Kosova dhe Serbia: Kompromis apo përshkallëzim i ri?

Kosova dëshiron të arrijë barazi në trafikun ndërkufitar me Serbinë. Kjo gjithmonë çon në konflikte. Qytetarët në veriun e Kosovës janë të lodhur nga tensionet në jetën e përditshme dhe duan zgjidhje.

52-vjeçari serb i Kosovës Veroljub Petroniç parkon makinën e tij të kuqe të ndezur në një rrugë kryesore të frekuentuar në veri të qytetit të Mitrovicës, afër monumentit të Car Llazarit. Edhe pse Petroniç ka mbi 20 vite që jeton në Kosovë, vetura e tij ka targa serbe. Kjo nuk është e vetmja gjë e çuditshme në përditshmërinë e burrit, i cili nuk dëshiron të dihet se ku punon “për arsye sigurie”. Por ajo që thotë sinqerisht Petroniç: Edhe pse është shtetas i Kosovës dhe në fakt jeton edhe këtu, ai është çregjistruar zyrtarisht nga Kosova për të marrë pasaportën serbe. Nëse e pyet për këto absurditete, ai reagon thellësisht i nervozuar. “Thjesht dua të mund të udhëtoj me familjen time”, thotë ai, “kjo është gjithçka që kërkoj”.

Pasojat në jetën e përditshme

Gërshetimi i targave dhe dokumenteve të Petroniç tingëllon i ndërlikuar – dhe është në fakt i tillë. Kosova, dikur pjesë e ish-Jugosllavisë, ka qenë një shtet i pavarur de fakto që nga viti 1999 dhe shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Por Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – dhe kjo ka pasoja drastike në jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë. Ata nuk lejohen të hyjnë në Serbi me pasaporta kosovare apo me shenja dhe simbole zyrtare – siç janë targat e veturave. Anasjelltas, si përgjigje ndaj presionit ndërkombëtar, Kosova deri më tani ka ndjekur një praktikë tjetër: ka lejuar dokumentet e identitetit dhe targat serbe të hyrjes në vend.

Tema e nxehtë e reciprocitetit

Por kjo praktikë është shumë e diskutueshme në shtetin më të ri të Evropës, veçanërisht nën qeverinë e kryeministrit të majtë Albin Kurti, i cili ka qenë në detyrë që nga marsi i vitit 2021 dhe i është paraqitur Serbisë me shumë më shumë vetëbesim se çdo paraardhës i tij. Fjala kyçe është reciprociteti, që nga përdorimi diplomatik mund të përkthehet si: trajtim i barabartë.

Qëllimi i deklaruar i Kurtit është që gradualisht të futet reciprociteti në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë. Qeveria e tij nuk dëshiron më të pranojë që qytetarët e Kosovës të mos lejohen të hyjnë në Serbi me dokumentet dhe numrat e regjistrimit të veturave, ndërkohë që Kosova nga ana e saj pranon dokumente dhe targa serbe.

Kur qeveria Kurti donte të zbatonte reciprocitetin e hyrje – daljeve në kufirin me Serbinë në fillim të gushtit 2022, kjo pothuajse çoi në përleshje të dhunshme në veri të Kosovës. Serbët e Kosovës i bllokuan me kamionë rrugët për në pikat kufitare. Si rezultat, Kosova dërgoi njësitet e policisë speciale në kufi. U raportua se pati të shtëna.

Tensione të reja?

Nën presionin e BE-së, Prishtina u përmbajt përkohësisht nga zbatimi i vendimit vetëm pak orë pas ngjarjeve dramatike. Në fund të javës së kaluar u arrit një kompromis paraprak, i pjesshëm me ndërmjetësimin e BE-së: Sipas kësaj, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Serbi me dokumentet e tyre personale për herë të parë nga 1 shtatori 2022. Megjithatë, çështja e targave është ende e pazgjidhur. Prandaj Kosova po kërcënon sërish, se nuk do të lejojë hyrjen e automjeteve me targa serbe në vend nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim. Prandaj, skenari i tensionuar nga fillimi i gushtit mund të përsëritet.

Sa herë që është në rrezik reciprociteti, tensionet në pjesën veriore të Kosovës rriten. Këtu jetojnë pothuajse ekskluzivisht serbët. Përditshmëria përcaktohet nga politikanët dhe njerëzit e biznesit, të cilët konsiderohen si krahu i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Qytet i ndarë

Ndikimi serb vërehet edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Dikur ky qytet ishte i famshëm për festivalet e tij të xhazit dhe bluzit, të cilat bashkonin kultura dhe kombësi nga e gjithë ish-Jugosllavia. Por, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, qyteti praktikisht është ndarë.

Në veri të lumit Ibër jetojnë pothuajse vetëm serbët etnikë. Flamujt serbë valëviten gjithandej, veturat janë me targa serbe, mbishkrimet janë në gjuhën serbe. Pothuajse gjithmonë ka trazira kur autoritetet e Kosovës ndërmarrin veprime këtu – nëse duan të zbatojnë masat e reciprocitetit apo edhe thjesht të kryejnë aksione policore kundër krimit të organizuar. Sirenat dëgjohen, barrikada ndërtohen, kamionët bllokojnë rrugët.

Përfaqësuesit politikë të minoritetit serb të Kosovës – të cilët sipas kushtetutës kanë secili përfaqësues të detyrueshëm në parlament dhe në qeveri – po kërcënojnë këto ditë të tërhiqen nga të gjitha institucionet shtetërore. “Nëse nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për çështjen e reciprocitetit, do të fillojmë të largohemi nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, duke përfunduar me gjykatat, policinë dhe prokurorinë”, tha Srdjan Milosavljevic, kryetar i Kuvendi Komunal i Zveçanit, në veri të Mitrovicës, ditë më parë në një konferencë për media në Prishtinë.

Ndjenja e përditshme e kërcënimit

Por situata është ende e qetë në veri të Kosovës. Në pjesën veriore të Mitrovicës, njerëzit shëtisin nëpër zonën e këmbësorëve në qendër dhe ulen në kafenetë e rrugës. Megjithatë, shumë mendojnë se janë në një lloj gjendjeje rrethimi të përhershëm dhe jetojnë me një ndjenjë kërcënimi. Gjithashtu edhe Veroljub Petroniç. “Këtu në veri të Kosovës jemi vazhdimisht të tensionuar dhe të frikësuar, shpesh ka demonstrata dhe konflikte me policinë, helikopterët po qarkullojnë lart dhe e gjithë kjo ka një ndikim shumë serioz tek njerëzit, veçanërisht tek fëmijët, për shkak të konflikteve shkollat ​​janë shpesh të mbyllura”, thotë Petroniç.

Një ndjesi të ngjashme prej shumë vitesh e ka edhe shqiptari i Kosovës, Betim Osmani. 41-vjeçari është një nga shqiptarët e paktë që jeton në veri të Mitrovicës dhe zotëron një kompani që shet mbulesa dyshemeje dhe orendi për shtëpi. “Kemi më shumë se dy dekada nën tension. Jemi mësuar aq shumë me të gjitha këto probleme sa nuk shohim më zgjidhje”, thotë Osmani. Pas një pauze ai shton: “Ne, shqiptarët dhe serbët, duhet të ndihemi si fqinj dhe kolegë dhe jo si të huaj dhe armiq”./DW/

SHKARKO APP