KQZ vendos heqjen e mandatit për deputetët, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica
Komisionit Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot t’u heq mandatin deputetëve Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rehovica i LSI.
Vendimi u mor nga pesë anëtarë të KQZ. Shumica në këtë institucion vendosi që dy deputetëve t’u ndërpritet mandati për shkak të mos deklarimit të problemeve ligjore që kanë pasur në të kaluar në formularin e dekriminalizmit.
Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave në Itali ka rezultuar se “Aqif Rakipi është raportuar me datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur me gjenealitetet SKËNDER EJYLBEGAJ, lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjenealitetet Aqif Rakipi, lindur më 01.04.1964.” Marrja e mallrave të vjedhura nuk përfshihet në llojin e veprave penale që e bëjnë një subjekt të pazgjedhshëm në poste publike, por Rakipi rrezikon të humbasë mandatin për shkak se ka dështuar të deklarojë këtë episod në formularin e vetëdeklarimit.
Ishin gjithashtu gjurmët e gishtave që shkaktuan telashet për deputetin Gledjon Rehovica nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Rehovica, i zgjedhur deputet në Qarkun e Beratit, rezultoi fillimisht i pastër nga verifikimet, por gjurmët e gishtave të verifikuara në Itali “ka rezultuar se ndaj z. Gledion Rahovica, më datë 27.02.1999, është raportuar vepra penale “Vjedhje Dyqani”, me gjeneralitete të z. Kusta Mina, lindur më datë 21.12.1978 në Shqipëri”.
Gjatë mbledhjes pati debate mes anëtarëve të KQZ për mënyrë sesi duhet të interpretohej kërkesa e prokurorisë. Avokatët e dy deputetëve deklaruan se nuk ka pasur dënime të fshehura, por vetëm të dhëna nga policitë e vendeve të tjera për dy deputetët, disa vite më parë.
Në vendimin e KQZ thuhet se Kuvendi duhet të nisë procedurat për zëvendësimin e dy deputetëve me listën përkatëse, sipas subjekteve politike. Deputeti i LSI-së në Qarkun e Beratit, Gledion Rehovica pritet të zëvendësohet nga Silva Caka. Ndërsa deputeti i PDIU në Qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi do të zëvendësohet nga Dritan Bici.
Ndërkohë dy deputetët pritet të apelojnë vendimin e KQZ në institucionet e tjera të drejtësisë.
KQZ është institucion i përbërë nga ekspretë ligjorë, por të zgjedhur nga partitë politike. Ndaj shpesh herë dhe votimet janë sipas qëndrimeve të selive të partive. Për rastin e Gledion Rehovicës të LSI vendimi ishte në dorë të PS dhe PD dhe nuk pritej të refuzohej kërkesa e Prokurorisë. Ndërkohë ajo që ra jo pak në sy ishte votimi për deputetin e PDIU, mikun e kryeministrit Edi Rama, Aqif Rakipi. PD kërkoi heqjen e mandatit të tij, kërkesë e cila u mbështet nga socialistë pa shumë rezerva duke e larguar nga Kuvendit deputetin që ka aleancë personale me Edi Ramën.