Kosovë- Serbi, Lufta Fake
Nga Frrok Çupi–
Pse të mos ketë edhe një luftë ‘fake’ mes dy shteteve fqinjë: Serbi dhe Kosovë?! Ora e kësaj ‘lufte’ ka ardhur tani. Tani, kur:
1. Serbia ndodhet në një gjendje krize humane. Shifrat e publikuara nga institucionet e Botës dëshmojnë se popullsia e Serbisë po plaket dhe po rrudhet, çdo vit bie numri i kësaj popullsie ‘krenare’. Populli vital serb nuk mund të mbyllë sytë para ‘kolerës’ së parë ndaj kombit; gjë që qeveria ia ka frikën. Atëherë qeveria ka shpallur ‘luftë’ ndaj Kosovës.
2. Kosvës i duhet ‘lufta’. Kosova ndodhet në këto momente në krizën e besimit politik. Qytetarët e Kosovës nuk besojnë as maxhorancë (që nuk ekziston), as opozitën. Kjo e ka prurë situatën deri në pikën ‘si të jetë, si të mos jetë’ shteti politik. Kryeministrit i duhet të mbajë në pushtet enturazhin President e Parlament. Prandaj sot shpalli ‘lufta gati’.
3. Serbia ndodhet në krizën më të thellë të sigurisë. Beogradi është shpallur kryeqyteti numër Një ku kriminelët e mëdhenj lajnë hesapet me njëri tjetrin. Plumbat e kriminelëve mund të shpojnë apartamentet e njerëzve të mirë, prandaj këta kanë frikë. Në fakt frika shkon te qeveria që mund të bjerë; prandaj ajo shpall ‘luftën absurde’ por jo kundër kriminelëve.
4. Kosova, domethënë liderët e saj, kanë hyrë në një komplot të egër kundër popullit të tyre. Këta kanë ‘ngrënë çorbën e prishur’ diku më parë, o në tryezën e George Soros, o në sulltanatin e Erdogan, dhe tani duhet të ‘shkëmbejnë’ territoret me Serbinë. Në fakt janë angazhuar të shkëmbejnë territoret shqiptare, sepse vetëm japinë e nuk marrin gjë nga Serbia. Tani u ka ardhur veza…, e shikojnë rrezikun nga revolta kombëtare. Thaçi ka shpallur “referendum” për shkëmbimin e territoreve, d.m.th., do t’i faturojë kombit krimin e vet mbi copëtimin e territoreve. Komploti është i egër dhe këta i ka zënë frika. Prandaj kanë shpallur sot ‘luftë’.
Nuk dihet me cilin e kanë shpallur luftën secila palë. ‘Komandantët’ nuk përmendin emra. Vetëm gazetarët i fantazojnë emrat. Gazetarët thonë, si në atavizma, se Serbia do të luftojë ‘kundër Kosovës’, dhe Kosova ‘kundër Serbisë’.
Ndërsa qeveritë vetë janë mbledhur në ‘guackën’ e fjalëve për luftë pa treguar asgjë të saktë.
Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka mbledhur sot këshillin e lartë të sigurisë, për ‘rast urgjent’, por ka thënë fjalë të zakonshme, si “të sigurojmë stabilitet dhe qetësi brenda Kosovës”. Asnjëherë fjala “Serbi’… Nesër presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të mbledhë këshillin e lartë të sigurisë, për një ‘rast urgjent’, thotë. Edhe ai vetëm një herë e përmend emrin e Kosovës, në këtë kontekst: “Meqë Kosova mbledh këshillin e Sigurisë, e mbledhim edhe ne”. Edhe ata ‘për probleme të brendshme’ e mbledhin…
Ndërsa kudo janë përhapur fjalë ‘për luftën’. Absurd! Sikur këta të jenë të vetmit në Glob dhe ta bëjnë ‘lesh arapi’ botën e boshatisur. Absurdi ka edhe një kulm tjetër, se si ka nisur ‘lufta’… Në Kosovë u tha se luftën e ka paralajmëruar revista “Kurir” e Beogradit; ndërsa në Beograd vetë “Kurir” shkruan se “luftën e morën vesh nga mediat e Prishtinës”.
Më duket se vetë dy shtetet politike janë “Fake”.
Veritas.com.al