Kosova kurban për të integruar Serbinë në BE
Në Alpbach të Austrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq kërkuan mbështetje nga të gjithë për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, që mund të derivojë edhe me “korrigjim territori”. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, folën hapur rreth mundësisë së korigjimit të kufirit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të forumit tha në një konferencë të përbashkët për medie se “Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta arritur një marrëveshje finale. “Presim marrëveshjen për kufirin, ngase nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”, tha Presidenti Thaçi. Sipas Presidentit të Kosovës, “pa arritjen e një marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së dhe rajoni do të vuajë nga rreziku i jostabilitetit”.
Por Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues nga Kuvendi i Kosovës për lëvizje kufiri. Nuk ka as kryeministrin Haradinaj me vete. As opozitën. Kurse shoqeria kosovare është e habitur se si ka mundësi që për një çështje kaq të rëndësishme, siç janë kufinjtë e një shteti, Hashim Thaçi e merr personalisht vendimin. Presidenti, kryeministri dhe krejt politika ikin, kurse kufiri mbetet në shekuj brezave. Hashim Thaçi do të dalë i fituar personalisht nga kjo histori, sepse gjykata speciale nuk do të merret me të, pasi BE dhe vetë Vuçiç do të ndërhyjnë që ai të mos arrestohet për krime lufte, nga kjo gjykatë. Gjykata speciale është ngritur për një nga të tre postet kryesore në Kosovë; President, kryeministër apo kryetar parlamenti. Ramush Haradinaj e ka kaluar provën e Hagës, mbeten Thaçi dhe Veseli. Thaçi fshihet pas “ndryshimit të kufinjve”, ndaj duket se radha po i vjen kryeparlamentarit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha, nëpër dhëmbë se “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pa fituar asgjë në këmbim, nuk ka gjasa të ndodhë”. Pra vetëm Thaçi e Vuçiç e dijnë se çfarë do shqyejnë nga toka kosovare. Dyshimet e sotme të diplomatit të njohur Shaban Murati se mundet që negociatori të jetë shpërblyer me euro për këtë dhuratë ndaj Serbisë, mbeten katastrofale nëse janë të verteta.
Në një kohë që presidenti Thaçi dhe Vuçiç folën në Alpbach të Austrisë për një marrëveshje të mundshme finale ndërmjet dy vendeve, në Prishtinë partitë opozitare janë të shqetësuara për këtë debat, duke akuzuar Presidentin e Kosovës se ai ”nuk ka mandat nga parlamenti të flasë për një marrëveshje finale me Serbinë, ku mund të ketë edhe lëvizje kufiri”. Më i vendosuri në këtë mes, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha pas këtyre qëndrimeve të Thacit, Vuçiq dhe Johannes Hahnit, se “Kosova nuk do të përfitojë asgjë nga ky dialog”.
“Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën”, shkroi në rrjetin social Albin Kurti.
Ndërkohë qeveria shqiptare me anë të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar se Shqipëria nuk e mbështet këtë lojë për ndryshim kufijsh, sepse do të sillte destablitet dhe luftë në Ballkan. Saktësojmë se Gjermania, Britania e Madhe, etj janë shprehur kategorikisht kundër këtij plani.