Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për dokumentet dhe reciprocitetin

Nga DW-

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, e cilëson marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet e udhëtimit si një zgjidhje evropiane. Vuҫiq tha se me njohjen e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borel.

“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi Josep Borrell, duke e cilësuar këtë një zgjidhje evropiane.

Shefi i diplomacisë evropiane përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetitpër përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Zgjidhje evropiane

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi edhe të dërguarin e SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi Lajҫak në Twitter.

Dy emisarët e dialogut Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajҫak, gjatë kësaj jave, qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me udhëheqësit shtetërorë dhe ata partiakë për çështjen e dokumenteve dhe të targave dhe thanë se palët u zotuan se do të shmangin dhunën më 1 shtator, kur parashihej që të hynte në fuqi reciprociteti i Kosovës për dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi se “Reciprociteti është parimi që na bën të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes”.

Vuҫiq: Njohja e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, tha se pranimi i dokumenteve të udhëtimit të Kosovës nuk nënkupton që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, që është arritur në dialog më 2011, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  kishte deklaruar më parë, se  ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.

Sa u përket targave të makinave presidenti Vuҫiq tha se “ende nuk është arritur një marrëveshje me Kosovën, por se ende ka një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”.

Reagon Edi Rama:

‘Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot’- shkruan Rama.

SHKARKO APP