju bë Prishtinës. Mes kritikëve të Edi Ramës renditen dhe politikanë dhe përfaqësues publikë që, deri dje, kanë qenë mbështetësisë më të flaktë të politikave të tij. Një prej tyre është avokati Spartak Ngjela, aleat politik dhe mik personal i Edi Ramës, i cili dje ka bërë një nga reagimet më të ashpra kundër kryeministrit. Duke analizuar qëndrimet politike të Edi Ramës, në raport me Kosovën, Ngjela shprehet se ai nuk e meriton më të jetë kryeministër i Shqipërisë.  Duke përmbledhur gjithë reagimet në Prishtinë dhe Tiranë, Ngjela apelon se një njeri pa atdhe nuk mund të përfaqësojë shqiptarët. “Degradimi i një kryeministri të trembur që kërkon të shkatërrojë shtetin shqiptar, duhet neutralizuar menjëherë. Nëse Partia Socialiste nuk e kupton këtë, do të dëmtohet shumë rëndë. Dhe tjetra: urrejtja që po tregon opinioni publik i Kosovës kundër tradhëtisë antishqiptare të Edi Ramës, nuk mund ta lejojë më këtë krijesë pa atdhe që të vijojë të jetë kryeministër i Shqipërisë”, -shprehet Spartak Ngjela në një reagim të ashpër në Facebook.

Çudia më e madhe mbetet se si ministri Pandeli Majko, ish-kryeministri i luftës së Kosovës, nuk po flet për këtë puthadorje të qeverisë së tij ndaj presidentit serb Vuçiç. Si ka mundësi që hesht për një copë karrike ministri, ndërkohë që bërtiste si patriot i madh për Kosovën apo kryeministri i ka nënshtruar të gjithë si delet në PS?!

Mili Xhani

SHKARKO APP