Kosova, nesër në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Nesër qytetarët e Kosovës do të votojë për zgjedhjen e qeverisë së re. Në zgjedhjet e parakohshme garojnë 20 parti politike, 4 koalicione dhe do të marrin pjesë mbi 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë 1068 kandidatë nga të gjitha subjektet politike, të cilët garojnë për 120 vende në parlament. Janë pesë kandidatë që partitë kryesore në Kosovë i kanë prezantuar si emrat të mundshëm për kryeministër.
Partia kryesore në opozitë kandidon me Vjosa Osmanin, Vetëvendosja me Albin Kurtin, PDK me Kadri Veselin, koalicioni i AAK-PSD me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj dhe koalicioni NISMA-AKR me Fatmir Limajn. Kandidatja që është renditur më lartë në sondazhe është Vjosa Osmani.
Në garë për zgjedhjet e 6 tetorit janë edhe komunitetet pakicë. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pakicave u garantohen 20 vende në parlament, 10 nga të cilat vetëm komunitetit serb të Kosovës. Mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe qindra të tjerë nga shoqëria civile i vëzhgojnë këto zgjedhje, rëndësia e të cilave cilësohet shumë e madhe për faktin që qeverinë e ardhshme e pret sfida e madhe e të ardhmes së dialogut me Serbinë. Vëzhguesit e BE-së, u kanë bërë thirrje subjekteve politike që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.
“Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në një deklaratë pas një takimi që vëzhguesit e BE-së patën me Presidentin e Kosovës. E ky i fundit thotë se “Kosova po kalon një proces elektoral normal, e që kjo po konfirmon se Kosova ka vënë traditë të zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike, të vlerësuara, si dhe të pranimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
Çështjet kryesore të kandidatëve në këtë fushatë kanë qenë; dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës.
PARTITË QË KANDIDOJNË NË 6 TETOR
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
- Partia Demoratike e Kosovës (PDK)
- Lëvizja Vetëvendosje (LV)
- Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT)
- Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK)
- Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK)
- Fjala,
- Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK)
- Partia e Pavarur Liberale (SLS)
- Iniciativa Qytetare Gora (GIG)
- Partia e Re Demokratike (NDS)
- Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI)
- Partia Liberale Egjiptiane (PLE)
- Partia e Serbëve të Kosovës (PKS)
- Partia e Bashkuar e Goranëve (JGP)
- Nisma për Gorën (PG)
- Lista Serbe
- Partia e Veprimit Demokratik (SDA)
- Partia e Re Rome e Kosovës (KNRP)
- Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK).
KOALICIONET
- Koalicioni AAK-PSD (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate),
- Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë (Nisma, AKR-PD),
- Koalicioni VAKAT,
- Koalicioni Liria (Sloboda).